Aida e Verdit

Aida e Verdit

E madhërishmja si një dukuri estetike u shpreh te kjo vepër në shumë aspekte si: pjesëmarrja masive në skenë, skenat madhështore me simbolikën e universit të qytetërimit të lashtë egjiptian, dimensionet artistike që shprehen në tingëllimet e fuqishme dhe triumfale të korit. Ishin këto disa nga cilësitë që e veçojnë këtë vepër në nivelet më të larta të operistikës botërore. Ekzekutimi i Aidës shënon një kulm, për sa i përket nivelit të interpretimit dhe aftësive tekniko-profesionale të artistëve të TKOB. Opera u vu në skenë nga artistët e këtij teatri në bashkëpunim me interpretët: tenorin Cristiano Olivieri (Itali), baritonin Felice Tenneriello (Itali), bass-in bullgar Nikolay Bikov dhe bass-in rumun Octavian Vlaicu, në drejtimin e dirigjentit italian Alessandro d‘Agostini, me skenografi të Genc Shkodranit, me dirigjentë kori Dritan Lumshi dhe Altin Buli, kormaestër Suzana Turku Kashara dhe me regji të Nikolin Gurakuqi. Opera bazohet në një legjendë Egjiptiane.

Subjekti

Aida, vajza e mbretit etiopas Amonasro është zënë rob. E kthyer në robinjë, ajo shërben në pallatin e Memfisit, tek e bija e faraonit, Amneris. Dashuria e Radamesit për Aidën zgjon xhelozinë e Amnerisit; nga ana tjetër Aida, që ka të njëjtën ndjenjë për Radamesin vuan se e quan dashurinë për të tradhti ndaj atdheut. I kapur rob në një nga luftimet, babai i Aidës, Amonasro, e urdhëron Aidën të shfrytëzojë dashurinë e Radamesit për të mësuar prej tij nga të arratisen bashkatdhetarët e zënë rob. Xhelozia e shtyn Amnerisin të përgjojë takimin e Aidës me Radamesin, të cilin e padit te kryeprifti për tradhti ndaj Atdheut. I dënuar me vdekje, Radamesi varroset i gjallë. Në varrin e tij futet fshehurazi edhe Aida, e cila ndan me të dashurinë dhe fatin tragjik të kësaj dashurie.

Preludi

Preludi që bazohet në dy tema, të cilat përbëjnë dhe bazën e konfliktit dramaturgjik të veprës, u ekzekutua me mjeshtëri nga orkestra. Lajtmotivi i Aidës, ekzekutuar nga violinat tingëlloi lirik, por me një lirizëm që shpreh në të njëjtën kohë dhe fatin tragjik të heroinës. Në kontrast me lajtmotivin e Aidës, tingëlloi lajtmotivi i dytë në h-moll i zymtë, kërcënues, që zhvillohet në formën e fugatos.

Akti I

Interpretimi i tenorit Cristiano Olivieri në rolin e Radamesit u karakterizua nga një konceptim i drejtë i figurës së këtij personazhi, brenda të cilit zhvillohen dy plane: ai që ka të bëjë me patriotizmin që shprehet në recitativin, dhe motivi i dashurisë, që shprehet në romancën Celeste Aida, një romancë tipike Verdiane, në formë tri pjesësh, interpretuar me shumë ndjenjë dhe emocion nga Olivieri, duke nxjerrë në pah lirizmin intim. Një interpretim tepër të unifikuar, me kontraste dhe situatë dramatike, u shpreh edhe në tercetin Aida, e interpretuar nga sopranoja Irini Nikolla, Amneris, interpretuar nga mezzosoprano Manjola Konjari dhe Radames. Ajo që duhet të veçojmë dhe që vlen dhe për aktet në vazhdim dhe veprën në përgjithësi është kultura interpretative dhe niveli i lartë i artisteve shqiptare Irini Nikolla dhe Manjola Konjari. Me timbrikë të qartë dhe shprehëse u interpretua roli i mbretit nga bass-i Octavian Vlaicu. Himni i luftës u ekzekutua nga Vlaicu dhe më pas nga kori, duke shprehur në mënyrë më solemne karakterin marcial dhe triumfues. Konflikti që zhvillohet midis dashurisë dhe patriotizmit, shprehet në skenën dhe romancën e famshme të Aidës Ritorna vincitor, të cilën Verdi e ka trajtuar në formën e një arie. I. Nikolla mundi të realizojë me mjeshtëri situatat e ndryshme që kalon personazhi në këtë skenë, përballoi me sukses veçoritë stilistike. Me kulturë profesionale u interpretua kori i priftëreshave, një melodi tipike tradicionale mbështetur në modin frygjian. Në kontrast me këtë, kori i burrave ekzekuton në stilin ortodoks liturgjik, kontrast i cili u shpreh me emocion duke krijuar një atmosferë tepër të veçantë. Nikolay Bykov, në rolin e Ramfis, interpretoi me ndjenjë dhe melodikë të rrjedhshme Nume, custode e vindice.

Akti II

Lirizmi i korit të skllaveve, interpretuar nga sopranot, krijoi një atmosferë të qetë dhe tepër emocionale. Interpretuan natyrshëm dhe me emocion, duke i harmonizuar zërat në sensin e tingëllimit dhe atë ritmik. Skena dhe dueti i Aidës me Amneris u karakterizua nga një emocion që bazohej në kohezionin e brendshëm, në ndryshimin e situatave duke thelluar dramaturgjinë e veprës. Manjola Konjari me potencën timbrike që zotëron, bëri një përfaqësim dinjitoz të personazhit. Madhështore tingëlloi finalja e aktit II. Koralia Gloria all Egito u karakterizua nga një tingëllim solemn, i cili u thellua me tingëllimin e fugës korale të ekzekutuar me korrektesë nga kori.

Akti III

Në aktin III, do të veçonim duetin e Aidës me Amonasron, interpretimin melodioz dhe shprehës, kulminacionet dhe kontrastet dramatike që krijuan sopranoja I. Nikolla, dhe basi F. Tonneriello, duke pasur parasysh sensin e tingëllimit të timbrikës që shprehet në krijimin e një sfere emocionale shprehëse. Me të njëjtat karakteristika u dallua dhe dueti Aida Radames.

Akti IV

Një interpretim i ndjerë i mezzosopranos M. Konjari edhe në aktin IV, u shpreh si në momentet sofistike, edhe në duetin me Radames, duke nxjerrë në pah situatën në të cilën ndodhej personazhi. Manjola demonstroi një teknikë të lartë vokale, duke bërë që të tingëllojë bukur në gjithë shtrirjen e vokalit që ajo zotëron. Një karakteristikë interpretative e sopranos I. Nikolla që spikati në këtë akt dhe në përgjithësi, ishin dhe ngjyrimet e bukura të tingujve që ajo krijonte në regjistrin e sipërm në saj të ndjeshmërisë artistike, finesës me të cilën interpreton. Një ndihmesë të rëndësishme në zbërthimin dramaturgjik të veprës dha dhe regjisori N. Gurakuqi , i cili mundi të krijojë një regji funksionale që është në funksion të aksionit dramaturgjik, duke evidentuar personazhe, situata, në raport me shtjellimin e subjektit.

Dirigjenti Alessandro d‘Agustini realizoi një ekzekutim mjeshtëror të operës Aida. Një nga karakteristikat e tij ishte depërtimi në përmbajtjen dramatike të veprës. Dhe kjo u shpreh qysh në tingujt e lajtmotivit të Aidës të preludit. Alessandro zotëronte njohje të thellë të partiturës që shprehej në raportet e drejta që ai krijonte në përkatësinë e epërsisë së këngëtarëve, pa lënë mënjanë harmonizimin e tingëllimit muzikor dhe së bashku dramatik të orkestrës. Kështu mund të përmendim midis të tjerash dirigjimin e romancës Celeste Aida, korales Gloria all Egito etj. Vënia në skenë e operës Aida dëshmoi edhe një herë nivelin e lartë profesional të artistëve të TKOB si dhe mundësitë për t‘u përballur me vepra të mëdha të literaturës operistike botërore.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama