Aksidenti tragjik 5 milione leke per cdo viktime nga sigurimi

Aksidenti tragjik, 5 milione leke per çdo viktime nga sigurimi
Tiranë Aksidenti tragjik i Himarës ku humbën jetën 13 persona, rihap debatin e sigurimit të automjeteve. Ndryshe nga raste të tjera të ngjashme, ku automjetet nuk kanë qenë të siguruara, vlera e policës së sigurimit për këtë aksident arrin shifrën e 1.5 milion dollarëve. Zyrtarë të kompanisë së sigurimit pohuan dje për mediat se kjo shifër përfshin të gjithë personat që ndodheshin në autobus për ekspeditën e vdekjes, përveç shoferit të autobusit, Pëllumb Çela, i cili humbi jetën bashkë me 11 studente dhe të fejuarin e njërës prej tyre. Shuma prej 150 milionë lekësh të reja ose 1.5 milionë dollarë, sipas drejtuesve të kompanisë ku ishte siguruar autobusi në pronësi të agjencisë “Llixha 2001”, do të përfitohet nga familjarët e viktimave, por edhe nga personat e plagosur, për të gjitha shpenzimet spitalore, kurimin e tyre, si edhe në rastet e invaliditetit. Autobusi me targë EL 2274 B në pronësi të agjencisë së udhëtimit “Llixha 2001” ishte i siguruar për palët e treta pranë kompanisë së sigurimit SIGMA.

Sipas nëndrejtorit të kësaj kompanie sigurimesh, Lavdi Avllaj, siguracionin e përfitojnë familjarët e 12 viktimave të aksidentit, si dhe të plagosurit për mbulimin e shpenzimeve të kurimit, por nuk përfiton drejtuesi i mjetit, pasi siguracioni përfshin palët e treta dhe jo shoferin apo vetë autobusin. “Vlera e dëmshpërblimit në rast vdekjeje shkon nga 4 milionë deri në 5 milionë lekë të reja. Do të përfitojnë të plagosurit, të gjitha shpenzimet spitalore si dhe masën e paaftësisë në bazë të nivelit të paaftësisë që do të përcaktojë një komision i posaçëm. Këto do të shqyrtohen në grup, pasi nuk duhet të mbetet asnjë pa u dëmshpërblyer dhe kjo shumë përpjesëtohet”, – tha Avllaj. Sipas tij, në ndarjen e përfitimeve nga polica e sigurimit për të plagosurit,  prioritet u jepet shpenzimeve spitalore dhe më pas bëhen dëmshpërblimet për familjarët e viktimave të aksidentit. Procedurat e dëmshpërblimit priten të nisin vetëm pas një vendimi të prokurorisë mbi fajtorin dhe shkaqet e aksidentit.

“I vetmi që nuk përfiton, prandaj është përgjegjësia ndaj palëve të treta, është drejtuesi i mjetit. Në këtë rast, drejtuesi i mjetit dhe vetë mjeti nuk përfitojnë, vetëm nëse kanë pasur policë tjetër, sigurim vullnetar”, – thotë nëndrejtori i kompanisë së sigurimit. Lidhur me shumën e parave që do të paguajë kompania e sigurimit, nëndrejtori sqaron se SIGMA është pjesë e “Vienna Insurance Group” dhe është vetë e risiguruar për këto lloj dëmesh. Për këtë arsye, 10 për qind e vlerës së dëmit të shkaktuar do të paguhet nga vetë kompania shqiptare dhe 90 për qind nga qendra e kompanisë në Vjenë të Austrisë.

“Polica e sigurimit të këtij automjeti që ndodhi kjo fatkeqësi është e kompanisë sonë, SIGMA. Limiti i përgjegjësisë, sipas ligjit të sigurimit të detyrueshëm, për përgjegjësinë ndaj palëve të treta për një automjet të këtij niveli, autobus, është 150 milionë lekë të reja ose rreth 1 milion e gjysmë dollarë”, – shprehet Avllaj. Nëndrejtori i kompanisë qartëson se prioritet në këtë lloj sigurimi ka shëndeti. Sipas tij, kompania do të mbulojë edhe shpenzimet për kurimin jashtë vendit për vajzat që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Këshillohen të gjithë personat dhe familjarët e prekur nga ky aksident që të paraqiten drejtpërdrejt në zyrat e kompanisë, për të përfituar dëmshpërblimin. Sipas Avllajt, kjo duhet bërë për të shmangur abuzimet me palët e treta, siç mund të jenë avokatët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama