Cila janë projektet me të cilat po merreni aktualisht?
Jam e impenjuar si modele nëpër sfilata të ndryshme. E fundit ishte angazhimi në 14 mars, Ditën e Verës, në një sfilatë ku kishin paraqitur veshjet e tyre stilistë të rinj. Gjithashtu jam në pritje të Javës së Modës që do të organizohet në Tiranë rreth datës 20 prill, ku besoj se do të jem pjesëmarrëse si modele ashtu si dhe në edicionin e shkuar. Një tjetër event ku kam marrë ftesë për të qenë e pranishme është dhe Java e Modës në Kosovë, që do të zhvillohet gjithashtu në muajin prill.
Mund të na tregoni si është një ditë e Anadës gjatë kohës kur është e angazhuar në sfilata?
Natyrisht që fillon shumë shpejt. Shkoj në vendin e përcaktuar, punojmë me grimin, flokët, ndoshta dhe me veshjet nëse nuk kemi punuar shumë me këtë pjesë. Zakonisht sfilatat zhvillohen në darkë, por gjatë gjithë ditës unë jam e angazhuar me to.
Tashmë jeni studente e vitit të parë, çfarë mund të na thoni më tepër?
Jam shumë e lumtur që kam vazhduar studimet në një degë që e kam pasur shumë dëshirë, edhe pse në një universitet privat. Momentalisht jam në vitin e parë në degën Shkenca- Politike. Mund të them se semestri i parë u mbyll mirë dhe unë dola e kënaqur me notat.
Pse keni zgjedhur pikërisht këtë degë?
E kam zgjedhur sepse e mendoj veten pas disa kohësh të përfshirë në jetën politike shqiptare. Gjithashtu mund të them se është një degë interesante, që prek në një farë mënyre jetën sociale të një vendi.
A është e vështirë që të jesh njëkohësisht studente si dhe modele e impenjuar nëpër sfilata?
Mund të them që ka ritme më të ndryshme nga ato të studentëve. Ka pasur dhe ditë në të cilat unë nuk kam pranuar të jem pjesë e sfilatave, sepse kam pasur për të mësuar. Modën e kam shumë pasion dhe sa të kem mundësi dua të vazhdoj që të merrem.
Kthehemi pak mbrapa në kohë, kur keni fituar “Supermodel of the World Albania”, çfarë kujtoni nga ajo eksperiencë që ju ka lançuar në fushën e modës?
Tani që e kujtoj, më duket si një ëndërr. Ishte e papritur fitorja në këtë kompeticion, sepse kur kam konkurruar në “Supermodel”, kam qenë një gjimnaziste që sapo kishte mbaruar viti e dytë të shkollës së mesme. Kur konkurrova, kisha shkuar thjesht për të plotësuar një kënaqësi timen dhe nuk e mendoja se mund të fitoja. Ishte një eksperiencë që vërtet më vlejti shumë, sepse njoha njerëz të rinj dhe falë asaj unë vazhdoj ende të punoj si modele në Shqipëri. Kujtoj me shumë mbresa dhe vajtjen në New York, për finalen e madhe.
Natyrisht që kur jeni gjendur në New York, jeni ndeshur në një ambient tërësisht profesional në planin e modës. Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje nga ambienti dhe tek vajzat konkurruese?
Kujtoj që ishim 44 vajza që përfaqësonin shtetet e tyre; të gjitha ishin shumë të bukura, me trupa perfekt dhe që donin vërtet ta bënin atë profesion. Shumë përshtypje më bëri dhe organizimi, ku çdo gjë ishte në orar, ndryshe nga në Shqipëri ku mund të ndodhë që mund të mos respektohen këto të fundit. Kam mbetur me përshtypje shumë të mira.
A kishit ndonjë tundim për të qëndruar në New York dhe për të vazhduar karrierën si modele?
Përpara dy vjetësh kisha shumë dëshirë që të qëndroja në New York, sepse dhe mundësinë që të qëndroja me “Ford Models” i kisha. Por nëse unë do të qëndroja me “Ford Models”, nuk mund të kthehesha në Shqipëri, ndërkohë që unë e kisha shumë të vështirë të shkëputesha nga familja, si dhe isha në mesin e shkollës së mesme.
Po gjatë qëndrimit në New York, a kishit ndonjë ofertë për të punuar me ndonjë kompani?
Mua më është bërë një ofertë që të isha imazhi i një pjese të linjës “Nivea Visage”. Kujtoj që ishin dy zonja që më lanë kartëvizitën e tyre dhe numrat e kontaktit, por kjo gjë u la pak pas dore dhe nuk u arrit të realizohej një bashkëpunim.
Si është Anada në jetën e përditshme?
Jam tip shumë i thjeshtë dhe i marr gjërat me shumë sportivitet. Paraditja zakonisht kalon në shkollë, mes leksionesh dhe seminaresh, si dhe ndonjë orë pushim në kafe. Kam dy shoqe me të cilat shoqërohem kryesisht gjatë kësaj kohe. Pasdite nuk para dal, në darkë ndoshta lexoj ose përsëris ndonjë gjë. Në fundjavë më pëlqen të dal, me raste edhe të frekuentoj jetën e natës.
Meqë pasditen e kaloni duke lexuar, kush është libri i fundit që keni pasur në dorë?
Titullohet “Kali i Egër” dhe është i një autori kroat. Mund të them që është një roman që mund të lexohet nga çdo moshë dhe që ka një kuptim.
Si janë marrëdhëniet e Anadës me familjen?
Familja ime përbëhet nga prindërit dhe motra që është me studime në Itali. Me motrën jam shumë e lidhur, por më shumë nga të gjithë jam me mamin, me të cilën konsultohem për çdo gjë.
Si është Anada në shoqëri?
Jam tip i afrueshëm, por gjithashtu ka gjithmonë raste për të përzgjedhur tipat dhe karakteret që do përshtaten më shumë me mua, të cilët sigurisht që i afroj më shumë.
A ka ndonjë gjë të re në jetën private të Anadës?
Vërtet nuk ka asgjë të re, kam krijuar mënyrën time që e kaloj kohën me shoqërinë dhe për momentin jam mirë kështu. Nuk them që jam kundër një “shoku”, sepse është dhe vetë mosha, por nuk më ka rastisur të gjej dikë të përshtatshëm, me të cilin do më përputheshim idetë dhe mendimet.
Bluetooth











