Alarmi kredite po arratisen ne vendet e rajonit

Alarmi, kredite po 'arratisen' ne vendet e rajonit

Nisur nga shifrat jo fort të favorshme ekonomike për vendin tonë, sa i përket kreditimit të biznesit vendas, po ashtu edhe treguesit e Bankës Botërore në raportin e “Doing Bussiness”, Shqipëria ka zbritur me dhjetëra vende, duke vështirësuar klimën e besimit, por edhe duke ndryshuar destinacionin  e parave për investime. Eksperti i ekonomisë , Arjan Kadareja bën një analizë për situatën ekonomike në vend përballë politikës konservatore që po ndjekin bankat e mëdha evropiane.

Kredia dhe betejat

Të dhëna të muajit të fundit nga Banka e Shqipërisë thonë se kredia e dhënë nga bankat shqiptare për bizneset që veprojnë në vendet fqinje është rritur me rreth 28 miliardë lekë brënda harkut kohor të një viti. Ky zhvillim i shtohet situatës aktuale problematike ku kredia për bizneset që veprojnë brenda vendit është në zbaticë të plotë dhe kur fonde të konsiderueshme të bankave shqiptare ka kohë që “flenë” në bankat e huaja kryesisht në formë depozitash apo në formë investimesh në letra me vlerë të qeverive të eurozonës. Nuk duhet harruar se Shqipëria është një vend në zhvillim që do të thotë se edhe në kushte normale paratë që kursen e investon nuk i mjaftojnë për të kapur potencialin e rritjes, dmth. nevojiten edhe paratë e investimet e të huajve. Por, faktet e fundit tregojnë se u dashka konkuruar me fqinjët jo vetëm për paratë e investimet e të huajve por edhe për ... tonat!

Raport i paleverdishëm kthim-rrezik

Paratë që “flenë” janë konsideruar si një tregues që bankat shqiptare nuk duan të marrin rrezik në situatën aktuale dhe kjo mund të justifikohet nga rreziku i lartë, rritja ekonomike nën potencial, si edhe stoku i lartë i kredive me probleme. Por, rritja e kredisë dhënë bizneseve që veprojnë në vendet fqinje është një sinjal i keq që tregon se bankave shqiptare ka filluar t’u shtohet oreksi për rrezik, por për në vendet fqinje dhe jo në Shqipëri. Kjo gjendje shpjegohet me rritjen e ulët ekonomike e tkurrjen e konsumit që ndikojnë për keq aftësinë paguese të bizneseve shqiptare dhe individëve, si edhe me cilësinë e ulët të mjaft kredive të dhëna nga sistemi bankar në të kaluarën.

Elementi i parë shpjegues na jep një ide mbi kthimin aktual të kredive, kurse i dyti i materializuar në formën e stokut të kredive me probleme mat “ex post” rrezikun e kreditimit. Pra, edhe kthimi aktual ka rënë, në atë masë që rritja ekonomike vazhdon të jetë nën potencialin, por edhe rreziku i perceptuar është shtuar në masën që kreditë me probleme ndaj totalit përdoren nga bankat për vlerësimin e rrezikut të kredive të reja. Për hir të së vërtetës duhet thënë se edhe për vende të tjera të rajonit rritja ekonomike është zbehur, por kredia me probleme është mjaft më e ulët se në Shqipëri. Kjo ka sjellë atë që raporti kthim-rrezik i kredive të reja bankare të jetë më i favorshëm në vendet fqinje se në vendin tonë. Një konfirmim i trishtuar i sa më sipër vjen nga klasifikimi i fundit i Bankës Botërore mbi lehtësinë e të bërit biznes, ku Shqipëria (në vendin e 97-ë) qëndron mjaft më poshtë ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (e 12-a) dhe vendeve të tjera të rajonit. Përderisa të bësh biznes është mjaft më e lehtë në vendet fqinje nuk duhet të na çudisë shumë fakti që një pjesë e kredive të bankave shqiptare del jashtë Shqipërisë.

Tërheqje e bankave globale

Faktet e mësipërme duhen parë edhe në kontekstin e periudhës që po kalojmë. Vendet në zhvillim, ku hyjmë edhe ne me vendet e rajonit, ka vite që luftojnë për fonde dhe investime me origjinë kryesisht nga vendet e zhvilluara. Por, pas krizës globale e asaj të eurozonës, kjo betejë po ashpërsohet më shumë sepse po luftohet për më pak fonde në kushtet kur bankat e mëdha dhe ato globale po bëhen më konservative dhe po shkurtojnë aktivitetin e kapitalin e investuar në vendet në zhvillim, gjë që u theksua edhe në Konferencën e fundit të Bankës së Shqipërisë nga Z. Charles Enoch i FMN-së. Pra, në kushtet kur kapitali me origjinë jashtë rajonit po pakësohet duket se beteja mes vendeve të Ballkanit po synon edhe fonde me origjinë nga vetë rajoni dhe humbja jonë e parë në këtë ndeshje të re është rritja e kreditimit të subjekteve të vendeve fqinje me fonde shqiptare.

Integrimi në Bashkimin Evropian

Kjo betejë për fondet e veta, mendoj se do të ashpërsohet më tej në të ardhmen. Mjafton të thuhet se integrimi i plotë në Bashkimin Evropian (BE) do të rrafshojë edhe barrierat e fundit ndaj të bërit biznes mes vendeve të rajonit. Atëherë lind pyetja: Përderisa në Ballkan nuk do të ketë kufij ndaj të bërit biznes, pse duhet të ketë pengesa ndaj të bërit banking? Përgjigja është e qartë, nuk do të ketë. Pra, bankat e vendeve të rajonit, që për më tepër kanë (banka) motra e mëma brenda e jashtë rajonit, do të marrin depozita në një vend dhe fare mirë, sipas leverdisë, mund të financojnë qeveritë apo bizneset e vendeve të tjera. Me fjalë të tjera, bizneset, individët apo vetë qeveria e një vendi duhet të jenë më konkurrues sepse nuk do ta kenë më ekskluzivitetin e financimit nga fondet e vendit të tyre. Që të kuptohemi, në kuadrin e Bashkimit Evropian integrimi i plotë i të bërit biznes dhe banking nuk do të jetë i plotë dhe i menjëhershëm.

Sot, edhe për vetë vendet e Bashkimit Evropian sidomos ndaj të bërit banking ka fragmentarizëm sipas kufijve nacionalë dhe kjo gjendje nuk ka gjasa të ndryshojë shpejt. Por, në kushtet e një diference të theksuar mes vendeve për sa i përket raportit rrezik-kthim të investimeve, fragmentarizmi nuk e pengon dot lëvizjen e fondeve nga vendi me raport të paleverdishëm drejt atij me raport më tërheqës. Me fjalë të thjeshta kur Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM) të hyjnë në Bashkimin Evropian, kufijtë nacionalë nuk do t’i pengojnë dot fondet shqiptare të kreditojnë biznese në IRJM, nëse në kushtet e të bërit biznes ne vazhdojmë të jemi dobët. Vini re se kjo gjë po ndodh edhe pa hyrë në BE! Për më tepër, aktiviteti financiar transrajonal do të lehtësohet shumë edhe nga fakti se eventualisht monedha e rajonit do të jetë ajo e përbashkët, bile që sot euro është monedhë mjaft e përdorshme në të gjithë rajonin. Duhet thënë se ky aktivitet do të sillte humbje për ekonomitë nga dalin fondet. Humbjet do të ishin në terma të kreditimit, punësimit dhe rritjes ekonomike. Por do të kishte edhe përfitime relative për depozituesit e bankave. Kjo sepse ata do të përfitonin nga investimi i parave të tyre në borxhin e asaj qeverie apo në atë biznes e individ ku raporti kthim-rrezik është më me leverdi, pavarësisht shtetit ku kryhet investimi.

Përfundime

Faktet e reja dhe zhvillimet e fundit sugjerojnë se përveç luftës për fonde globale vendet në zhvillim, ku hyjnë edhe vendet e rajonit e Shqipëria, po angazhohen në betejën e re për fondet e tyre. Kjo betejë ka gjasa të ashpërsohet më tej në të ardhmen, sidomos në rajonin tonë e sidomos për shkak të integrimit të mëtejshëm në Bashkimin Evropian.

BSH:

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, i cili analizon prirjet e kreditimit në vendet e Evropës Qendorore e  Juglindore, thuajse i gjithë rajoni po përballet me rritje anemike të kredisë. Disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, janë duke përjetuar rënie të këtij treguesi. Situata e Shqipërisë rezulton problematike veçanërisht te kredia e biznesit. Më konkretisht, nëse në vendet e Evropës Qendrore, kredia për biznese ishte rritur në gusht, mesatarisht 5 për qind, krahasuar me gushtin e një viti më parë, në Shqipëri ajo ka rënë me gati 8 për qind. Për t’i bërë të krahasueshme, BSH i ka llogaritur këto shifra në vlera reale, që do të thotë se i ka zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit dhe ai i inflacionit respektiv sipas vendeve.

Kredia është në rënie edhe për gjithë Ballkanin, ndonëse rënia mesatare për vendet e rajonit është më e vogël se sa ajo e Shqipërisë. E krahasuar për çdo vend specifik, Shqipëria rezulton në grupin e tre vendeve me rënien më të madhe të kredisë për biznesin gjatë këtij viti, duke lënë pas vetëm Bullgarinë edhe Serbinë.  Në të gjitha ekonomitë e tjera si Maqedonia, Çekia, Polonia apo Rumania, ecuria e kredisë ka qenë më pozitive. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për bizneset në vend po bie si për dy shkaqe.  Së pari, vetë ndërmarrjet të diktuara nga pasiguria kanë ulur kërkesën për financime. Por nga ana tjetër, shkaku i dytë është ai i ofertës së shtrënguar nga bankat private, të cilat sipas BSH po ndjekin një politikë selektive duke dhënë financime vetëm për një kategori biznesesh me risk të ulët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama