Alarmante 40 e nxenesve te fillores ne nivele analfabetizmi

Alarmante, 40% e nxenesve te fillores ne nivele analfabetizmi

Nje test i fundit i AKP-se ne shkollat 9-vjeçare te vendit ka nxjerre ne pah mangesite e medha qe kane nxenesit e ketyre shkollave ne lendet dituri natyre, gjuhe shqipe dhe matematike.

Agjencia kombëtare e Provimeve (AKP) nëpërmjet një provimi të bërë në klasat e 3 dhe të 5 ka nxjerrë rezultatet për nivelin e njohurive në këto lëndë, të cilat janë shqetësuese.

Në testin e bërë në klasën e 3-të

24.11% e nxënësve nuk kanë shkruar përgjigje për pyetjen e bërë, e në rast se kanë tentuar kanë qenë të paqartë për të marrë qoftë dhe një pikë të vetme në këtë provim.

31.17% e nxënësve kanë marrë vetëm 1 pikë por dhe përgjigjja në lëndën e gjuhës shqipe ka qenë me gabime drejtshkrimore.

Në testin e klasës së 5-të

45% e nxënësve në matematikë nuk dinë të shkruajnë numërorët, aq më tepër të zgjidhin ekuacionet.

Rreth 30% e tyre nuk dinë të veprojnë fare në zgjidhjen e problemeve në matematikë dhe vetëm 17% e tyre ia përgjigjur saktë.

Drejtorja e AKP-së, Rezana Vrapi, në një intervistë për televizionin “Ora Neës” tha se kjo ishte një diagnozë për të parë gjendjen e kurrikulave dhe të njohurive.

“Punohet pak në drejtimin e të lexuarit e të të shkruarit. Nuk i kushtohet rëndësi anës gramatikore. Një nga defektet e teksteve alternative është se u japin nxënësve njohuritë gramatikore krejtësisht të shkëputura. Nga ana tjetër mësuesit shumë të varur nga teksti mbështesin mësimdhënien në këto tekste”, tha Vrapi.

Është teksti kaq i vështirë apo studiojnë pak nxënësit në ditët e sotme?

Kjo është pyetja që i drejtuam nxënësve të klasave të 5-ta në Tiranë dhe ata përgjigjen se tekstet janë të vështira.

Projekti pilot i Agjencisë Kombëtare të Provimeve është aplikuar në shkollat 9-vjeçare shtetërore të të gjithë vendit. AKP-ja do të realizojë testimin edhe përgjatë 2015 për të bërë një krahasim me rezultatet e lëna pas.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama