A po e rrisni sic duhet?

A po e rrisni sic duhet?
Thjesht një fëmijë i vështirë apo diçka më shumë se kaq? Ja si ta kuptoni nëse fëmija juaj po shfaq sjellje të rrezikshme antishoqërore  Rreth 5 për qind e fëmijëve të moshës nga 5-8 vjeç, kanë probleme me sjelljen dhe janë të prirur drejt veprimeve antishoqërore, shprehet Zyra Kombëtare e Statistikave në Britani.

Mund të jetë edhe fëmija juaj i tillë? Psikologët shprehen se 30 për qind e konsultave, që bëhen mes prindërve dhe fëmijëve të tyre, kanë të bëjnë me problemet e sjelljes.

Studimet e fundit Britanike këshillojnë si t’i dalloni dhe kuroni këto sjellje aspak të kënaqshme. Gjithashtu paralajmërohet se fëmijët që nuk ndihmohen në kohën e duhur, jo vetëm që nuk heqin dorë prej problemeve në sjellje, por vazhdojnë të shtojnë rrezikun për rezultate të ulëta në shkollë, për izolim shoqëror dhe për kriminalitet.

Faktet që dyshohet të kenë të bëjnë me këto çrregullime janë të shumëllojshme. Problemet gjenetike, të cilat përcaktojnë mënyrën sesi truri krijon lidhjet me realitetin dhe faktorët mjedisorë si për shembull familja, shoqëria dhe shkolla janë më të rëndësishmit.

Peter Fonagi, një profesor i psikanalizës në Universitetin e Londrës, thotë se studimet tregojnë se mënyra sesi një prind sillet me fëmijën e tij, ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e këtij të fundit.

Pra, nga ta kuptoni ju se edhe fëmija juaj ka nevojë për ndihmë?

Ekspertët shprehen se shenjat e problemeve të sjelljes te fëmijët nën 11 vjeç janë mosbindja dhe armiqësia. Këto janë ndër veprimet më të zakonshme te fëmijët çapkënë, por mos u mashtroni nga kjo për të hequr dorë nga kujdesi për fëmijën tuaj.

Fëmijët mbi 11 vjeç i kanë akoma më të theksuara këto veprime antishoqërore. Ata zgjedhin të gënjejnë, të bëjnë hile, të përfitojnë nga situata, të lëndojnë dhe detyrojnë të tjerët të bëjnë sipas dëshirës së tyre.

Fëmijët mbi 11 vjeç mund të jenë agresivë dhe të dhunshëm. Ata tregojnë forma ekstreme të egoizmit dhe shfaqen të pashqetësuar për mirëqenien e të tjerëve. Tek këta fëmijë hasen sjelljet e mospërfilljes për pasojat që sjellin veprimet e tyre të pamenduara.

Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm, që të mos i ngatërrojnë këto sjellje me ato të adoleshentëve, pasi nuk janë të njëjta.

Ekspertët këshillojnë që me hasjen e këtyre shenjave te fëmijët, prindërit duhet t’u drejtohen menjëherë personave të specializuar për t’u përballur me këto probleme.

Kudo nëpër botë po krijohen programe trajtimi për prindërit, në mënyrë që t’i kuptojnë më shumë fëmijët e tyre dhe të jenë në gjendje t’u japin ndihmën e duhur. Duke qenë të përgatitur për t’u marrë me situata të tilla, ka shumë gjasa që prindërit të jenë të dobishëm për fëmijët e tyre, duke i distancuar ata sa më shumë nga problemet me drogën, që mund të lindin për shkak të mungesës së vëmendjes prindërore.

Studiuesit paralajmërojnë se askush nuk duhet të fajësojë prindërit për problemet që hasen te fëmijët, por ama duhet pasur parasysh që është prindi ai, që mund t’i përkeqësojë gjërat.

Në vend që të jeni autoritar me fëmijët tuaj, këshillohet që të ndiqni strategjitë e shpërblimit për sjelljet e mira dhe jo ndëshkimin për ato të gabuarat.

Kushtojini rëndësi edukimit dhe jini një pasqyrë e mirë e sjelljeve të pranueshme dhe shoqërore. Mos zgjidhni ta shpërfillni sjelljen e gabuar të fëmijës suaj, e për më tepër mos e justifikoni atë. Nëse përdorni ndëshkimin për çdo problem që hasni me fëmijën tuaj, kjo do ta bëjë aftësinë tuaj për ta kontrolluar gjendjen akoma më të dobët.

Përpiquni të kaloni sa më shumë kohë me fëmijët tuaj, duke kryer aktivitete, që ju japin kënaqësi të dyve.

Studiuesit shprehen se nëse i trajtoni herët problemet e sjelljeve antishoqërore te fëmijët tuaj, ka më shumë gjasa që të arrini një përfundim të kënaqshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama