Bare, linja e drogës
Hetuesit e antimafies së Torinos, të ndihmuar nga Shërbimi Sekret Ushtarak i Italisë (SISMI) kanë mbledhur të dhëna se kreu i këtij rrjeti, i cili merrej me trafikun e heroinës dhe kokainës nga Turqia në Itali është Alfred Shkurti, i njohur dhe si Aldo Bare. Ky i fundit, sipas hetimeve italiane, ka pasur si garanci për trafikun ndërkombëtar të drogës edhe disa politikanë. Mësohet se për zbardhjen e këtij rrjeti ka bashkëpunuar nën statusin e "të penduarit" edhe Dondollaku. Sipas antimafies torineze, provat në dosjen ndaj 40 anëtarëve të bandës së Aldo Bares, që i është deleguar gjykatës, janë grumbulluar nga përgjimet telefonike. Prej tyre, është kuptuar ekzistenca, në shumë rajone të veriut (Itali), në veçanti në Piemonte, e një grupi shqiptarësh, të cilët fusnin në treg heroinë dhe kokainë. Sipas të dhënave, grupi i referohej një bande të rrezikshme të krijuar në Shqipëri, kreu i së cilës, është arrestuar në Turqi dhe për të cilin kanë kërkuar ekstradimin. Mësohet se edhe shërbimi sekret maqedonas ka realizuar hetime për aktivitetin kriminal të Bandës së Lushnjës në Maqedoni, nga ku ka dyshime se Aldo Bare dhe Lulzim Berisha, kanë bashkëpunuar për trafikun e drogës.
Dosja italiane
Shërbimi sekret italian, SISMI, ka hetuar organizatën e Aldo Bares në Turqi. Madje, nga përgjimet e realizuara në Turqi ka arritur të sigurojë prova se Alfred Shkurti (Aldo Bare) organizonte shumë shpesh mbledhje në Turqi, me bashkëpunëtorët e tij. Kjo bëhej për të vendosur strategjitë më të mira, për trafikun e drogës në drejtim të Italisë. Një nga vështirësitë e hetimit në Itali ishte se Bare nuk ka qenë kurrë në Itali dhe në lojë është futur Shërbimi Sekret Italian. Sipas italianëve, në disa raste Aldo Bare ka ndërhyrë në Shqipëri, ku ka ndërmarrë aksione për të "eliminuar" personazhe të pakëndshme ose konkurrentë. Hetimi është realizuar gjithashtu nga seksioni i antidrogës dhe nga ndihma e Drejtorisë Sekrete Militare, të cilat kanë shërbyer për të lokalizuar informacione, edhe në nivel internacional, në shtete ku gjendeshin shumë bashkëpunëtorë të organizatës. Shkurti, sipas dosjes së antimafies torineze, akuzohet se është shef i Bandës së Lushnjës dhe ka arritur të kushtëzojë edhe disa ambiente institucionale shqiptare, falë edhe kontaktit me persona nga bota e politikës.
Ekstradimet e dështuara
Enver Dondollaku
Krahu i djathtë i Aldo Bares është dënuar me 16 vjet burg në Itali. Nuk ka pranuar të ekstradohet në Shqipëri
Altin Arapi
Anëtari i organizatës kriminale "Hakmarrja për drejtësi" ka fituar statusin e azilantit politik në Belgjikë
Orik Shyti
Një tjetër anëtar i organizatës "Hakmarrja...", megjithëse i dënuar në Shqipëri, ka fituar azilin në Zvicër
Leart Shyti
Edhe vëllai i Orik Shytit ka fituar statusin e azilantit në Zvicër, falë edhe deklaratave të politikës shqiptare
Izet Haxhia
Drejtësia shqiptare nuk ka mund ta sjellë në Shqipëri, megjithëse është i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Azem Hajdarit
Hamdi Haklaj
Ka fituar statusin e azilantit në Suedi, duke përdorur deklaratat e politikës shqiptare, të cilët e akuzonin për disa krime
Prençi i kërkoi homologut turk ekstradimin e Aldo Bares
Kreu i policisë shqiptare, në dy takime zyrtare, i ka kërkuar homologut turk ekstradimin e Aldo Bares. "Drejtori i Përgjithshëm përmendi si bashkëpunimin më të mirë ndërmjet dy policive arrestimin e Alfred Shkurtit (Aldo Bares), i akuzuar për disa vepra penale në Shqipëri", thuhej zyrtarisht në njoftimin e Policisë së Shtetit disa muaj më parë. Nga të dhënat mësohet se më tej Prençi ka marrë informacion më të detajuar në lidhje me çështjen e ekstradimit të tij. Për më tepër, Ministria e Brendshme, shpeshherë ka kërkuar me ngulm ekstradimin e Bares në Shqipëri. Ndërkohë, veç këtij problemi, dy krerët e policisë kanë diskutuar edhe mbi ekstradimin e personave të tjerë, siç është edhe Izet Haxhia. Prençi i propozoi drejtorit të Policisë së Stambollit se, duke qenë se Stambolli është një metropol dhe është një urë lidhëse ndërmjet Azisë dhe Evropës, të bëhet dhe krijimi i një lidhjeje on line ndërmjet dy policive, e cila do të bënte të mundur një luftë më të mirë dhe të shpejtë ndaj krimit të organizuar.
Frika e numrit dy të Bandës së Lushnjës për ardhjen në Shqipëri
Dondollaku: Policia shqiptare donte të më vriste
Enver Dondollaku, numri dy i Bandës së Lushnjës, ka akuzuar policinë shqiptare se do ta vriste. Gjatë dëshmisë para tre prokurorëve shqiptarë, Dondollaku ka deklaruar se "forca të policisë po punonin për vrasjen time". Më tej ka vijuar se kishte mësuar se elementë të caktuar kishin paguar forcat blu për ekzekutimin. Gjatë gjithë dëshmisë, Dondollaku ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj akuzave që e lidhin me Bandën e Lushnjës, duke pohuar se akuzat ndaj personit të tij janë false. Me përgjigje të shkurtra, Dondollaku u është përgjigjur pyetjeve për lidhje të mundshme me Aldo Baren. Ka mohuar në mënyrë kategorike lidhjet me këtë person, por thotë se ai (Aldo Bare) mund t‘i ketë kryer krimet që prokuroria ka dërguar për gjykim në gjykatë. Në këtë mënyrë, drejtësia shqiptare ka siguruar edhe një dëshmi tjetër që "fundos" kreun e një prej organizatave kriminale më të fuqishme në vend. Gjatë dëshmisë, anëtari i Bandës së Lushnjës, i arrestuar në Itali dhe i dënuar me 16 vjet burg, ia ka hedhur të gjitha akuzat Aldo Bares, ndërsa shpreson se drejtësia shqiptare nuk ka asnjë provë kundra tij.
Dondollaku ka deklaruar se në Itali ka pranuar akuzën e "shpërndarjes së lëndës narkotike", por nuk është dakord me masën e dënimit. Sipas tij, drejtësia italiane i ka dhënë maksimumin e dënimit që përmban Kodi Penal italian. Më pas tha se çështjen do ta kalojë në Gjykatën e Apelit, duke e pranuar akuzën, por shpreson për ndonjë ulje të mundshme, pasi akuzohet vetëm për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe jo për trafikim.