Amaneti i papermbushur i Kodres

Amaneti i papërmbushur i Kodrës

Prej tre muajsh, Fatos Faslliu njeriu që piktori i ka besuar amanetin, endet dyerve të institucioneve në vend, ku ende nuk ka marrë një përgjigje. "Kam bërë shumë tentativa, me shumë përfaqësues të institucioneve të shtetit tim, për të sensibilizuar dhe vënë në vend amanetin e një prej përfaqësuesve më të denjë të pikturës, maestro Kodrës. Tentativat e mia, deri më sot, ndonëse kam përdorur rrugë indirekte dhe direkte me miq, shokë, bashkëpunëtorë të ngushtë dhe funksionarë të lartë të shtetit shqiptar, fatkeqësisht nuk kanë marrë një përgjigje. Amaneti verbal i Kodrës, ka qenë që të varroset në një vend të bukur siç është Durrësi dhe Tirana. Ligji është shkelur me të katër këmbët", shprehet Faslliu. Duke treguar ecejaket për të vënë në vend këtë dëshirë të piktorit, ai tregon se i është drejtuar Prefekturës së Durrësit me një letër zyrtare, e cila ka të gjitha elementët juridikë në këtë kërkesë dhe prej gjashtë muajsh, ende nuk ka marrë një përgjigje nga prefekti i këtij qyteti, Klodian Pajuni. "Madje, më 7 shkurt të vitit 2008, mbushen dy vjet nga vdekja e maestros, i cili po dergjet në një vend ku nuk ka dëshiruar që të jetë. Ndaj dhe unë, nëse deri të hënën nuk marr ndonjë përgjigje nga drejtuesit e këtij shteti, do të kthehem në Itali dhe të nis procedurat e zhvarrimit të maestros për ta kthyer në Milano", tha Faslliu.

Ai ka treguar se ka një avokat personal dhe një mik që ka qenë dhe i mjeshtrit Kodra, Viktorio Zgarbi, për të ndjekur në mënyrë ligjore kthimin e eshtrave të mjeshtrit në Milano.

Sipas Faslliut, ai ka menduar edhe për projektin se si mund të jetë varri i Kodrës. "Jam tepër i lodhur edhe fizikisht edhe mendërisht, ndaj kjo punë nuk mund të zgjasë më. Kam gati dhjetë ditë pasi u bë varrimi i Kodrës, që merrem me këtë çështje, por ende nuk kam marrë mirëkuptimin e zyrtarëve shqiptarë", shton ai. Faslliu shton se këto ditë të qëndrimit të tij në Tiranë, në takime të ndryshme, është takuar edhe me kryeparlamentaren Jozefina Topallin, e cila ka premtuar për vitin 2008 se do të organizojë disa aktivitete për Kodrën, një prej të cilëve është edhe një ekspozitë në Strasburg. "Po këto premtime m‘i ka dhënë edhe ministrja Bregu e Pango", thotë ai.

Faslliu ka argumentuar dje edhe faktin pse ky detaj i amanetit të Kodrës nuk u bë i njohur në momentin kur piktori u nda nga jeta. Në atë kohë të gjithë thanë se dëshira e mjeshtrit kishte qenë të prehej në fshatin e lindjes, në Ishëm. Kjo ndodhi sipas tij, pasi deri në momentet e varrimit, testamenti i piktorit ende nuk ishte hapur. "Unë së bashku me time shoqe, për tre muaj rresht i kemi ndenjur tek koka mjeshtrit, ndërsa nga shteti shqiptar nuk u kujtua askush të merrte njëherë në telefon. Gjatë periudhës kur maestro Kodra ishte sëmurë, diku nga dhjetori i vitit 2006, unë erdha në Shqipëri dhe u takova me ish-ministrin e Kulturës, Bujar Leskaj, i cili më priti mirë. Më pyeti se çfarë dëshire kishte mjeshtri dhe a kishte lënë ndonjë testament. Sigurisht i thashë, që ai dëshironte të prehej në një vend të bukur, por unë nuk mund të flisja me detaje për aq kohë sa testamenti nuk ishte hapur. Vetëm një ditë pasi ai u nda nga jeta, na morën nga Shqipëria në telefon dhe na thanë programin që kishim bërë për varrimin e mjeshtrit. Kur erdhëm ne në Shqipëri, pas homazheve të bëra në Brera të Italisë, nuk na priti askush, ardhja jonë është bërë me shpenzimet e Behxhet Pacollit, ndërsa varrimi i tij ka qenë shtetëror. Unë nuk kam folur atëherë për të mos prishur opinionin e gjithë asaj çka ishte organizuar nga shteti për mjeshtrin. Ndaj për të mos prishur atmosferën e krijuar, homazhet dhe nderimet madhështore që ju bënë mjeshtrit, (të cilat ishin të tilla) si nga Presidenti, Kryeministri dhe zyrtarë të lartë të shtetit, nuk ngrita zërin. Por një arsye më e fortë se kjo ishte se unë nuk kisha të drejtë të flisja për aq kohë sa nuk ishte hapur testamenti i Kodrës. Në të thuhej se unë isha kurator i testamentit të tij. Por ditën e varrimit, i kam thënë komisionit të varrimit, që dëshira e tij nuk ka qenë të varrosej në Ishëm", thotë Faslliu.

Per më shumë informacion rreth Ibrahim Kodrës Klikoni këtu

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama