Anketa parate i mbajne burrat kane me shume llogari ne banka

Anketa, parate i mbajne burrat, kane me shume llogari ne banka

Paratë e shtëpisë i mbajnë meshkujt. Të paktën kështu duket sipas të dhënave të nxjerra nga anketa e zhvilluar nga Banka e Shqipërisë. Më qartë kjo mund të lidhet me pjesën e llogarisë së kursimit, ndryshe nga ajo rrjedhëse, që lidhet me marrëdhënien e punësimit. "Llogaria rrjedhëse dhe ajo e kursimit përdoren më shumë nga të intervistuarit meshkuj (45.6%), sesa nga femrat (37.6%). Pjesa më e madhe (63.6%) e të intervistuarve që kanë zotëruar gjatë dy viteve të fundit të paktën një nga këto dy produkte, janë meshkuj", thuhet në publikimin e Bankës së Shqipërisë.

 

Po kështu, marrëdhënien më të ngushtë me bankat duket se e ka grupmosha e atyre mbi 30vjeç. "Përqindja më e lartë e atyre që kanë zotëruar një llogari rrjedhëse apo kursimi i përket grupmoshës 30-59 vjeç (68.0%). Në të dyja këto raste, duhet mbajtur parasysh se grupi me përqindje më të lartë zotërimi produktesh mban edhe peshën më të madhe në zgjedhje (59.0% janë meshkuj dhe 63.5% janë individë 30-59 vjeç)", vlerëson BSH. Një detaj tjetër interesant që nxjerr anketa e Bankës lidhet me përgjegjshmërinë e pagesave. Të dhënat tregojnë se janë më korrektë dhe më të përgjegjshëm në pagesën e faturave të martuarit ose ata në një marrëdhënie bashkëjetese, sesa ata që janë vetëm. Po kështu personat e martuar apo në bashkëjetesë rezultojnë të jenë më të matur në sjelljen e tyre financiare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama