A po del ne drite nje monument i ri ne Elbasan?!

A po del ne drite nje monument i ri ne Elbasan?!

Dy ekspertë të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik punojnë me kujdes në formacionin e gjetur, kurse një tufë punëtorësh e kanë marrë me shumë nge. Sorollaten kot, teksa një ekskavator fle i qetë mbi muret mesjetarë. Fëmijët shkojnë e vijnë, kurse përreth shullëhen shumë të ngeshëm, tregtarë ambulantë, kalimtarë që sodisin dhe lloj-lloj syreshësh që shesin. Kjo pamje s’është në ndonjë vend të humbur, ku po gërmohet por bash në Elbasan, ku formacionet e një kalaje sapo kanë dalë në dritë...

 

Nëse vende të ndryshme në botë shtypin manuale periodike, krijojnë histori ose bëjnë histori me pak gjëra, Shqipëria ka mundësi që ta ketë trashëgiminë, ta prishë, të rigjejë sërish dhe po të dojë dhe ta shmangë krejtësisht . Ky fat i takon më shumë tokës së vet, që në shekuj ka mbrujtur pushtues, luftëra dhe qytetërime të ndryshme. Me pak fjalë, breza të tërë elbasanasish, nuk i ka bërë asfare përshtypje se ku gërmonin kur bënin ndërtimet e tyre. Kanë hapur kanale mbi kështjellën e sapogjetur, e kanë çarë përmes që të kalonin tubacionet e ujërave të zeza dhe të bardha pa u interesuar askurrë se ajo që mund të gjenin poshtë nuk ishte thjesht mur themeli ose nuk ikte më kazma, por bash një kala. Në një punë të zakonshme urbane për të sistemuar dhe të kanalizuar ujërat e zeza e të bardha të kësaj pjese të qytetit në rrugën “Thoma Kalefi” njëditëzaj disa punëtorë të ndershëm lajmëruan për zbulimin e mureve të vjetra. “Menjëherë pas sinjalizimit specialistë të Agjencisë së Mbrojtjes kanë ardhur dhe nisën punimet për zbulimin dhe sqarimin e rrënojave. Nga puna 2 javore kemi zbuluar dy kulla të një kalaje. Jemi të bindur se kemi të bëjmë me një fortifikim për të cilin është ende e vështirë të jepet një gjykim për datimin sepse punimet janë në proces e sipër dhe për datimet e sakta nuk është e mirë të ngutemi. Por jemi në udhë të mirë për rezultate...”, na sqaron një paradite fund-korriku eksperti i Agjencisë, që mban veshur bluzën blu të Agjencisë me logon e saj. Maringleni Meshini është i qartë dhe modest. Më shuan kureshtjen se pse kalaja e Tiranës dhe monumenti i zbuluar në Elbasan, kanë gati të njëjtën situatë. E Tiranës vazhdon deri te Parlamenti dhe shkon te Toptanasit, por kurrë nuk u ekspozua ashtu si mendohej. “...duhej të ndërhyhej të prisheshin shumë në Tiranë që të kapesh konturi. Kjo situatë është edhe këtu. Kjo fillon këtu dhe muret e fortifikimit futen brenda”. Uroj të jenë kaq të ndershëm edhe në Bashkinë e Elbasanit dhe të mos ndodhë si në Tiranë, ku u premtua shumë, por kalaja mbeti...
 
Njerëzit


Ndërsa ne flasim, poshtë nivelit të udhës, sipër, mu mbi gërmimet, njerëz të ndryshëm pinë të patrazuar dhe na hedhin vështrime ‘injoruese’. Hedhin tek-tuk romuze, kurse ata që bisedojnë më me impenjim, na kanë kthyer fare kurrizin. Sikur, dikush të luajë keq karrigen mund të përfundojë 2 metra poshtë, ku po konturohet kalaje e re, mbi kokat tona. Por, s’ndodh. Vapa e madhe e ka reshtur gjithshka dhe ndonjë veprim të tillë in extremis. Në anën tjetër, tre gra shesin pula dhe shikojnë me admirim të gjithë rrugën përkundrejt. Një grua e vjetër mban veshjen fshatare të zonës mbuluar me napën e bardhë, kurse dy më të rejat shkëmbejnë të patrazuara muhabet. Të treja bisedojnë pa e kthyer kokën. Qesëndisin e sodisin të gjithë udhën. Edhe pulat, që po shesin, janë krejt të trullosura. Punëtorët janë larguar ndërkohë që vetëm dy ekspertë shkojnë e vijnë. Syrjai, si përgjegjës, është më ‘i vështiri’ në fillim. Pse fotografoni? Çfarë ju duhet?-i përsërit disa herë. I themi se kush jemi dhe se kemi ardhur të punojmë dhe se duam të takojmë Drejtorin e Trashëgimisë së Elbasanit.

“Nuk ka lidhje Kreshniku me këtë. Është në juridiksionin tonë”. Ngatërresa, pak minuta më vonë, është sheshuar. Të dy djemtë janë shumë më të qetë, por edhe më të liruar. Kanë të drejtë për një fakt: është e vështirë që të punosh nën shikimin e njerëzve që qesëndisin vazhdimisht me indiferencë. Biseda kap shumë sfera, por sipas specialistëve, edhe pse dihej ekzistenca e një Jenixhekalasë, askush nuk do të besonte se ajo ndodhej anës Namazgjasë përballë shkollës Ali Agjah. Dhe, paradoksi është se këtu historikisht ka pasur  banesa, është gërmuar, por askurrë s’është folur për formacionin e mbetur të kalasë së vjetër deri në zbulimin më të fundit. “Po pse e hapin? Prapë, shikoje ti, njime do e mbyllin! Kot e bëjnë”, më flet një i rregulluar. Është për të mirën tuaj, ia kthej disi me inat kompetentit. “E kujt i plasi. Ne nuk kemi bukë të hamë. Shiko si e kanë mbyllur andej. Nuk duam kala, duam bukë, kupton. Po mirë e bëjnë le të vazhdojnë se prapë do e mbyllin...”. Mbes i shastisur nga ‘kompetenca’ e kotit.“Mezi erdhën këta”, ma pret dikush si në konspiracion për djemtë e Agjencisë, duke më shkundur. Sipas tij, u deshëm ditë të tëra dhe shyqyr që qëlluan burra të mirë këta të firmës kontraktore. E vërtetë, u them njerëzve të Agjencisë. Mohojnë. Zbulimin, si ndodh në provincë ia veshin vetëm kryebashkiakut Sejdini. Në fakt, ishte fat që njerëzit e firmës ndërtuese të Bashkisë dhe gërmimet e Agjencisë së Shpëtimit po shkojnë qetazi. Kurioziteti të bën të mendosh sesi ka mundësi që kalaja të jetë kaq poshtë nivelit të tokës. Por i gjithë ky formacion i konsiderueshëm dhe bashkë me të edhe muret me dy kullat në një largësi vetëm prej 500 metrash larg kalasë së madhe, i kanë përmbytur krejt aluvionet.

E ka mbathur në shekuj Zaranika, më shton njëri nga dy njerëzit e Agjencisë. Sakaq duket dhe drejtori i trashëgmisë. Nuk komunikojnë aq hapur. Duket se ka një mosmarrëveshje të historianëve vendas me Agjencinë. Këta të fundit i përmbahen faktit se duhet gërrmuar ende që të konkludohet. “Ka pasur hipoteza. Deri kur e kemi zbuluar nuk dihej asgjë dhe s’kishte asnjë njoftim për ekzistencën e një kalaje. Por burimet historike flisnin për një kala të quajtur Jenixhekala, e cila datohej 1483 por ekzistenca e të cilës ende s’është vërtetuar. Ky, që po zbulojmë, është një ndërtim me karakter ushtarak, fortifikues dhe jo me rezidenca dhe banesa. Teknikat e ndërtimit nuk na sugjerojnë ende asgjë. Jemi akoma në pritje të rezultatit, fillimisht po punojmë në nivel të sipërm, por kur do të punojmë më thellë do të shikojmë se çfarë do të konkludohet”, thonë burrat. Për dy specialistët ideja është se ajo mund të jetë ndërtuar në kohën kur kalaja e madhe nuk kishte qoftë funksion ushtarak, e as mbrojtës. Por, ndërsa ne japim e marrim, dy fëmijë shkojnë e vijnë dhe luajnë me njëri-tjetrin. U shkon shumë ekuilibri me muret që janë ende të pagërrmuara deri në fund. Tallen pak dhe me ne...
 
Syrjai


Ky burrë i ri i shëndoshë, i ndjek me sy dhe duket se është shumë autoritar. Jemi shpejt miq dhe ai më sqaron se deri më tani janë zbuluar dy kulla, të cilat janë rrethore kurse “fortina mes tyre është 40 metra. Drejtimi shkon kah perëndimit. Nga gërmimi, kulla numër 1 në veri vazhdon në Lindje, nga ku janë ngritur ndërtimet e viteve 80. Në jug vazhdojnë gërmimet për të parë për një kullë të tretë nëse edhe ajo kthehet në pjesën lindore...Ndërtimet mes dy kullave të japin përshtypjen se traseja futet në pallate. Kjo mbetet të sqarohet”. Shqetësimi mbetet investitori dhe mundësia që do jepet prej banorëve. Mu në skaj i kanë mbyllur sërish gërmimet. Por, që tani banorët nuk duken shumë ndihmues. Kujtoj fjalët e Kreshnikut, që të mos i quaj rrënoja. E ndjej se e bëj gabim. Nuk janë aspak rrënoja, për të mos thënë se janë shumë më tepër, janë formacione që të turpërojnë. Por a do mundet Elbasani ta tresë këtë mrekulli të re? Këtë askush nuk e di hë për hë. “Jemi në një zonë tepër të dendur. Ne përpiqemi të mos pengojmë duke i dhënë aset dhe komunitetit...”, më thonë burrat e rinj. Vetë se besoj. Edhe pse ndërtimi besohet nga optimistët se është i Komnensave tani problemi më i madh është sesi do jetë funksional ky vend. Të paktën, deri më tani, asgjë nuk ka qenë i tillë. Shqiptarët vetëm kanë prishur. Të mjafton të hedhësh sytë në gjetjet e tjera në qytet dhe të bindesh për kulturën, që kemi. Kemi qejf të tregojmë. Kemi gjëra, por me sa duket shpesh nuk dimë t’i trajtojmë dhe as nuk i meritojmë. Kujtoj reagimin e banorëve para këtyre mureve plot pretendime. Ikim. Nuk kemi se çfarë të ndajmë më. Është korriku i vitit 2013. Vapë.
 
 
Kështjella është e para pushtimit osman?!


Flet për “JAVA” Kreshnik Belegu, Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Elbasan. Si e mendon ai objektin e gjetur dhe ato që janë shkruar deri më tani rreth objektit...
A keni ndonjë ide nga mënyra e ndërtimit për periodizimin e formacionit të gjetur?


“Unë mendoj se kështjella e gjetur i takon periudhës së para pushtimit osman. Dhe, ajo që besoj deri më tani është se kështjella e regjistruar në vitin 1431-1432 me emrin “Jenixhekala” (Kala e re), mund të jetë pikërisht e sipërpërmendura. Para këtij zbulimi, vendndodhja e Jenixhekalasë supozohet të ishte në Bradashesh, 5 km në perëndim të Elbasanit. Përsa i përket ndërtimit, ajo që do të përcaktojë kohën e saktë të këtij vendbanimi do të jetë qeramika, e cila deri më tani ka qenë shumë e paktë. Gërmimet brenda dy kullave, besojmë dhe shpresojmë të na japin elementë datues për periodizimin e kësaj kështjelle. Në rast se “castrum” është i shek. XII-XV do të jetë një risi për historinë e Shqipërisë. Literatura e botuar në vend për periudhën paraosmane pothuajse nuk ekziston. Fortifikimet e kësaj periudhe dhe ato të mëvonshme janë me përmasa më të vogla në krahasim me ato romake. Kjo karakteristikë duket qartë jo vetëm në sipërfaqen e kështjellës, por edhe në ndërtimin e kullave e trashësinë e mureve.
Ekziston një mendim tjetër që kjo kështjellë i takon periudhës osmane. Unë mendoj se pas rindërtimit të kalasë së madhe të qytetit, e cila zë një sipërfaqe prej 10 ha, turqit nuk kishin pse të ndërtonin një kështjellë tjetër pranë së parës. Fortifikimi i gjetur është përdorur në kohën kur kështjella e madhe ishte e rrënuar.(Kështu mendoj me të dhënat e deritanishme)”.
 
A ka pasur evidenca më parë që tregonin se në qytet mund të ishte një objekt i tillë. Arkeologët që punonin aty, thoshin se ajo ishte zbuluar më parë, por njerëzit që kishin punuar në punët publike e kishin anashkaluar...


“Në dokumentet që ruhen në arkivin e muzeut të Elbasanit nuk përmendet në asnjë prej tyre ekzistenca e kësaj  kështjelle. E vetmja gjë që gjejmë është një katakomb, i cili ndodhej shumë pranë kësaj kështjelle (në pjesën lindore të saj), pikërisht nga krahu ku vazhdon kështjella. (Ndoshta ky i fundit është pjesë e kështjellës. Katakombi u zbulua në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, gjatë ndërtimit të një fabrike mielli nga italianët.) Nga punët publike që janë bërë në këtë rrugë qysh në fillim të viteve ‘80, nuk ka pasur asnjë të dhënë për ekzistencën e fortifikimit në fjalë. Aty-këtu ka ndërhyrje në muret e kështjellës nga tubat e shkarkimit të pallateve dhe besoj që është përdorur shprehja: “ Kemi rënë në një themel, prandaj është shumë e fortë!”për vetë faktin që territori ka qenë i zënë me banesa qytetarësh”.
 
Mendoni se në qytet të ketë dhe objekte të tjera të kësaj rëndësie...


“Padyshim. Elbasani është një qendër e rëndësishme historike, ku elemente të trashëgimisë kulturore gjenden kudo. Përveç këtyre që njihen deri tani si Kalaja e Madhe, Bazilika e Bezistanit, Bazilika e Tepes, Kisha e Shën Marisë, Xhamia e Nazireshës dhe Xhamia Mbret, kalaja e re e porsa zbuluar, hamamet e qytetit, ansambli me shtëpitë karakteristike të shek. XVII brenda kalasë etj., mban brenda tokës së tij edhe shumë objekte, të cilat do të rikonfirmojnë vlerat e këtij qyteti. Po të përmend njërën prej tyre, në vitin 519, dy përfaqësuesit e Papës, vizitojnë qytetin e Skampinit dhe priten nga popullsia e qytetit në katedralen e tij. Ky objekt i rëndësishëm kulti ndodhet brenda territorit të kalasë së madhe dhe shpresoj që një ditë do të zbulohet. Ekzistenca e një katakombi dhe e  shumë mozaikëve brenda kalasë së madhe (e cilësoj si kalanë e  madhe se tani kemi dy, një të madhe e një të vogël), jo vetëm që do të pasurojnë qytetin por besoj se do të ndihmojnë në shndërrimin e qytetit në një pikë të rëndësishme turistike. Vetëm shtatë vitet e fundit janë zbuluar dy objekte me karakter kombëtar si Bazilika e Bezistanit dhe Kalaja e porsagjetur”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama