Në morinë e problemeve mbi Bashkinë e Tepelenës, kalaja është më “e pakta” gjë, që mund t’i shkojë nëpërmend zyrtarëve. Megjithatë, në vitet e fundit, z. Peçi kryetari i Bashkisë e ka pastruar, po rregullohet hyrja kryesore dhe po i jepet vertikalitet prej gërmimeve. E megjithatë, sikur këto të mos ekzistojnë, nga ana lindore, në shpatin që bie sak mbi rrugën nacionale, kalaja është seriozisht e rrezikuar. Erozioni po merr për ditë dhe duhet një ndërhyrje vërtetë serioze që të shpëtojë fragmentin masiv të kalasë, e cila vazhdon të jetë e mbushur me ndërtime të gardhuara dhe plehra, që nuk mbarojnë...
Një qen jo aq i madh leh egër, kur i afrohemi gardhit të shtëpisë. Ecim njësh-kolonë, pasi ka mbetur vetëm një rrip i ngushtë udhe prej ndërfutjes së një ndarje tjetër shtëpie në Kalanë e Tepelenës. “Qenka e madhe. Nuk ma kish marrë kurrë mëndja që të kishte një hapësirë të tillë kalaja”, shprehet Lavdosh Ferruni, ambjentalisti i njohur. I gëzohet kalasë, këqyr elementë të ndryshëm ndërtimi, sidomos të mureve, thollove dhe kamareve. Mundohet t’i ndajë me ne, por i ia presim se i kemi parë shumë herë. Anipse, shpejt biem sërish pre e kërshërisë ndaj punës së mjeshtrave që ndërtuan këtu. Udhëza, që do bëjmë drejt Lindjes së Kalasë të përcjell te muri i jashtëm, ku ti shikon realisht mjeshtërinë e punimit dhe angazhimin për ndërtimin e Kalasë së Tepelenës, që u mbyll në dekadën e dytë të shekullit XIX. “Po shtëpitë? Sa shumë paskan ndërtuar”-pyet naivisht ambjentalisti. “Nuk kanë ku të ikin më”,-i përgjigjemi. “Këtu kanë qenë gjithnjë, në vitet e fundit”.
...
Kalaja e Tepelenës është mbathur me shtëpi të shumta, që pas viteve ’90 u shtuan si kërpudhat. U duk se gjërat do kishin dritë, kur në një fjalim të vetin patetik, mu aty rreth mes-viteve ’70, Enver Hoxha foli edhe për kalanë e Tepelenës. Filloi të lëvizte diçka dhe si ndodhte me burokratët e vegjël, ata filluan të mendonin seriozisht. Në morinë e gjërave, që po dilnin me rrënimin e ngadaltë të socializmit, gjithçka u shua. Kalaja, njësoj si shumë objekte të asaj kohe, u lanë. Ajo morri dërrmën pas vdekjes së Enverit dhe kalaja u dëmtua përherë e më shumë. Kudo, ti sheh bjerrjen e ngadaltë e të pakthyeshme të saj.
Dëmtimi
Këtë e këqyr me Ferrunin, që mbetet ende i mahnitur. E orientoj tek një thollo (tunel i ndërtuar), ku mund të shohim më shumë, madje edhe të admirojmë Vjosën. Ndoshta, duhet të gaboj disi me pikat gjeografike, por në këtë ditë të zymtë, ku ende njerëzit flasin për pasojat e përmbytjes, dua të pyes dikë se ç’është bërë me dëmtimet e kalasë. Kryetari i Bashkisë s’është. Nënkryetari po merret me kapriçot e Vjosës. Pyetja ime mund t’i duket si e një bjerraditësi vanitoz. Në kujtesë kam faktin se pak vite më parë, Ministria e Kulturës akordoi një fond prej 4.5 milionë lekësh për rikonstruksionin e mureve të jashtme të kalasë. Duke iu referuar jetëgjatësisë, kushteve atmosferike, kjo shumë ishte vërtetë qesharake për atë që duhej në mirëmbajtjen e Kalasë së Tepelenës. Këtë mendojmë teksa shikojmë përreth kalanë, por nga pjesë e brendashkruar. Ka dalë në pah njëfarësoj, falë ristrukturimit të portës kryesore, e cila gjendet brenda qytetit, ndërsa kalaja ka marrë vertikalitet prej gërrmimeve. Tepelena me një plan të stërvjetër urbanistik, por gjithsesi të këndshëm, e ka në këmbët e veta kalanë. Që në pjesën lindore, erozioni po merr gjithnjë. Këtë e shquaj pak minuta më pas që nga rruga. Është gati e frikshme marrja e tokës, kur këqyr se vetëm pak metra më lart ngrihen muranat e rregullta të kalasë. Megjithatë, më shumë se çdo gjë, kreu i bashkisë së qytetit ka menduar për heqjen e tonelatave të plehrave, ferrave, e ndyrësirave prej mureve rrethues. Do ishte një angazhim i këndshëm, që krahas pastrimit, të punohej me ndonjë specialist për të hedhur ide për strukturën e saj. Do ishte një plus i madh për turizmin e tyre inekzistent, nëse këta njerëz do të dinin të luanin shumë më tepër me kalanë dhe të gjithë resursin historik që ka ajo. “Ehu, ç’e sheh ka vite e vite. Ç’i bën”, më thotë një burrë nga pas, që zbret me një kal dhe është kurioz te fotografia. “Ka qëndruar për shekuj dhe ashtu do rrijë. Nuk e gjen gjë”. Po vazhdoji kështu edhe pak, ka të ngjarë ta marrë të gjithën këtë krah, i them- dhe të përfundojë te Ura e Aliut. “Ehu, ne s’kemi bukë, mezi ngrysim muajin, ti më thua muri. Guri s’ha bukë, po barku do bukë. Ia qi...”, më thotë. I bie vitheve të një kali t’bardhë, tepër të qetë. Lavdoshi vazhdon të jetë i mrekulluar me të gjithën. Ndaj e kemi lënë në mrekullimin e vet dhe zbresim në seksionet e tjera. Kalaja është realisht e dëmtuar dhe të vjen keq se edhe pse mund të apelosh shpesh dhe të ndodhë edhe që mund të dëgjohesh, asgjë nuk përbën sens.
Me ‘pahir’, Shqipëria ka marrë trashëgim nga historia një koleksion objektesh, një set të madh sitesh, kalash, objektesh kulti, që nuk ia mban dot kurrizi i dërrmuar. Të gjithë e dëgjojmë dihatjen e saj dhe askush nuk bën dot gjë. “Hë i fotografove, të gjitha?”-më shpotit një tepelenas, që zbret nga kalaja. “Kreje dhe atë, kreje”. I vjen të qeshë, që kam ngulur sytë në një qeramikë dhe e rrotulloj, t’i kap pak sens.
Endem i vetëm tashmë nëpër kala dhe ashtu si vite më parë edhe pse duket se ka pak dorë sistemi i rrugëve të brendshme, sërish më duket pa sens. Kalaja është pothuaj e shkatërruar dhe e kam të vështirë të besoj se do gjenden para për këtë objekt, që të ketë formën e saj. Për hir të së vërtetës, optimistët mund të kënaqen me hyrjen dhe punën e Bashkisë, që ka bërë disa aksione pastrimi masive në kala dhe me pak koshat e vendosur për hedhjen e mbeturinave. Por a mjafton vallë? A ka ndryshuar gjë? A qëndron ndonjë turist këtu, veç pak orëve?! Kujt t’i drejtohem? Një mësues i vjetër fillon të më bëjë moral dhe e bën Tepelenën qendrën e t’gjithë Jugut. Dakord, i them. Nuk jeni për vete, si do jeni për Jugun, ia kthej. Sqaron sërish. E dimë që takati i qeverisjes lokale nuk mjafton. Po, nuk mjafton. Këta njerëz nuk mund të gjenerojnë vetë fonde dhe të dinë ta shesin namin e Tepelenës së dikurshme. Të paktën, të heshtin.
Intermexo
Të heshtin si ata. Ndoshta Bajroni do ketë mallkuar veten kur ka ardhur. Pastaj është kënaqur. Si në film të vjen ndërmend, Tepelena e dikurshme, koha kur Bajroni dhe Hobhauz janë mysafirë të vezirit, me të cilin takohen fillimisht më 21 tetor, mu këtu. Deri më atëherë fuqia e Ali Pashait është sugjestionuese dhe Perëndimi e ka fryrë aq shumë. Bajroni i etur vetë për zhurmë dhe kontrovers i pëlqen zhurma e kësaj qenie sfiduese. E miklon me pamje. Në kujtimet e tij shkruan: “Ali Pasha na priti në këmbë, shenjë nderimi...Është fort i ngjallur, sado që jo i trashë, i shkurtër pesë këmbë dhe pesë puse. Fytyra e tij është fort e këndshme, e bukur dhe rrumbullake, me sy të kaltër, të shkëlqyer, mjekra e gjatë dhe e bardhë. Nuk ishte i veshur në mënyrë të kushtueshme, përveç sarekut të tij, që dukesh prej pëlhure të hollë, endur me ar dhe hanxhari me xhevahire, që mbante në brez. Pati sjellje fort të hollë dhe fisnike me ne dhe na tha: që na shikonte si bijtë e vet...Shikonte nga penxhereja me një dylbi, të cilën na e zgjati edhe neve, të vështrojmë një tufe kalorës që po vinin nga zalli i lumit...Na pyeti se ç’na shpuri në Shqipëri. I thamë dëshira të shohim një njeri të madh si ai. Ai tha:” A ma kishit dëgjuar ndonjëherë emrin në Angli?” I thamë se në vendin tonë shpesh herë flitet për të dhe kjo përgjigje i pëlqeu fort shumë”.
Na rrëfeu disa pisqolla dhe kordha; pastaj një dyfek varur në një këllëf afër kryes së tij, duke na thënë se ia kishte çuar mbreti i Francës. Ishte një pushkë e vogël, qyta e së cilës ishte veshur me argjend dhe stolisur me xhevahire dhe brilante...po sekretari na tha se këto stoli ia kishte shtuar vetë Ali Pasha mbi qytën ordinare, që kishte pushka, për t’a rrëfyer si një dhuratë vërtetë mbretnore. Na tregoi se afër Tepelenës janë do mure që dëftejnë qënien e një qyteti të vjetër, na këshilloi të vemi t’i shohim dhe vuri kuaj në dispozitë tonë”....
Kthim
A mund të identifikohet vallë se ku qëndroi Aliu me Bajronin?-i them mësuesit. Derisa thotë: po vështronte nga zalli i lumit, tregon se është në Lindje, te kjo anë e kalasë, mu afër njërit prej seksioneve më të rrënuar të lumit. Por, se mos vetëm muret, por edhe rrugët e kalasë, vetë atracaturat e ndryshme dhe elementët e kalasë. Edhe pse kanë kaluar vite, dhe kalaja po i afrohet 200-vjetorit të saj, rrugët jo vetëm nuk janë rregulluar disi, por mungojnë dhe tabela të thjeshta sinjalizimi, që mund t’i hynin në punë kujtdo të interesuar. Një takim i Forumit të Trashëgimisë vite më parë mëtonte që të arrihej një bashkëpunim dhe iu sugjeruan pa fund zgjidhje kryetarit të Bashkisë dhe subjekteve të tjera në Tepelenë. Deri më tash, asgjë nuk ka lëvizur, veç kësaj porte. Mbase që nga identifikimi i një udhe të Bajronit, por edhe rrugëtimit të udhëtarëve të tjerë, por qoftë ushtrive të huaja ardhur dhe personaliteteve që ka qëndruar, vërtetë mund të ngrihej një fabul, që ta bënte një turist të qëndronte fare pak...
...
Matanë qytetit, në qendrën kulturore pothuaj pa asnjë vlerë, dy ekspertë mjedisi, u flasin prej orësh banorëve për rëndësinë e Vjosës dhe fatit, nëse do të qëndrojë kështu. Buxhetorët e qytetit shikojnë ngultas, por e kanë mendjen të mbarojnë javën dhe të ikin. Keni dhe koktej, thotë dikush në fund, por edhe kjo i nxit pak. Sidoqoftë vinë, hanë dhe ikin. Vjosa më duket po aq jetime. Kjo trashëgimi e madhe e natyrës shpejt ka radhën të bjerret prej nevojave të njeriut modern. Njësoj si kalaja. Në sallë ngrihet dikush që flet më zë të lartë i akuzon të gjithë. Do të vendosë pikat mbi “i”, por edhe ai del që s’është banor i Vjosës. Po çfarë u intereson këtyre banorëve? Këtë askush nuk di të ma thotë. Iki drejt lumit. Në rrugë bashkohem një grua të vjetër, që po shkon në Beçisht, matanë lumit. ”Punoj në një furrë. Çfarë marr, kjo më mbet. Të tjerat ua lë fukarasë, udhës”, më thotë, teksa zbresim të dy me kapuçët e ngritur, drejt Urës së Beçishtit. Më flet për shtëpinë, për plakun që s’ia del dhe fëmijët e rritur në fshat, që i ka të papunë. Këtë se kuptoj. Në fshat, i papunë! “Më gjej ti punë se iki”, ia pret djali me cinizëm në shtëpi. Po pse nuk ikin?- i them. “Ku dreqin të ikin”, më thotë. Ura tundet, por është shumë më mirë se vite më parë, kur ia vidhnin fondet ende pa u vendosur në punë...
...
Kur kthehem, pak kohë më pas, kam mundësi të këqyr edhe njëherë murin që bie mbi udhën kryesore, që e lidh Tepelenën me Gjirokastrën. Çfarë duhet bërë? Nuk di kë të pyes? Zërat janë fashitur, kurse strukturat e monumenteve nuk dinë se çfarë të bëjnë më parë! Shtrati i erozionit vazhdon hapur poshtë kalasë. Edhe sa do zgjasë vallë kjo? Nuk di të ma thotë askush? Takimi i Vjosës mbyllet dhe njerëzit davariten. Lavdoshi më pyet për kalanë sërish. Jeta ka ngrirë në Tepelenë, në një paskohë. Dy qenë shikohen gati për zënie. Pastaj ulen. Ikim. Dimër 2015.