AKEP Tarifat celulare te njejta brenda dhe jashte rrjetit

AKEP: Tarifat celulare, te njejta brenda dhe jashte rrjetit

Operatorët celularë do të detyrohen të aplikojnë tarifa të njëjta për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, bazuar në analizën e tregut, ka vendosur ndoshta masën më të fortë rregullatore të marrë ndonjëherë në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Operatorët jo vetëm që detyrohen të aplikojnë tarifa të njëjta standarde, por nuk do të lejohen të bëjnë diferencime as në paketat ofertë.

 

Njësitë e komunikimit brenda rrjetit duhet të jenë të njëjta me ato drejt operatorëve të tjerë, çka, mes të tjerash, do të thotë se paketat që ofrojnë komunikim pa limit brenda rrjetit, praktikisht do të zhduken. Ky vendim është marrë pas shqetësimeve të shprehura nga dy operatorët me pjesë tregu më të vogël, që prej vitesh ankohen se operatorët e mëdhenj po aplikojnë tarifa diskriminuese për thirrjet jashtë rrjetit, me qëllim mbajtjen e përdoruesve në rrjetet e tyre.

 

Rregullimi i këtij problemi është edhe rekomandimi kryesor i Autoritetit të Konkurrencës, në përfundim të hetimit të kryer vitin e kaluar. Besohet se kjo masë do të krijojë hapësira më të mëdha konkurrence për operatorët me pjesë më të ulët në treg. Gjithashtu, AKEP ka vendosur uljen e mëtejshme të tarifave të thirrjeve me shumicë, që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për kryerjen e thirrjeve në rrjetet respektive. Duke filluar nga 1 dhjetori 2014, kjo tarifë do të ulet në 1.48 lekë për të tre operatorët, “AMC”, “Vodafone Albania” dhe për rrjetin celular të “Albtelecom”. Nga ana tjetër, AKEP ka vendosur të ruajë të pandryshuar tarifën për operatorin “Plus”, në 6.52 lekë për minutë. Kjo do të thotë se “Plus” do t’i lejohet një tarifë terminimi 4.4 herë më e lartë krahasuar me operatorët e tjerë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama