Aleksandar Vuciq As nuk kemi fituar as nuk kemi humbur

Aleksandar Vuciq: As nuk kemi fituar, as nuk kemi humbur

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur pas votimit në UNESCO. “Dua ta porosis Prishtinën se, edhe përkundër fjalëve të rënda dhe ofendimeve ndaj nesh, ne nuk do të përgjigjemi me ofendime”.

“Përgjigja ime do të jetë: ‘Ne nuk do t’ju gjuajmë me gurë, s’do hedhim gurë ndaj gurëve, por do ta kërkojmë vazhdimin e dialogut, të bisedojmë dhe jo t’i imponojmë zgjidhjet dhe vazhdimisht të nxisim kriza në raporte’”, transmeton Klan Kosova.

“Sikur të veprohej mençur, kjo çështje do të zgjidhej në Bruksel, e jo me tentime që Serbia të nënçmohet dhe shkelet. Serbinë askush nuk do ta shkel. Serbia nuk e lejon këtë dhe nuk do t’ia lejojë askujt”.

Vuçiq ka thënë se Serbia është përballur me më të fuqishëm dhe më të mëdhenj se vetja dhe se Serbisë nuk i interesojnë fitoret në të cilat ka viktima.

“As nuk kemi fituar, as nuk kemi humbur. Nuk na kanë nënçmuar, as s’na kanë shkelur”, ka thënë Vuçiq, duke theksuar se Serbia është gjithmonë e gatshme për kompromise me qëllim të sigurimit të një jete më të mirë për qytetarët e saj.

“Serbia nuk është mposhtur, por kjo nuk është ndonjë risi. Serbia ngadalë por sigurt po mësohet të mos humbasë. Shembujt më të mirë janë Rezoluta për Srebrenicën, agresioni ekonomik i Kroacisë, seanca e sotme e UNESCO-s. Ne nuk tërhiqemi para askujt, qëndrojmë vertikalisht, nuk humbasim. I lus qytetarët e Serbisë të mësohen që – edhe atëherë kur të humbasim – nuk do të heqim dorë prej politikës sonë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama