Gjatë pranverës, teksa dhuna dhe kaosi përpinte me mijëra refugjatë në ujërat e vdekjes përreth Italisë, shkencëtarët u mblodhën në dyert e Romës për të diskutuar për një tjetër lloj katastrofe. Astronomët dhe fizikantët nga disa prej institucioneve kryesore botërore u grumbulluan për një perspektivë edhe më të keqe: një asteroid gjigant – i madh mjaftueshëm për të shkaktuar dëme epokale – mund të përplaset me tokën dhe vendet që mund të goditen janë ato më të varfrat dhe më të paqëndrueshmet në botë. Politikëbërësit kanë qenë të pavendosur nëse të mashtronin mbi këtë gjë apo ta shmangnin dhe disa shtete desh kanë hyrë në luftë lidhur me diskutimin nëse ai do të bjerë mbi ta apo mbi disa male shkëmbore.
Por, qetësohuni. Ishte vetëm një përgatitje. Po të kishte qenë një emergjencë e vërtetë, tashmë do t’ju jepeshin këshilla se si t’i jepnit puthjen e fundit botës.
Në luftën e kësaj loje asteroidësh ishin dy skaje amerikane, një nga bota shkencore dhe tjetra nga ajo ushtarake. Këta shtetarë të moshuar të asaj që quhet mbrojtje planetare kanë qenë përgjegjës për t’u rikujtuar politikanëve se planeti dhe jeta në të është vënë në rrezik nga disa shkëmbinj të mëdhenj që vijnë nga hapësira dhe që mund të përplasen me të.
Dave Morrison ka qenë një prej kërkuesve të parë që ka sugjeruar se ndryshe nga dinozaurët, që u shfarosën nga përplasja me një asteroid, ne humanët mund të jemi të aftë ta mbrojmë veten. Ish-Koloneli i Forcave Ajrore të SHBA-së, Lindley Johnson u mor në punë nga njësia shkencore planetare e NASA-s, pasi në vitet ’90 ai doli me tezën se Forcat Ajrore mund t’u bënin ballë asteroideve. Tani ai drejton Programin e vëzhgimit te NASA, NEO-n (Near Earth Object). Këta burra janë krenarë dhe kanë dalë në përfundimin se Pyetja e Madhe ka evoluar: Po sikur një kataklizmë shkëmbore nga hapësira të na godiste, çfarë do të bëjmë ne me të?
Kjo pyetje ka qenë fjala kyçe e atij takimi që u mbajt në një sallë konferencash në Frascati në mes të prillit. Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) ka ftuar astronomë, fizikantë, inxhinierë bërthamorë dhe matematicienë që të diskutojnë mbi mundësinë që një shkëmb hapësinor të përplaset me Tokën dhe të shkaktojë dëme rajonale ose madje edhe t’i japë fund njerëzimit. Qëllimi qe, sikurse ka qenë në gjashtë konferencat e fundit të Mbrojtjes Planetare, të shpërndahen informacione lidhur me identifikimin e kërcënimit të asteroideve dhe të metodave që të gjithë ne të shpëtojmë.
Shkencëtarët janë në gjendje të na thonë sot, me një përqindje të variueshme sigurie, se një objekt është rrugës për ta goditur planetin brenda rreth 200 vjetësh dhe ata besojnë se ne e kemi teknologjinë për ta ndalur këtë. Por askush nuk e di se sa qenie njerëzore mundet apo do të bashkëpunojnë për t’u përballur me një kërcënim të tillë planetar. Dhe, në një epokë kur shumë politikanë e mohojnë ndikimin e njeriut te ndryshimi i klimës, a mund të kemi besim tek ata se rreziku nga asteroidi është i vërtetë?
Dave Morrison, studenti i parë i doktoraturës te Carl Sagan, ka qenë një prej shkencëtarëve të parë që e ka paralajmëruar publikun për asteroidet më 1989-n me Katastrofat Kozmike, një libër të cilin ai e ka shkruar së bashku me astronomin Clark Chapman. “Përpara tridhjetë vjetësh nuk kishte kërkime për Objektet pranë Tokës (Near Earth Objects)”, tha ai. “Nuk kishte shumë njohuri dhe zor se gjeje ndonjë gjë për të studiuar”.
Qysh asokohe, fusha është rritur dhe ka përfshirë agjenci hapësinore kombëtare, Kongresin Amerikan, Kombet e Bashkuara dhe laboratorë të mbushur me matematicienë, fizikantë, inxhinierë, shkencëtarë raketash dhe madje edhe dizenjues armësh bërthamore. Falë përpjekjes së tyre, mbi 150 000 asteroidë janë tani të regjistruar në muzeun Smithsonian të Minor Planet Center. Mbrojtësit përllogarisin se ka dhjetëra apo qindra mijëra të tjerë që nuk mund t’i shohim, shumë prej të cilëve në peizazhin tonë të verbër, të fshehur nga dielli. Rreth 12 700 e të identifikuarave janë kategorizuar si NEO-t (Objektet Pranë Tokës, me orbita që shkojnë deri në 121 milionë milje nga orbita e Tokës). NASA përllogarit se rreth 1000 NEO mund t’i japin fund njerëzimit, pasi janë më të mëdha se gjysmë milje në diametër. Të tjerat nuk duken aq të rrezikshme, por 1600 të mbeturat e hartuara si NEO mund t’i drejtohen udhës për nga ne dhe një përplasje me to mund të vriste miliona njerëz.
Kalimtarët pranë Tokës
Kometa e parë u zbulua në shekullin e 17-të, edhe pse objekte si kometat janë pikasur përgjatë historisë dhe për ta ka të dhëna në tregime biblike dhe tregime të tjera të lashta. Asteroidët e parë u identifikuan në shekullin e 19-të, por vetëm në shekullin e 20-të ne zbuluam se disa syresh në fakt kalojnë në orbitën e Tokës. Shkencëtarët tani dinë se ka mijëra “Kalimtarë të Tokës” dhe se fatmirësisht Jupiteri dhe Saturni përthithin shumicën e asteroidëve që përndryshe do të godisnin Tokën.
Gjeologu Gene Shoemaker, një talent i shkencës, i cili është diplomuar te California Institute of Technology në moshën 19-vjeçare, në vitet ’50 po ekzaminonte krateret hënore për programin hapësinor të SHBA-së, kur doli në përfundimin se ato ishin përcaktuar nga impaktet. Më pas, ai u bë kreu i Qendrës Vëzhguese Gjeologjike amerikane të Astrogjeologjisë në Flagstaff, ku ai dhe skuadra e tij nisën të hartonin asteroidët dhe të studionin mekanikat e impaktit të meteoritëve. Gjetja e tij më e rëndësishme – në termat e mbrojtjes planetare – qe “Comet Shoemaker-Levy 9”, e cila u përplas në Jupiter më 1994-n; qe përplasja e parë jashtëtokësore që qeniet njerëzore fillimisht e parashikuan dhe më pas u bënë edhe dëshmitarë në kohë reale. Dhe kjo i bindi shkencëtarët se përllogaritje të tilla mund të bëhen edhe për Tokën.
Rreth të njëjtës kohë, gjeologu Valter Alvarez zbuloi një shtresë iridiumi të shkrirë në baltë në shtresën gjeologjike që ndan periudhat Kretake dhe Terciare – me fjalë të tjera, ndërmjet epokës së dinozaurëve dhe epokës tonë. Iridiumi është tejet i rrallë në Tokë, por i zakontë për meteoritët. Shumë shpejt gjeologët zbuluan elementë të ngjashëm iridiumi në të njëjtën shtresë gjeologjike në vende të ndryshme të botës dhe dolën në përfundimin se një përplasje katastrofike ka ndodhur rreth periudhës kur janë zhdukur dinozaurët. Shkencëtarët madje dinë edhe vendin se ku ra asteroidi që vrau dinozaurët, pak larg Gadishullit Yucatan, në Chicxulub të Meksikës.
Në dekadat në vijim, gjeologët kanë mësuar më shumë se si impaktet katastrofike jashtëtokësore e kanë ndryshuar planetin tonë; ata besojnë se hëna jonë në fakt është pasojë e një përplasjeje të dikurshme mes dy objektesh të përmasave të Marsit dhe Jupiterit gjatë 100 milionë viteve të para të historisë së Tokës. Pas asaj përplasjeje, Toka u shndërrua në një atmosferë tepër të nxehtë, e jetuar vetëm nga organizmat që i mbijetojnë të nxehtit të madh, një pjesë në brendi të shkëmbinjve dhe shumica në sipërfaqe dhe prej asaj u zhvillua e gjithë jeta e ardhshme. Objekte të shumta më të mëdha, me diametër nga 5 deri në 10 milje, si ai që shkaktoi zhdukjen e dinozaurëve, e kanë goditur gjithashtu planetin tonë, duke shkaktuar ndryshime më të vogla por jo më pak katastrofike.
Asteroidi i Princit të Vogël
Kur Chapman dhe Morrison botuan më 1989-n librin e tyre mbi katastrofat kozmike, ata trajtuan edhe një seri ngjarjesh kërcënuese, përfshi kometat, asteroidet dhe supernovat. Por që të dy menduan se skenari i përplasjes me asteroidin ishte më intriguesi sepse njerëzimi mund të bëjë teorikisht diçka për ta parandaluar që të ndodhë. Më 1990, përfaqësues të Kongresit e ftuan Morrison t’i paraqiste gjetjet e tij lidhur me rreziqet e shkëmbinjve hapësinorë. Pas një viti Kongresi e autorizoi NASA-n të studionte asteroidët dhe se si mund të shmangen ato.
Chapman dhe Morrison mblodhën së bashku ekspertët në astronomi, fizikë dhe gjeologji për ta studiuar problemin. Skuadra doli në përfundimin se asteroidet më të rrezikshme janë me diametër rreth një milje. Një shkëmb i tillë (me masën e një të dhjetës të atij që shfarosi dinozaurët) mund të ketë pasoja që mund të shkaktonin “fundin e njerëzimit”, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimaterike që do të sillte pluhuri që do të ngrihej nga përplasja dhe që do të shkaktonte urinë e miliarda njerëzve. Kështu që ata iu rekomanduan të gjithë vëzhguesve të qiejve t’i gjenin të gjitha objektet e atyre përmasave.
Komuniteti i mbrojtjes planetare afroi gjithashtu dizenjuesit e armëve bërthamore, të cilët rrezikonin të mbeteshin pa punë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke gjetur një treg të ri për ekspertizën e tyre. Ndërmjet tyre qe dhe vetë Dr Strangelove, Eduard Teller, një prej baballarëve të programit bërthamor të armëve amerikane. U përfshi gjithashtu edhe paqedashësi Carl Sagan. Këta dy burra kanë debatuar ashpër mbi armët bërthamore, por ranë dakord mbi idenë se armët bërthamore mund të na shpëtojnë nga asteroidi. Si shef i programi të NASA-s për asteroidët Johnson u fokusua tek asteroidet dhe e quajti punimin e tij Përgatitja për Mbrojtje Planetare. Pas 23 vjetësh në Forcat Ajrore, Johnson deklaroi se po dilte në pension më 2003, e listoi atë që të drejtonte Programin Objektet Pranë Tokës.
Një amerikan i tretë ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e mbrojtjes planetare. Russell “Rusty” Schueickart që astronauti i parë i Apollo-s që shkeli në hapësirë, në misionin Apollo 9. Më 2002, ai themeloi “B612 Foundation”. Schueickart iu përkushtua për disa dekada përzgjedhjes së teknologjisë së devijimit dhe të zbutjes. Ai i kërkoi gjithashtu disa miqve astronautë që të përfshiheshin dhe u mbështet te disa eksplorues të hapësirës, përfshi edhe astronautin Ed Lu, i cili tani drejton “B612 Foundation”. Schueickart ka udhëtuar anembanë botës duke nxitur përgjigjen e koordinuar globale. “Druhem se nuk ka një instinkt të mjaftueshëm mbijetese kolektive që të dalë mbi forcat centrifugale politike”, tha ai. “Kjo është në vija të përgjithshme arsyeja përse do të goditemi. Jo sepse teknikisht ne nuk e dimë se po vjen, ose se nuk mund të bëjmë gjë për të”.
Apofis, i pakrijuari
Kur një cunami i Oqeanit Indian iu mori jetën 230 000 njerëzve në 14 shtete më 26 dhjetor 2004, ai tërhoqi vëmendjen e botës dhe e errësoi një teori të njëkohshme për një apokalips edhe më të rëndë që paraqitej me Armagedonin. Vetëm 48 orë përpara tragjedisë, shkencëtarët bënë një përllogaritje alarmante: një shkëmb me diametër 0.8 milje nga shkëmbinjtë e hapësirës së errët po vinte drejt nesh, me një mundësi në 25 që të përplasej me Tokën më 2036, një përplasje me forcën e mundshme të 58,000 bombave si ajo e Hiroshimës. Tërmeti që shkaktoi cunamin nuk kishte as gjysmën e asaj force.
Ky shkëmb i mprehtë u quajt Apophis, në bazë të një zoti mitik egjiptian, “I pakrijuari”. Që prej dhjetorit 2004, astronomët në teleskopët në Porto Riko dhe Arizonë kanë mbledhur të dhëna të mjaftueshme për t’iu mundësuar shkencëtarëve të “Jet Propulsion Lab” në Pasadena, që mbajnë shënim objektet në orbitën pranë Tokës, të dilnin në përfundimin se Apophis kishte 2.4% mundësi të përplasej më 2029-n, dhe një mundësi alarmuese nga 25 që të përplasej me Tokën në një luhatje orbitale më 2036-n. Më pas, shkencëtarët e rishikuan parashikimin duke e ulur kërcënimin në një në 250 000 mundësi. Kur Apophis të bëjë qasjen e tij të afërt, ai do të kalojë ndërmjet nesh dhe satelitëve tanë dhe do të jetë i dukshëm me sy.
Për mbrojtësit e planetit, një ngjarje e tillë është shkak për gëzim, jo alarm. Ylli i mundshëm i vdekjes qe një arsye për t’i zgjuar politikanët dhe publikun. Imagjinata e publikut ishte përgatitur edhe më parë nga dy filma të Hollivudit që prej 1998-s (Deep Impact dhe Armageddon), që paraqisnin asgjësimin që mbërrin nga qiejt. Tani, pas katastrofës së vërtetë apokaliptike në formën e një cunami vrasës në Indonezi, dhe kërcënimit nga një asteroid, njerëzit presin përgjigje.
Ngjarja e fundit domethënëse e një asteroidi qe ajo që askush nuk mundi ta shihte. Më 2013-n, një qiell i mbushur plot me guriçka zjarri pushtoi zonën mbi Chelyabinsk, në Siberi, me një forcë të barabartë me një bombë bërthamore. Dritaret u thyen dhe 1000 njerëz shkuan në spital. Chelyabinsk iu dha mbrojtësve të planetit një tjetër leksion se çfarë është në gjendje të bëjë edhe një asteroid fare i vogël, pa patur impakt, por vetëm duke kaluar në qiell. Dhe ata e dinë se është çështje kohe përpara se një gjë e tillë të ndodhë mbi Nju Jork, Londër, Dehli apo Tokio.