Ankthi i qeveritareve kur Kelni i Gjermanise Perendimore luante Tirane me Partizanin

Ankthi i qeveritareve kur Kelni i Gjermanise Perendimore luante Tirane me Partizanin
Tiranë- “Lajmi në Ministrinë e Mbrojtjes kishte rënë si bombë… nis të na tregojë Mjeshtri i merituar Todo Vaso, i dekoruar me Medaljen e Artë për merita të shquara në sport; futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot. … Ndoshta nuk e kishin pritur një lajm të tillë. Fill pas marrjes së njoftimit Ministri i Mbrojtjes dhe oficerë madhorë u vunë në lëvizje. Kërkohej një zgjidhje. Sapo ishte hedhur shorti nga UEFA.Skuadra e Partizanit do të luante me skuadrën e Këlnit të Gjermanisë Perëndimore. Veç kësaj ndeshja e parë do të bëhej në Tiranë. Ata do të vinin këtu, në Shqipëri, në kryeqytetin e saj. A do të mundej Shqipëria që të prezantohej si një vend dinjitoz? Pyetja rrinte pezull mbi kokën e të gjithëve. Shqetësimi mes majorëve dhe gjeneralëve kishte filluar të rritej. Lajmi kishte mbërritur edhe në Byronë Politike. Gjithçka ishte e qartë: as prezantimi i Shqipërisë para syve të gjermanëve, dhe as loja me skudrën e Këlnit nuk do të ishin të lehta.

Në vitin 1954 Republika Federale Gjermane ishte shpallur në Zvicër kampion bote. Ky fakt e bënte edhe më të frikshëm ardhjen e gjermanëve në Tiranë. Deri atëherë skuadrat tona kishin luajtur vetëm me skuadrat e Lindjes. Ndeshjet që ishin zhvilluar kishin qenë mes skuadrave ushtarake të Kampit Socialist në Lajpcig dhe Hanoi. Edhe të rinjtë e Kombëtares së Shqipërisë nuk e kishin patur fatin të luanin me perëndimorët. Më 1955 kishin luajtur në Varshavë, më 1957 në Moskë, ndërsa sërish më 1957 dhe 1958 kishin luajtur në Tiranë, por me gjermano-lindorët. Në të vërtetë më 1962 Partizani u ndesh për herë të parë me klubet e futbollit evropian, me Norçepingun e Suedisë për kupën e skuadrave kampione, por çuditërisht ardhja e Këlnit kishte shqetësuar kupolën e shtetit.

Ndeshjen me Norcepingun e humbi në Suedi 2-0 dhe barazoi në Tiranë 1-1. Në takimin e dytë të radhës shorti i afroi Partizanit Spartakun e Plovdivit. Shkuam në Bullgari me fitoren 1-0 të ndeshjes së parë. Partizani aktivizoi në Bullgari formacionin: Janku, Deliallisi, Papadhopuli, Frashëri, Vaso, Shllaku, Kraja, O. Mema, Pano, Resmja, R. Jashari. Tashmë ishte viti 1964, Partizani do të luante me një nga skuadrat e Republikës Federale Gjermane. Ata ishin duke ardhur…

Shqetësimi

Shqetësimi po vinte në rritje. Po bëheshin të gjithë përpjekjet që gjermano-perëndimorët të njiheshin me anët më të mira të Shqipërisë. Shqetësimi që kishte mbërthyer kupolën e shtetit zbriti deri te drejtuesit e ekipit, përfshiu edhe lojtarët, madje gjithçka, edhe ambientet ku lëviznin sportistët. Ndërtesat e K.S Partizanit ishin të gjitha njëkatëshe: fjetorja, mensa, klubi i çlodhjes dhe magazinat. Nuk e di pse atë ditë këto ngrehina filluan të më dukeshin ndryshe. Më tej ishin dushet dhe pas dusheve vijonte fusha e tenisit, e volejbollit dhe basketbollit.

Në anën e jugut mbi një ledh gjendej një pishinë e vogël. Aty nuk pashë kurrë ujë. As atë ditë që erdhi lajmi, pishina nuk u mbush me ujë. Salla e lojërave kishte në mes një bilardo për karambol ku luanin të gjithë ushtarët korçarë, shkodranë, tiranas, etj. Anash ishin 4-5 tavolina të vogla me karrige karshi sallës. Në mes të territorit të repartit dallonte shatërvani i braktisur. Thuhej se ndërtesa dhe shatërvani ishin ndërtuar nga mjeshtrit italianë, por tani nuk ishin më ashtu siç kishin qënë. Avllia e territorit të klubit buzë rrugës kombëtare Tiranë – Durrës ishte ndërtuar me mozaikë tulle të thjeshtë. Fundi i murit përkonte me repartin e aviacionit të Tiranës. Të krijohej përshtypja sikur edhe këto ndërtesa dhe mozaikë tullash e kishin marrë vesh lajmin dhe qëndronin disi të ndrojtura. Hyrje-daljet në këtë territor nisën të bëheshin më të shpeshta. Pritej të bëhej një mbledhje e jashtëzakonshme. Si gjithnjë pritej edhe ardhja e oficerëve madhorë. Atë çast po më kujtohej rruga që kishte përshkuar deri atëherë ekipi i Partizanit.

Hapin e parë Partizani e kishte hedhur në vitin më 1947 me 6 lojtarë të 17 Nëntorit: B.Vathin, Xh. Demnerin, B. Fagun, H.Sakiqin, T. Baçin dhe Z.Lisin. Vllaznisë kampione të viteve 1945-1946, i mori lojtarët: P.Mirashi, L. Boriçin, Xh. Shaqirin, A. Bonatin, B.Dibrën dhe I. Pelingun. Tërhoqi përsëri nga 17 Nëntori lojtarët: Parapani, Spahiun, V. Bicakun dhe S. Llambin, nga Besa mori Z. Gjinalin dhe S. Maliqatin dhe më vonë nga Pogradeci mori M. Ndinin. Nga kjo plejadë e lavdishme unë gjeta te ekipi i Partizanit S. Maliqatin, R. Resmen, M. Ndinin, G. Merjen, K. Krajën, si dhe futbollistët F. Deliallisi, R. Jasharin, M. Papadhopulin, që filluan të luajnë nga mesi i dekadës së viteve 1950. Unë kisha ardhur nga Korça si ushtar në repartin 3700 në Tiranë në fund të vitit 1963. Një javë më pas do të gjendesha në territorin e K.S. Partizanit. Me ekipin e Skënderbeut kisha luajtur për 3 vjet me radhë si qendërmbrojtës dhe në një kampionat për arsye emergjente, mbajta rolin e mesfushorit.

Mbledhja urgjente

Ndodhi ashtu siç pritej. Oficerët madhorë dhe gjeneralët kishin mbërritur. Mbledhjet me ushtarët në ekipin e Partizanit bëheshin në sallën e kulturës. Bilardoja që ishtë në krye të hapësirës përdorej si podium. Gjenaral Thoma Xhixho kishte zënë vend në mes. Në njërin krah të tij ishte ulur shefi i klubit sportiv, ndërsa në anën tjetër trajneri Loro Boriçi.

Ulur afër podiumit pranë njëri-tjetrit, sup më sup, dukeshin R. Resmja. K. Kraja, M. Papadhopuli, F. Deliallisi dhe trajneri i dytë R. Spahiu. Mbrapa tyre dy lojtarë oficerë M. Janku dhe T. Shehu, kishin pranë F. Frashërin, R. Jasharin, P. Panon dhe disa lojtarë rezervë. Pritej të thuhej fjala e parë. Përballë podiumit, përveç ekipit të futbollit gjendeshin civilë, punonjës të klubit, oficerë madhorë dhe ushtarë. Binte në sy edhe prania e disa gjeneralëve, të cilët qëndronin ulur në krah të disa lojtarëve të vjetër të Partizanit. Prania e shumë oficerëve me yje të mëdhenj dhe me spaleta të praruara përcillte nëpër ambient një tendosje të lehtë nervore. Ishte hera e parë që ndodhte kështu. Hyrja e sallës së mbledhjes shikonte nga lindja. Derën e kishte dykatëshe të lartë dhe të rëndë. Fasada të krijonte idenë e një depoje, ndoshta kur u ndërtua e tillë kishte qënë.

Lart, përballë hyrjes, fotografia e Komandantit hidhte një shikim qesëndisës. Përveç pllakave të vogla ngjyrë vishnjë të truallit, radhitur bukur, asgjë tjetër nuk të tërhiqte vëmendjen. Salla ishte e zhveshur, kishte një pamje të zbrazët. Një citat i shkruar kohë më parë ishte lyer me gërqele, por ende i dalloheshin disa shkronja. Parulla e harruar më shumë shëmtonte se zbukuronte. Pas hyrjes së zakonshme, më të cilat fillonin mbledhjet u dha lajmi: “Gjermano-perëndimorët do të vijnë në Tiranë të luajnë me skuadrën e Partizanit”.

Te radhët e sportistëve pati një rrëqethje, por që më shumë ishte një lloj krenarie e përzierë me ndjenjën e përgjegjësisë. Do të kishin rastin të mateshin me një nga skuadrat më të mira të Evropës Perëndimore. Kjo gjë sillte dhe një farë ankthi. Gjenerali tha se Shqipërisë i duhej fitorja. Gani Merrja i ulur përpara meje, diçka po i thoshte një gjenerali që ishte ulur pranë tij. Drejtuesit e ekipit dhe futbollistët duhej të thoshin fjalën e tyre. U tha se do të bëhej e pamundura. Një oficer madhor e mbylli mbledhjen me këto fjalë: “Edhe ne jemi ndeshur me gjermanët, por dhe pse ata ishin më të shumë në numër në krahasim me ne, ne përsëri fituam. (E kishte fjalën për kohën e luftës). Edhe ju duhet të fitoni: jeni 11 shqiptarë përballë 11 gjermanëve”.

Ankth

Oficerët madhorë u larguan nga mbledhja, por në të vërtetë u duk sikur ata morën me vete edhe një lloj ankthi. Nuk ishin të sigurtë nëse Shqipëria do të mund të përballej me gjermano-perëndimorët. Viti futbollistik i Partizanit, 1962-1963, nuk kishte qënë dhe aq i mirë dhe ata e dinin këtë. Partizani kishte humbur 2-0 me Norcepingun në Suedi, me këtë rezultat kishte përfunduar edhe ndeshja me CSKA-në e Moskës në Hanoi. Partizani kishte pësuar edhe një humbje tjetër 3-1 me Spartakun e Plovdivit. Gjithsesi dy ndeshje i kishte humbur me skuadra kampione, por tashmë do të gjendej përballë një futbolli me kapacitet më të madh dhe frikësues, në krahasim me të gjitha skuadrat e futbollit që Partizani kishte luajtur qysh nga dita e krijimit të tij. Humbja e Përfaqësues tonë në Hungari në vitin 1950, me rezultatin 12-0 ende nuk ishte harruar, ashtu siç nuk ishin harruar as lojtarët e saj: Pushkash, Koçis, Cibor, Bozhik Grosiç etj. Tashmë hija e rëndë e futbollit gjerman frikësonte gjithandej. Për këtë arsye pritej që në formacionin e ekipit të Partizantit të kishte ndryshime. Dikush do të dilte nga skuadra dhe dikush tjetër do të zinte vendin e tij. Ky shqetësim u përhap edhe në radhët e sportistëve.

 Tre sulmuesit: P. Pano, R. Jashari dhe K. Kraja ishin të pazëvendësueshëm. Dy të parët ishin shpallur shënuesit më të mirë të kampionateve të vitit 1961 dhe 1962-63, kurse R. Jashari për vitin 1963-1964. Në sulmin e skuadrës nuk mund të bëhej kurrsesi asnjë lëvizje. Çështja shqetësuese qëndronte se si duhej bërë një mbrojtje sa më e efektive. Skalioni i fundit i mbrojtjes së skuadrës ushtarake përbëhej nga S. Maliqati M. Janku, (portierë); F. Deliallisi dhe F. Frashëri mbrojtës anësorë dhe nga L Shllaku mesfushor afër mbrojtjes, që të tre ishin titullarë të ekipit Kombëtar. Qendërmbarojtës luante M. Papadhopuli. M. Janku, bashkë me tre titullarët e Kombëtares, duke pasur në mes të mbrojtjes S. Halilin e 17 Nëntorit përbënin një pesëshe madhore të mbrojtes së skuadrës Përfaqësuese. Megjithatë, frika dhe dilema e garës sportive buronte nga e kaluara. Skalioni që prezantuam, brenda të cilit pjesërisht kishte luajtur dhe Papadhopuli deri në prag të ndeshjes me Këlnin nxori dy humbje me Olimpikën bullgare 1-0 më 1963 dhe 4-0, me Danimarkën sërish në vitin 1963, dhe 2-0 me Hollandën në vitin 1964. Këto rezultate i morën me Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa humbën me Norcepingun, Spartakun e Pllovdivit dhe CSKA –në e Moskës në Hanoi.

Shtabi i Partizanit

Oficerët madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes po i bënin vizitat e tyre gjithnjë e më të shpeshta në klubin e Partizanit. Ata donin të dinin se kush do të ishin 11 sportistët që do të luanin me Këlnin. Herë pas herë në territorin e klubit të Partizanit shfaqeshin gjeneralë dhe oficerë madhorë: Petrit Dume, Beqir Balluku, Rahman Përllaku, Sejdin Avdia, Muharrem Kokomani, Et’hem Gjinushi, Thoma Xhixho, Qazim Kapisyzi, Vaskë Gjino, Todi Naçi, Sadik Bekteshi, etj. Shtabi i ekipit të Partizanit kishte tre strategë futbolli: L. Boriçin, R. Spahiun dhe B. Fagun, ku sigurisht violina e parë ishtë Boriçi. Për këtë arsye ai kishte kompetenca absolute, gjë që e bënte të ishte sa më pak i ndikuar në krijimin e formacionit të skuadrës, por Partizani ashtu si edhe Dinamoja, duke qënë skuadra ushtarke kishin një kod tjetër institucional dhe moral. Sa herë që Partizani luante me skuadra ndërkombëtare kupola e dikastereve bashkë me ministrat përkatës ishin aty. Në vendimmarrjet e shtabit ishte i pranishëm dhe mendimi i oficerëve madhorë. Kështu kishte ndodhur gjithnjë. Skuadra e Partizantit kishte qënë vazhdimisht në lëvizje dhe ndryshime të herëpashershme.

Gjatë viteve të para të dekadës 60-70, ekipi i kuq filloi freskimin e kontigjentit famëmadh. Lojtarët S. Deda, R. Haxhiu dhe më pas R. Resmja, K. Kraja, S. Maliqati dhe G. Merja iu lanë vendin më të rinjve. I pari nga të rinjtë që u bë titullar i Partizanit ishte vlonjati M. Haxhiu, në sulm nga krahu i majtë u duk Petraq Sinjari, kurse në krahun e djathtë Foto Andoni, që të dy nga Tirana. Në vitet 1963-1965 erdhi një bum i madh lojtarësh, të cilët ishin marrë nga rrethet si ushtarë. Nga Vlora erdhën M Haxhiu, G. Xhafa dhe N. Saraçi, nga Elbasani B Rudi dhe F. Jorgaqi, nga Berati A. Zaho, L. Hodo dhe A. Qole, nga Kavaja M. Kariqi, E. Gjoci dhe A. Dizdari, nga Shkodra R. Ragami, nga Korça T. Vaso, ndërsa më vonë do të vinte nga Shkodra S. Bizi dhe nga Elbasani M. Gjika. Më pas edhe ky kontingjent do të shpërndahej nëpër rrethet nga ku kishin ardhur. Tashmë oficerët madhorë kishin ardhur të njiheshin me formacionin e ri të ekipit të Partizanit

Në kërkim të formacionit

Kisha nisur të ndihesha i shqetësuar. Nuk e dija cili do të ishte roli im në ndeshjen me Këlnin. Para se të vija në Tiranë, me Skënderbeun kisha luajtur tre vjet me radhë si qendërnbrojtës, por kur mbërrita në skuadrën e Partizanit trajnerët e ekipit ushtarak nuk po gjenin hapësirë të më aktivizonin në rolin e mbrojtësit. Mbrojtja e ekipit të Partizanit përbehej nga portieri virtuozi, akrobat Mikel Janku, në të djathtë nga mbrojtësi Fatbardh Deliallisi, në qendër nga Miço Papadhopuli dhe në të majtë nga Fatmir Frashëri. Të gjendur në këto kushte trajnerët më dhanë fanellën e mesfushorit me nr. 5. Vendosja në këtë pozicion më la të befasuar. Trajnerët po përpiqeshin të më praktikonin në një rol të ri. Çuditërisht ky ndërrim roli po ndodhte vetëm me mua. Pararadhësit e mi ishin provuar sipas vendeve ku kishin luajtur më parë. Zakonisht edhe në ekipet e vendeve të tjera, ndryshimet bëheshin duke i kthyer sportistët nga përpara-mbrapa, ku të gjithë merrnin rolin e qendërmbrojtësit të lirë, kurse me mua po ndodhte ndryshe. Trajnerët po më angazhonin detyra të tjera taktike. Unë duhej të mbuloja sulmuesin e maskuar, i cili luante rolin e sulmuesit të dytë, pas qendërsulmuesit stabël. Më i dukshëm ky lloj kombinimi ishte në dyshet: P. Pano - R. Resmja, Zhega - S. Domi, Tuxhari - Pilika, S. Jareci- M. Bushati, M. Bespalla - R. Jashari etj. Roli në fjalë mu besua në ndeshjen ndërkombëtare në Bullgari, kundër “Spartakut” të Pllovdivit. Deri atëherë pothuajse gjithçka kishte shkuar mirë, kurse në dhjetor të vitit 1963, Partizani mori me vete për në Hanoi të Vietnamit dy futbollistë të 17 Nëntorit: Luigji Bytyçin dhe Pavllo Bukovikun. Jashtë listës së 17 lojtarëve mbeti Merxhit Haxhiu dhe unë. Haxhiun e privuan për arsye biografie. Për mua kjo kishte qenë goditja e radhës që po më jepej.

 Unë gjithnjë kisha qenë brenda grupit të 15 lojtarëve. Diçka po ndodhte, ndoshta nga që isha jabanxhi, ndoshta për ndonjë arsye tjetër, ndoshta kishte qenë luftë bërrylash. Veç kësaj nuk më dhanë asnjë shpjegim. Hipokrizia po më lodhte, heshtja po më shqetësonte. Gjithçka ishte bërë papritur dhe në fshehtësi. Nuk e dija kush e kishte hequr emrin tim nga përbërja e ekipit. Isha i sigurtë vetëm për një gjë: heqja e emrit tim nga lista nuk ishte bërë për arsye profesionale. Në ndeshjen Skënderbeut-17 Nëntori (shkurt, 1962) që përfundoi me rezultatin 3-1 (atëherë luaja me Skënderbeun), Sporti popullor shkruante: “Mbrojtja me në krye Vason, bëhet e pakalueshme” Në ndeshjen me Pllovdivin e Bullgarisë i Madhi Anton Mazreku më përgëzoi për ndeshjen e parë jashtë shtetit. Megjithatë fill pas kthimit të ekipit të Partizanit nga Hanoi, u bëra titullar i skuadrës, duke përmbushur me cilësi detyrën e disa roleve. Më vendosën për të zëvëndësuar lojatarë me gjendje të dobët sportive ose që mungonin për arsye dëmtimi.

 Ja disa nga ndeshjet e cilësura: për finalen e Kupës së Republikës me Tomorin e Beratit që e fituam 3-0 më vendosën në mesfushë në përbërjen: O. Mema. M. Ndini, T. Vaso, R. Jashari. (SP: 24.03.1964). Një muaj më vonë, me Flamurtarin, trajneri më caktoi në rolin e qendërmbrojtësit në treshen: S. Gjika, T. Vaso dhe Dingu, (23.03 1964). Përsëri, në mesfushë për ndeshjen Partizani- Skënderbeu, në përbërjen: O. Mema, L. Shllaku, T . Vaso. ( S.P 02.06 1964). “Dinamovitët ishin duke shënuar golin e dytë, sikur Vaso të mos e shpëtonte portën nga rreziku, duke e pritur topin me dorë. Penallti, por Thoma Duro e nxori topin jashtë mbi portë, ( SP: 24.11.1964). Në këtë lojë, Dinamo- Partizani, kisha rolin e mbrojtësit të djathtë. Tashmë prisja të merrja vesh cili do të ishte roli im në ndeshjen me Këlnin.

Vijon nesër


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama