Çfarë shkruante një socialdemokrat gjerman për propagandën aleate në vitin 1942, rreth rezistencës antifashiste të shqiptarëve? Si shiheshin italianët në sytë e popullit shqiptar, kush po luftonte dhe përse po luftonte? – Pse brigjet shqiptare – siç tregoi koha – do të shiheshin si një “grep”, për të zhvendosur vëmendjen e Hitlerit për zbarkimin e mëvonshëm aleat
70-vjetori i Çlirimit
Nga Armand Plaka
Sipas tij, rezistenca e shqiptarëve do të bënte të mundur që i gjithë bregdeti Adriatik të bëhej “miqësor” ndaj invazionit të armatave aleate, duke synuar qartazi që ky hap të sillte në këtë front menjëherë mijëra trupa të Boshtit, të cilat Hitleri do të dëshironte t’i përdorte gjetkë. Ky është përfundimi kryesor që përftohet nga një artikull me tendenca propagandistike në një platformë aleate në vitin 1942 në SHBA (shih: “SECOND FRONT on the Adriatic”, nga Robert Groetsch, revista “Free World”, dhjetor 1942, fq. 211), shkruar nga një gazetar, militant socialdemokrat gjerman që kish emigruar në Nju Jork qysh në vitet ’30, i angazhuar në rrjetet majtiste e antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kontributi i tij duket sa interesant, aq edhe i panjohur, duke na sjellë më pranë një përmbledhjeje të asaj se si perceptohej Shqipëria dhe roli i saj në frontin antifashist, në një fazë relativisht të mesme të Luftës së Dytë Botërore, kur strategjitë aleate për të përthithur sa më shumë kontribute në betejën e tyre kundër fuqive të Boshtit, po merrnin formë. Në këtë fazë kur ai raporton për fillimet e sukseseve të lëvizjes antifashiste në Shqipëri, nuk përmend asnjë nga krerët e atëhershëm komunistë si “rebelët më aktivë”, fakt i cili përkon me shumë analiza e prurje të studiuesve të periudhës së LANÇ, të cilët si rrallëherë, nga të dyja anët pohojnë se në atë fazë, grupimet luftarake të udhëhequra, apo të frymëzuara nga komunistët, ishin akoma në një fazë jo të avancuar të përpjekjeve të tyre, të cilat sidoqoftë, siç dihet, dhe siç konstatohet edhe nga shkrimi, duket se kishin filluar në formën e protestave masive antifashiste e iniciativave të tjera që e gjenin shprehjen më të mirë në atentate e veprime të izoluara ushtarake guerrile. Flet me shifra e statistika mbi prezencën fashiste në Shqipëri dhe rëndësinë strategjike të saj, duke u futur më në detaj rreth “pluseve e minuseve” të pushtimit italian, konceptuar sipas shtresave të ndryshme të popullsisë vendase, ndërsa thekson gjithsesi se vendi tashmë ishte kthyer tërësisht në një koloni primitive nën pronësinë e Çianos dhe Jakomonit. Thekson bashkëpunimin mes shqiptarëve, jugosllavëve e grekëve e duket se e bren meraku që edhe Shqipëria të marrë një rol nderi e të zërë vendin e vet në një familje (d.m.th. Konfederatë) të madhe Ballkanike të Pasluftës, çka përkon 100% me propagandën e Kominternit e asaj komuniste jugosllave të kohës, për synime tashmë të ditura. Për këtë ide, ai kërkon mbështetjen e SHBA-së dhe të Lidhjes së Kombeve dhe këmbëngul që ajo të kthehet në një premtim të qartë për të motivuar shqiptarët në luftë kundër fashizmit. Kontributi i Robert Groetsch duhet marrë plotësisht në konsideratë si një dëshmi alternative dhe e besueshme rreth zhvillimeve në vendin tonë gjatë kulmit të pushtimit italian dhe perspektivës së frontit antifashist në Shqipëri e rajon, por edhe si një pasqyrim i shkurtër e dashamirës i historisë së shqiptarëve ndër shekuj.
Më poshtë materiali i plotë:
***
Fronti i Dytë në Adriatik
Spekulime mbi përcaktimin e frontit të dytë të ardhshëm në kontinentin europian duhet të konsiderojnë një territor, i cili ndoshta është më shumë i gatshëm për aksion, se sa çdo rajon tjetër në Europë. Ky territor është bregu lindor i Adriatikut, ku luftëtarët e paepur të Jugosllavisë po realizojnë një luftë të vërtetë kundër forcave të Boshtit. Por edhe më e përshtatshme nisur nga Afrika e Veriut është Shqipëria, ku 200.000 burra luftëtarë të klasit të parë janë të gatshëm t’u bashkëngjiten armatave pushtuese kundër italianëve që tashmë kanë okupuar mbarë vendin. Malësori shqiptar është i lidhur fort me pushkën dhe tradita e këtij vendi është lufta me çdokënd që u kërcënon atyre pavarësinë. Më shumë se në çdo kohë tjetër në historinë e këtij vendi të vogël, por që gjendet në një pozicion gjeografik strategjik, njerëzit e tij janë të bashkuar në kundërshti, tashmë jo mes tyre, por me ata që në të shkuarën janë konsideruar si armiqtë e tyre. Flakët e revoltës po ngrohen në qiejt shqiptarë. Trazirat kanë kohë që kanë shpërthyer, por vetëm pranverën e shkuar ato morën një formë të dhunshme. Në maj, tre studentë vranë Ali Beçin, shefin e policisë shqiptare, i vendosur në atë post nga italianët. Kjo ndodhi në Tiranë, në kryeqytetin e vendit.
Atentat ndaj Mustafa Krujës
Pak pas kësaj erdhi një përpjekje për atentat me bombë ndaj jetës së Kryeministrit Mustafa Kruja. Kjo përpjekje u ndoq nga një valë arrestimesh masive. Gazeta zyrtare “Tomorri” botoi disa dekrete të reja të cilat flisnin për dënime me vdekje të aktiviteteve më të vogla opozitare. Grupe prej më shumë se katër vetash u ndaluan të ecnin në rrugë. Por këto masa represive, bënë që të rritej edhe më shumë kundërshtia në popull. Vetëm pak kohë më parë, një grup vajzash të reja marshuan drejt burgut të Tiranës dhe kërkuan lirimin e të burgosurve politikë. Rojat e burgut vepruan me shpejtësi; si rezultat, 16 vajza u vranë dhe 25 u plagosën. U ngritën çeta të armatosura kundër terrorit fashist. U raportuan veprime luftarake guerile nga Shqipëria e Veriut në fillim në marsit të shkuar. Numri i çetave dhe aktiviteteve u rrit me shpejtësi: ato sulmonin rojat italiane, shpërthenin depo, grabitnin municione.
Tri grupet rebele aktive shqiptare
Sot, tri grupime rebelësh janë shumë aktivë në luftën ndaj pushtuesve të huaj, secili prej tyre i udhëhequr nga ish-oficerë të ushtrisë shqiptare. Njëri operon në veri, ku kolonel Muharrem Bajraktari ka marrë kontakt me çetnikët jugosllavë. Një tjetër, me major Abaz Kupin në krye, ka zgjedhur Shqipërinë e Mesme si fushë të veprimeve të veta. Fraksione të tjera në Jug, operojnë rreth Vlorës. Ato drejtohen nga kolonel Bilal Nivica, një ish-komandant i xhandarmërisë shqiptare. Ai mbështetet nga klanet epirote, të cilët mbajnë kontakt me çeta greke të mirarmatosura. Në këtë zinxhir të zonave guerile, që shtrihet nga Greqia gjatë gjithë vijës deri në Kroaci, Shqipëria përbën rajonin më vulnerabël dhe më sensitiv për Italinë. Qysh se fashistët italianë pushtuan Shqipërinë në të ‘Premten e zezë’ të 1939-s, pak është dëgjuar mbi zhvillimet në këtë vend, më romantikun dhe më të prapambeturin e Europës. Musolini e ka shndërruar atë në një bastion fashist, duke i dhënë asaj një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike ushtarake në betejat e pritshme të saj në Ballkan. Ushtria italiane ka linja të drejtpërdrejta e të shkëlqyera komunikimi me vendin amë, përmes Adriatikut. Një varg malesh e ndan kampin e saj ushtarak shqiptar nga Jugosllavia në veri dhe lindje, dhe nga Greqia në jug. Populli shqiptar, që numëron rreth një milion banorë — një milion të tjerë janë jashtë kufijve shtetërorë — është gjithashtu kundër okupatorit.
Në malet e thepisura të veriut e të lindjes jetojnë fise luftëtarësh, duke ndërtuar jetesën e tyre të varfër bazuar në aktivitetin baritor. Ultësira e Shqipërisë së Mesme është e populluar nga fshatarë të varfër dhe fermerë që menaxhojnë toka me qira. Ata, virtualisht janë bujkrobër të pronarëve të tyre të tokave, bejlerëve feudalë, të cilët e ushtronin pushtetin e tyre gjatë pushtimit turk. Por, pasi revolucioni xhonturk i vitit 1908 nxiti trazira në mbarë rajonin e Ballkanit, reforma agrare u kërkua edhe nga fshatarët më primitivë. Qysh prej Luftës Ballkanike, ata dhe tributë e malësorëve, kanë përbërë në shumë raste elementin revolucionar në Shqipëri. Musolini e dinte këtë. Pas pushtimit, ai u premtoi klaneve fisnore një lloj autonomie dhe fshatarëve reformën agrare të kërkuar prej kohësh. Ai dështoi t’i mbante premtimet e bëra.
Çiano dhe Jakomoni, pronarët e Shqipërisë
Fiset e malësorëve ranë në zgjedhën e garnizoneve pushtuese, ndërsa reforma agrare mbeti në letër. E vërtetë është se aty pati një lloj rindarje të tokës; por ajo nuk u dha në përfitim të fshatarëve. U dha për dy nga “kapot” më të mëdhenj të fashizmit, Konti Çiano, dhëndri i Musolinit dhe Jakomoni, guvernatori i Shqipërisë dhe bashkëshort i së bijës së Caballero-s, gjeneralit italian. Pak pas pushtimit, Çiano përzuri pronarët shqiptarë të puseve të naftës në jug, duke e ndarë plaçkën me Jakomonin. Këta të dy pra, gjithashtu përvetësuan edhe masa të mëdha drurësh të vlefshëm. Shqipëria po zhvatet nga klika e krerëve fashistë në një masë të tillë, sikur të ishte një koloni primitive. Shtresa e sipërme shqiptare, bejlerët feudalë, u shtynë në heshtje e u bënë inaktivë falë arrestimeve dhe kërcënimeve. Ata janë të gjithë të vetëdijshëm se thjesht firma e Çianos dhe e Jakomonit mund të urdhërojë një shpronësim të përgjithshëm të tokës, edhe kur ata mendojnë se kjo mund të shkojë në favor të tyre. Pjesa tjetër e popullsisë po rënkon nën çizmen fashiste. Drithërat po grumbullohen për ushtrinë italiane, mjetet e jetesës po konfiskohen, uria po ngërthen fshatrat e qytetet.
Kryengritja antifashiste, risia shqiptare
Një lëvizje e tillë kryengritëse kaq e madhe kombëtare është diçka e re në Shqipëri. Mes shqiptarëve (bijtë e shqipeve, siç u pëlqen atyre ta quajnë veten) ndjenja kombëtare ishte e fjetur para pushtimit. Edhe sot aty mungon ajo shtresa e mesme, e cila gjetkë, i ka dhënë hov ngritjes së fortë të ndërgjegjes politike. Eksporti ka qenë gjithmonë në nivele të ulëta. Në pjesën më të madhe, eksportet ishin të limituara në drithëra, pambuk dhe duhan. Deri në vitin 1940, ato kurrë nuk kalonin shifrën e 1,500,000 dollarëve në vit. Momentalisht, Shqipëria është një vend pa hekurudha, përveç një linje të shkurtër në jug. Durrësi dhe Vlora, dy portet më të mëdha në Adriatik, janë të kufizuara në kapacitete. Mjete të mëdha lundruese duhet të ankorohen shumë larg bregut. Ajo çka Shqipëria ka nevojë më shumë se gjithçka tjetër, janë rrugët dhe një menaxhim i përshtatshëm i tokës. Pesëdhjetë për qind e tokës së punueshme është lënë djerrë. Të tilla kushte nuk janë të përshtatshme as për zhvillimet e një klase të mesme modeste, e as me ato të një fshatarësie në zhvillim. Tributë malësore kanë prodhuar luftëtarë guerilë ndër shumë luftëra, shpesh si mercenarë për vende të tjera. Ata shfaqin pak interes rreth nacionalizmit shqiptar. Kurrë nuk e kanë njohur qeverinë qendrore të Tiranës. U kanë mbetur besnikë instinkteve të tyre tribale, duke kërkuarpërjashtime nga taksat e njohur gjakmarrjen si ligjin e tyre superior, duke i shkaktuar shumë kokëçarje xhandarmërisë së Mbretit Zog.
Njolla e zezë për malësorët shqiptarë
Shfaqet si një njollë në stadin e nacionalizmit shqiptar që këta tribu me qasje luftarake, nuk ngritën as edhe një gisht kur italianët pushtuan vendin. Madje, mirditorët, tribuja më e madhe në verilindje, çarmatosën në atë kohë edhe trupat zogiste që po tërhiqeshin. Ata nuk mund ta linin t’u ikte ky rast për të rinovuar armatimin e tyre e të mbushnin depot me municion. Malësorët më në veri bënë pak a shumë të njëjtën gjë. Nacionalizimi demokratik pas vitit 1918 ishte i kufizuar vetëm nëpër qytete. Por edhe atje slogani “Shqipëria e shqiptarëve”, për një kohë të gjatë kishte një jehonë të vakët, pasi në qytetet e vogla ishin vendosur një popullsi e përzier që konsistonte në serbë, shqiptarë, bullgarë dhe grekë. Të paktët mbështetës të nacionalizmit demokratik ishin një tufë tregtarësh, zyrtarësh dhe intelektualësh. Njëri prej të paktëve, të cilët mund t’i kenë dhënë një bazë më të gjerë aspiratave nacionaliste shqiptare pas Luftës së Parë Botërore ishte Peshkopi Fan Noli, Kryeministër i Shqipërisë dhe paraardhës i Ahmed Zogut. Synimet e tij politike konsistonin në liberalizimin e pronave, demokracisë, një reforme të përgjithshme agrare.
Bejlerët shqiptarë dhe “bolshevizmi” i Nolit
Por bejlerët feudalë mobilizuan të gjitha forcat kundër një “bolshevizmi” të tillë. Fan Noli u desh të merrte arratinë. Fuqitë e vjetra kundërrevolucionare penguan të gjitha rrugët drejt demokracisë dhe reformave. Situata ndryshoi radikalisht nën pushtimin italian. Bejlerët u privuan nga pushteti politik. Në fakt, shumë prej bijve të tyre po luftojnë sot krah rebelëve. Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, është krijuar një situatë në të cilën të gjitha fraksionet e popullsisë kanë një revoltë për të arritur pavarësinë e vendit të vet. Nacionalizmi po sjell një nacionalizëm revolucionar. Betejat e gueriljeve jugosllave në Malin e Zi fqinj përreth kufirit shqiptar, ngjajnë si një toksinë lirie. Kjo, madje ka frymëzuar edhe bashkëpunimin mes rebelëve shqiptarë dhe çetnikëve jugosllavë – një fakt domethënës ky, kur mban parasysh konfliktet e vjetra e të përgjakshme serbo-shqiptare, të nxitura me zell nga propaganda italiane. Ka pasur gjithmonë “incidente” kufitare mes dy vendeve. Shqiptarët nuk kanë harruar as se kur turqit u larguan nga Ballkani, serbët kërkuan dalje në Adriatik – duke përshkruar Shqipërinë e Veriut. Pas Luftës së Parë Botërore, politikanët grekë dhe jugosllavë shkuan edhe më larg, duke kërkuar ndarjen e Shqipërisë. Por vjeshtën e shkuar, qeveritë greke e jugosllave në ekzil, u deklaruan për një Lidhje Ballkanike. Kjo dhe urrejtja për armikun e përbashkët, duket se kanë pajtuar armiqtë tradicionalë.
Çfarë e rrit rezistencën në Shqipëri?
Dy faktorë mund ta rrisin rezistencën e Shqipërisë kundër fuqive të Boshtit. E para, sigurisht, është ndihma ushtarake, qoftë me anë të një invazioni aleat, ose nëpërmjet të njëjtave kanale me të cilat sot po ndihmohen forcat e gjeneralit Mihajlloviç. Por stimul edhe më i rëndësishëm në këtë aspekt mund të gjendet në sferën politike. Lufta politike që Kombet e Bashkuara tashmë po zhvillojnë në përpjekjet e tyre për të ngritur popujt e vendeve të pushtuara, duhet të drejtohet në këtë front. Një deklaratë zyrtare dhe e veçantë nga ana e Lidhjes së Kombeve që thekson organizimin e një Lige Ballkanike, në të cilën Shqipërisë i duhet siguruar pjesëmarrja me status të barabartë me fqinjët e saj, do të sillte një entuziazëm revolucionar në radhët e këtyre luftëtarëve. Për pesëdhjetë vjet, elementët socialistë dhe demokratë në Europën Juglindore, kanë bërë thirrje për një Lidhje të Kombeve Ballkanike. Kjo kërkesë është penguar nga interesat dinastike dhe intrigat e fuqive të mëdha. Por nuk është bërë aspak pjesë e shpresave të masave popullore. Tashmë është koha që t’u thuhet njerëzve të këtyre vendeve se aspiratat e tyre do të mund të përmbushen. Nëse Kombet e Bashkuara do të deklaronin qartazi se në riorganizimin e përgjithshëm të Pasluftës do të ngrihet një federatë në të cilën të garantohen të drejtat e minoriteteve që do të përballen me problemet ekonomike të shteteve të veçanta dhe të rajonit si i tërë, dhe që do të prodhojnë një trupë legjislative e ekzekutive përfaqësuese të çdo kombi, ky akt do të ishte shumë kontribuues për të bindur shqiptarët, ndër të tjerë kombe, se kontradiktat e moçme me vendet fqinje do të eliminoheshin dhe se ata, në fund të procesit do të gjenin bazën e shumëshpresuar të zhvillimit të ekzistencës së tyre nacionale. 200,000 burrat në moshë aktive për të mbajtur armë që janë të përgatitur për të vazhduar luftën ndaj forcave pushtuese të Aksit, duhet të arrihen prej aparatit të propagandës, që fatkeqësisht akoma nuk ekziston.
Shqipëria dhe Lidhja Ballkanike
Slogani “Autonomi e Shqipërisë brenda Lidhjes Ballkanike”, duhet të depërtojë në çdo fshat për të koordinuar forcat rebele në një komb të bashkuar rreth një qëllimi të njohur. Në këtë akt, SHBA duhet të marrin një vend të veçantë, pasi ato, madje edhe në fiset e prapambetura malësore në aspektin politik, gëzojnë prestigjin më të madh dhe besimin më të lartë. Unë kam një ilustrim të qartë të këtij përfytyrimi nga vjeshta e vitit 1932 kur unë isha, siç kisha qenë shpesh edhe më parë, një mik i maleve të thepisura të Alpeve Shqiptare. Ne ndodheshim nën shoqërinë e një dashi të pjekur, duke ndenjur ulur, rrethuar nga pushkët e xhandarëve të Zogut. Shishe me raki qarkullonin në sofër; xhandarët flisnin me entuziazëm për luftë ndaj Serbisë; dhe madje edhe malësorët jepnin dakordësinë e tyre për këtë. Unë e ndjeva frymëmarrjen helmuese të propagandës fashiste dhe u përpoqa t’u tregoja këtyre bijve të natyrës rreth terrorit të luftës moderne. “Aeroplanë bombardues do të fluturojnë mbi luginat tuaja dhe do të qëllojnë mbi bagëtitë tuaja”, i paralajmërova unë. Ata u bënë tok e më siguruan ndershmërisht se Amerika nuk do të lejonte kurrë, nuk do ta toleronte kurrë një masakër të tillë.
Për shqiptarët, Amerika një Perëndi
Për ta, Amerika ishte diçka që mbartte gjithçka të mirë e gjithçka të fuqishme – dhe kjo është e vërtetë sot më shumë se kurrë më parë. Pas Pearl Harbour-it, kur Mustafa Kruja bëri deklaratën se vendi i tij ishte në luftë me SHBA (i urdhëruar nga Roma), ka pasur demonstrata spontane pro-amerikane në disa qytete shqiptare. Nëse SHBA, duke folur në emër të Kombeve të Bashkuara, do të evokonin një Ligë Ballkanike me pjesëmarrjen e Shqipërisë, plani do të pranohej menjëherë nga populli. Do të mposhtte fërkimet shqiptaro-jugosllave, të cilat rrethanat tashmë i kanë bërë të mundura; do të bënte të mundur që i gjithë bregdeti Adriatik të bëhej miqësor ndaj invazionit të armëve aleate; dhe do të sillte në këtë front menjëherë mijëra trupa të Boshtit, të cilat Hitleri do të dëshironte t’i përdorte gjetkë.
Kush ishte autori?
Robert Groetsch (10.3.1882 – 6.3.1946) ishte një gazetar e shkrimtar gjerman i gjysmës së parë të shekullit ’20, i angazhuar herët në lëvizjet majtiste e socialdemokrate të kohës, duke provuar edhe emigracionin, ku edhe vdiq pas Luftës së Dytë Botërore në Nju Jork. Në vitin 1919, ai u bë kryeredaktori i “Dresdner Volkszeitung”, funksion të cilin ai e ushtroi deri në mbylljen e saj në vitin 1933, kur në fuqi erdhën nazistët dhe ai për shkak të përndjekjeve u desh të merrte arratinë e të shkonte në ekzil. Artikujt e vet ai i publikonte nën pseudonimin Bruno Brandy. Më 23.3.1938, atij së bashku me të shoqen iu hoq nënshtetësia gjermane dhe u zhvendos për në Paris ku drejtoi një organ socialdemokrat “Neuer Vorwärts”. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ai u deportua në një kamp përqendrimi francez. Lirohet dhe merr rrugën drejt Francës Jugore, para mbërritjes së trupave gjermane atje, ku takohet me të shoqen. Përshkon Pirenejtë, duke kaluar në Spanjë e Portugali më pas prej Lisbonës arrin në SHBA në janar 1941. Në Nju Jork punon si hidraulik, para se të bëhej bashkëpunëtor i gazetës së emigrantëve të majtë gjermanë “Neue Volkszeitung”. Por emri i tij lidhet edhe me një sërë veprash letrare, të cilat kanë një vlerë modeste në pikëpamje të përgjithshme, por vlerësohen pozitivisht në rrethet e kritikëve të kohës që jetoi.