Akademia e Filmit Europian stacion ne Prizren

Akademia e Filmit Europian, stacion ne Prizren

Organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të shkurtër DokuFest kanë prezantuar në Prizren programin “SHORT MATTERS 2015”, turneu i Akademisë së Filmit Evropian i cili do të sjellë filmat më të mirë të shkurtër në “edicionin e këtij viti që do të zhvillohet nga data 8-16 gusht.

 

“Short Matters 2015” do të sjellë gjatë javës së festivalit të filmit “DokuFEst” në Prizren më të mirë me metrazh të shkurtër që janë nominuar për Çmimin Europian të Filmit. Ky program  përfshin dokumentarë, fiksion, filma eksperimental dhe të animuar në një panoramë të filmbërësve evropianë bashkëkohorë. Është hera e tretë që programi “Short Matters” prezantohet në DokuFest.

Iniciativa e filmave të shkurtër EFA organizohet në bashkëpunim me disa festivale të filmit në Evropë. Gjatë muajit korrik ato do të jenë në turne në Portugali, Izrael, Serbi e Kroaci.

Në secilin nga këto festivale, një juri e pavarur nominon një prej filmave të shkurtër në konkurrencë për kategorinë e filmave të shkurtër të Akademisë së Filmit Evropian.

Programi përfshin filmat si “Daily Bread” ( buka e përditshme) nga Idan Hubel (Izrael), “Dinola” nga Mariam Khatchvani (Gjeorgji), “The missing scarf” ( shalli që mungon) nga Eoin Duffy (Irlandë) “Shopwreck” ( mbytja e anijes) nga Morgan Knibbe (Holandë), “Little block of cement with disheveled hair containing the sea” (Blloku i vogël i çimentos me flokë të shprishura që përmbante deti) nga Jorge Lopez Navarrete (Spanjë), “Still got lives” ( Ende ka jetë) nga Jan-Gerrit Seyler (Gjermani), “Pride” ( Krenaria) nga Pavel Vesnakov (Bullgari/Gjermani), “Summer 2014” ( Verë 2014) nga Wojciech Sobczyk (Poloni), “The Chicken” ( Pula) nga Una Gunjak (Gjermani/Kroaci), “The chimera of M” ( Kimera e M-së) nga Sebastian Buerkner (Britani e Madhe), “Wall” (Muri) nga Simon Szabó (Hungari), “Taprobana” nga Gabriel Abrantes (Portugali/Sri Lanka/Danimarkë), “emergency calls” ( thirrjet e urgjencës) nga Hannes Vartiainen & Pekka Veikkolainen (Finlandë), “Whale valley” (Lugina e balenës) nga Guðmundur Arnar Guðmundsson (Danimarkë/Islandë).

DokuFest gjithashtu ka hapur thirrjen e aplikimit për workshop-in Kino Prizren, i cili do të mbahet më 9 -13 gusht në Prizren. Thirrja për aplikim është e hapur për pjesëmarrësit nga të gjitha kualifikimet, aftësitë dhe përvojat: regjisorë, skenaristë, kameramanë, aktorë, mjeshtër zëri dhe ndriçimi, montazherë, muzicientë, make-up artistë, kostumografë dhe entuziastë të filmit.

Filmbërësit e përzgjedhur do të ftohen në Prizren gjatë festivalit DokuFest për të organizuar ekipin dhe për të shkruar, xhiruar, edituar dhe për të shfaqur filmat e tyre. Filmat e përfunduar shfaqen gjatë edicionit të sivjetmë të festivalit. Afati për aplikim është deri më 10 korrik dhe pagesa për pjesëmarrje është 50 euro

Kino Prizreni është një eveniment jogarues i filmbërjes, në të cilin pjesëmarrësit nga e gjithë bota grumbullohen për të bërë filma në kohë shumë të shkurtër dhe pa buxhet, por me shumë pasion.

 

Ky edicion i katërmbëdhjetë i “Dokufest” në Prizren do të ketë një homazh për kineastin amerikan Albert Maysles. Gjashtë filma dokumentarë të filmbërësit të ndjerë amerikan Albert Maysles do të zënë vend në ekranin e madh.

Maysles, i cili vdiq në fillim të këtij viti në moshën 88-vjeçare, prapa vetes la një bagazh të madh me krijime filmike. Për të nderuar kontributin e tij në botën e filmit, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka shpallur programin homazh në kujtim të Maysles, që, siç e ka përshkruar “DokuFesti” në komunikatën që ka dërguar të enjten, “vinte nga linja e gjatë e filmbërësve në kërkim të së vërtetës, i cili ishte inspirim për shumë të tjerë që erdhën pas tij”.Programi përfshin shfaqjen e filmave si ai që shfaq historinë qesharake dhe të sinqertë e mbërritjes së “Beatles” në Amerikë në shkurt të vitit 1964 me titullin “What’s Happening! The Beatles in the USA”. Më pas vjen dokumentari historik i koncertit tragjik të “Rolling Stones” në Altamont Speedway më 6 dhjetor, 1969 “Gimme Shelter”. Do të shfaqet edhe historia e jashtëzakonshme, por e vërtetë e Edith Bouvier Beale dhe vajzës së saj Edie, halla dhe kushërira e Jacqueline Kennedy Onassis, “Grey Gardens”.

“Concert of the Wills: Making the Getty Center”, është një tjetër film, i cili flet për konceptimin, konstruktimin dhe kompletimin e “Getty Center”. Nuk mungon edhe dokumentari për një udhëtim në Empire Builder, rrugën e trenit më të ngarkuar në Amerikë, që depërton në zemrat dhe mendjet e udhëtarëve të përditshëm, i cili quhet “In Transit”, si dhe filmi “Iris”, portreti i një femre entuziaste për modën, artin dhe njerëzit që përkujton se veshja, dhe jeta, janë asgjë më shumë sesa një eksperiment. Filmi “In Transit” po ashtu shfaqet si pjesë e garës ndërkombëtare të dokumentarëve.“Kurioz dhe bujar, një mësues dhe mentor, një filmbërës i cili ka revolucionarizuar filmin dokumentar dhe ka inspiruar një gjeneratë të filmbërësve”, citohet të ketë thënë për Maylses, drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari.Albert Maysles është njëri ndër artistët më të rëndësishëm të filmave dokumentarë modernë. Bashkë me vëllanë e tij David, ata janë të njohur si pionierët e kinemasë “direct”, versionin amerikan të “cinema veritésë” franceze. Ata fituan reputacionin e tyre të shquar duke qenë të parët që xhiruan filma të gjatë jofiktivë – filma ku drama e jetës njerëzore shpaloset ashtu siç është: pa skenar dhe pa narracion.

Programi i plotë i Edicionit të 14-të të “DokuFestit” që do të mbahet prej 8 deri më 16 gusht, pritet të bëhet publik më 18 korrik.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama