Nëse dikush që udhëton në kohë do të kthehej pas dhe do të takonte gjyshërit, a do ta parandalonte lindjen e tij? Ky është thelbi i një teorie të famshme, e njohur si “paradoksi i gjyshit”, që do të thotë se udhëtimi në kohë është i pamundur. Mirëpo disa kërkime kanë arritur në përfundime të tjera.
Një grup shkencëtarësh ka krijuar, për herë të parë, një simulim, me anë të të cilit do të mund të shohin si mund të ndërveprojnë dy fotone që udhëtojnë në kohë. Ata sugjerojnë se, të paktën në nivel kuantik, kapërcimi i kohës mund të jetë i mundur.
Studimi përdori fotone – grimca të vogla drite – për të stimuluar grimcat kuantike për të udhëtuar në kohë. Duke studiuar sjelljen e fotoneve, shkencëtarët treguan aspekte të çuditshme të fizikës moderne.
Në simulim, kërkuesit ekzaminuan dy rezultate të mundshme për një foton që udhëton në kohë. E para, “fotoni 1” do të udhëtonte përmes “vrimës së krimbit” drejt së shkuarës dhe do të ndërvepronte me versionin e tij më të vjetër. E dyta, “fotoni 2” udhëton përmes kohë-hapësirës normale, por ndërvepron me një foton, që ka ngecur në një lak udhëtues në kohë, përmes një “vrime krimbi”, i njohur si “kurba e mbyllur e kohës”.
Kërkimi u bë nga një grup shkencëtarësh në Universitetin “Queensland” në Australi dhe rezultatet u publikuan në revistën “Nature Communications” (“Komunikimet e Natyrës”).
Çfarë është një “vrimë krimbi”?
Koha dhe hapësira mund të përkulen dhe të shformohen. Nevojitet një sasi e madhe materieje dhe energjie, për të krijuar shformime të tilla, por teorikisht, ato janë të mundura.
Në rastin e “vrimës së krimbit”, kopja krijohet duke përkulur strukturën e kohë-hapësirës. Kjo i ngjan palosjes së një cope letër me dy shenja lapsi, të bëra mbi të, të cilat janë analoge me dy pika në kohë-hapësirë. Vija midis tyre tregon distancën nga njëra pikë në tjetrën, në një kohë-hapësirë normale.