Aksidentet MB Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor policet 100 ne detyre

Aksidentet, MB: Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor, policet 100% ne detyre

Zbatimi i përpiktë i rregullave të qarkullimit rrugor dhe kujdesi në rrugë janë faktorët që mund të shmangin rreziqet gjatë udhëtimit dhe të mbrojnë jetën. Ky është apeli i Ministrisë së Punëve të Brendshme për drejtuesit e automjeteve, në kulmin e sezonit turistik, që përbën një periudhë "të nxehtë" aksidentesh.

Në një njoftim të MPB-së theksohet se Policia e Shtetit po ndjek me seriozitet zbatimin e planit të masave, me qëllim garantimin e jetës dhe shëndetit dhe mbrojtjen nga aksidentet rrugore.

"Efektivi i Policisë së Shtetit është 100% në detyrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, ndërkohë që siguria e jetës nis nga përgjegjshmëria e çdo qytetari për të zbatuar rigorozisht rregullat e qarkullimit rrugor. Policia e Shtetit do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës me shërbime të përforcuara, për të ndëshkuar çdo shkelës të ligjit e për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në çdo moment”, theksohet në njoftimin e MPB-së.

Po ashtu, MPB thotë se sezoni turistik ka sjellë një shtim shumë të madh të fluksit të lëvizjes në akset rrugore kombëtare, por edhe urbane.

"Ardhja shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendet e tjera apo edhe i një numri të lartë turistësh të huaj ka bërë që numri i automjeteve në rrugë të jetë shumë herë më i lartë. Vetëm gjatë periudhës 1 qershor – 10 gusht në pikat e Kalimit Kufitar kanë hyrë dhe dalë në territorin shqiptar 1.089.604 automjete”, theksohet në njoftimin e ministrisë.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët të kontribuojnë për sigurinë e përbashkët, duke sinjalizuar e denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor.

Reagimi i Ministrisë së Brendshme vjen në një kohë kur opozita po akuzon qeverinë dhe Policinë e Shtetit për papërgjegjshmëri në lidhje me trajtimin e aksidenteve. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama