Adoleshentet braktisin Facebook vdekja ne 2017

Adoleshentet 'braktisin' Facebook, 'vdekja' ne 2017

Një kërkues britanik e ka deklaruar Facebook-un të ‘vdekur’ tek adoleshentët, ndonëse ky rrjet social vazhdon të ketë disa qindra milionë përdorues. Por tani mund të thuhet se Facebook ka më shumë konkurrentë dhe duket se po rrëshqet në të qenit preferencë e dytë. Një studim i Universitetit Princeton lajmëron se në 2017, Facebook do ketë humbur më shumë se 80 % të përdoruesve të tij dhe se zhdukja do të ndodhë në të njëjtën mënyrë si edhe përhapja masive e rrjetit social. Studiuesit e krahasojnë atë me një virus dhe imunitetin që fitohet ndaj tij, dhe besojnë se dalëngadalë rrjeti më i madh social do të bëhet jointeresant.

Studiuesi tjetër, Daniel Miller, në fund të vitit të shkuar shkruante në blogun e tij se Facebook jo vetëm po dështon, por është duke vdekur tek të rinjtë nga mosha 16 deri 18 vjeç. Miller vëzhgoi përdorimin e mediave sociale në një komunitet të vogël në Londër, në vitin 2013. Projekti u financua nga Këshilli Europian për Kërkime.

Miller zbuloi se tani adoleshentët preferojnë media të tjera sociale dhe jo Facebook. Ai pretendon se arsyeja është për faktin se Facebook “humbi veçantësinë” duke u bërë modë për të gjithë dhe madje edhe prindërit e fëmijëve janë regjistruar atje. Sidoqoftë, adoleshentët kanë një profil në Facebook, për shkak se duan të qëndrojnë në kontakt me familjet e tyre.

Studimi i Miller tregoi se të rinjtë janë duke u larguar nga Facebook në drejtim të katër platformave të tjera: Snapchat, WhatsApp, Twitter dhe Instagram. “Këto platforma, të cilat janë të përqendruara tek pajisjet mobile, përdoren nga grupe miqsh”, shkruan Miller.

Aplikacioni me mesazhe fotografike, Snapchat, u lejon përdoruesve të dërgojnë fotografi, video dhe formate të tjera nga smartphonet e tyre. Miller tha se ky aplikacion është më popullori në komunitetin ku ai zhvilloi studimin e tij.

Ai zbuloi gjithashtu se adoleshentët përdorin WhatsApp, që është një aplikacion për smartphone dhe të bën të mundur të shkëmbesh mesazhe me miqtë. Rrjeti i adoleshentëve në Twitter është më i gjerë, ndërsa në Instagram (i cili është në pronësi të Facebook) ata kanë edhe miq të huaj.

Një raport për rrjetet sociale në Gjermani, i bërë nga kompania BITKOM, konfirmon se të rinjtë përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale. Të rinjtë nga mosha 14 deri 29 vjeç janë më shumë aktivë në Pinterest, Soundcloud dhe Tumblr .

Studimi i BITKOM tregoi gjithashtu se të rinjtë përdorin më shpesh rrjetet sociale nga smartphonet e tyre, pra ata janë të dhënë më shumë pas mediave sociale në formën e aplikacioneve dhe jo Facebook, që mund të përdoret më mirë vetëm nga kompjuteri.

Ta quash Facebook-un ‘të vdekur’ mes adoleshentëve mund të jetë ekzagjerim i situatës, sepse ai përdoret ende nga shumë prej këtyre të fundit. Një studim i vitit 2012 në Amerikë tregonte se 94% e adoleshentëve të pyetur përdornin Facebook.

Studimi i BITKOM konfirmoi të njëjtën situatë në Gjermani. “Në krahasim me studimin e vitit 2011, numri i përdoruesve të Facebook-ut mes moshës 14 dhe 29 vjeç, është rritur në mënyrë të ndjeshme”, shkruan në një email për DW Andreas Streim, zëdhënës i BITOKOM. Vitin e shkuar 85% e të rinjve ishin përdorues të Facebook-ut, ndërsa dy vjet më parë, 71%.

Facebook është duke dominuar edhe në popullatën e përgjithshme globale. Është platforma sociale më e përdorur në botë, me rreth 1 miliard përdorues. Por adoleshentët, pavarësisht se e kanë në listën e tyre të mediave sociale, nuk e vënë atë në vendin e parë.

“Pjesa më e madhe e tyre po mbyllin profilet. Unë mendoj se Facebook nuk është më platforma e komunikimit të tyre, mendoj se ka vdekur”, shkruan Miller në një email.

Për Cedric, një 17-vjeçar, i cili jeton në një qytezë në afërsi të Këlnit në Gjermani, “Facebook nuk është i mirë, por edhe as i keq”. Ai e përdor platformën për të ndjekur faqet që i interesojnë, por edhe se çfarë bëjnë “like” miqtë e tij dhe çfarë videosh postojnë ata.

“Ti ke Facebook sepse të gjithë e kanë një të tillë”, thotë Cedric. Ai planifikon evente me miqtë e tij në Facebook, por shumë rrallë poston diçka. “Për të kontaktuar me miqtë e mi, përdor më shumë WhatsApp sepse është më i thjeshtë”, vazhdon Cedric, i cili ka një iPhone. Miller gjithashtu citoi se Snapchat dhe WhatsApp janë më të thjeshta në përdorim, ndaj përdoren më shumë nga adoleshentët.

Cedric e cilësoi WhatsApp-in si shumë “cool”. WhatsApp “ka më shumë mënyra për të kontaktuar me miqtë e tu”, shtoi ai. Ai pëlqen shumë edhe Instagram-in, pasi mund të përpunojë fotografi. Cedric tha se prindërit e tij nuk kanë një profil në Facebook, por nëse do të kishin, ai nuk do t’i bënte miq.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama