A ishte Levizja Studentore e programuar nga Ramiz Alia?

A ishte Levizja Studentore e 'programuar' nga Ramiz Alia?
Vijon nga Artikulli : Demonstrata e 9 dhjetorit 1990 në sheshin "Skënderbe" dhe fillimet e Lëvizjes Studentore Shqiptare 1990-1991

Paradoksi ishte se regjimi nuk donte që të kishte një lëvizje studentore; megjithatë, eksperiencat e përbashkëta dhe përballja reale me regjimin krijuan një ndjesi shumë të fortë solidariteti që po shërbenin si një themel i vërtetë për një lëvizje të konsoliduar shoqërore. Si gjithnjë, elita sunduese kishte dashur një masë studentore që do të udhëhiqej nga kohorta e intelektualëve të tyre dhe të zgjedhur prej tyre, që, aspak habitshëm, ishin dhe mbetën anëtarë të Partisë së Punës deri në Janar 1991.

Megjithatë, më një shpejtësi të pabesueshme, studentët ishin në rrugën e transformimit në një lëvizje shoqërore, e para e këtij lloji gjatë 45 viteve të sundimit komunist në Shqipëri. Shumica dërmuese e studentëve që morën pjesë në këto ngjarje ishin jashtëzakonisht të sinqertë dhe po ashtu thellësisht të fyer nga trajtimi që ju kishte bërë policia dhe forcat speciale, trajtim i cili, më duhet të them, ishte mjaft i përmbajtur. Mbas atij momenti, jeta e tyre u ndërrua një herë e përgjithmonë; ajo ditë përcaktoi se çka prisnin ato nga jeta dhe me kë do të ishin të lidhur në veprimtarinë e tyre. Urrejtja për regjimin që i kishte rrahur, si dhe mundësia e një vale dënimesh u bënë vatra e solidaritetit në rritje dhe elementi themelor i sistemit të vlerave dhe të besimit të tyre që ishte i shndërruar një herë e përgjithmonë ani pse studentët nuk ishin transformuar në një lëvizje shoqërore të mirëfilltë.

Masë Studentore apo Lëvizje Shoqërore?

Më sipër kam theksuar se studentët po transformoheshin në një lëvizje por që ende nuk ishin transformuar në një lëvizje shoqërore të mirëfilltë. Deri në pasditen e 9 dhjetorit ato ishin një masë studentore të pakënaqur por edhe pa struktura të konsoliduara e qëllime të qarta. Në të gjitha demonstratat nuk kishte kundërvënie të mirëfilltë të regjimit, struktura të udhëheqjes e me radhë. Por ky problem sqarohet kur analizohet koncepti i lëvizjes shoqërore.

Lëvizja shoqërore ka në thelb katër karakteristika të ndërlidhura: a - mospajtimin kolektiv të individualëve; b - të cilët kanë qëllime të përbashkëta; c - që veprojnë në solidaritet me njëri tjetrin në një kontekst të caktuar shoqëror; dhe d - që janë në bashkëveprim të vazhdueshëm me elitat, më kundërshtarët e regjimit dhe me autoritetet e shtetit.

Në fillim, masa studentore nuk i kishte këto karakteristika të lëvizjes. Ato ishin një masë individësh që kishin përvoja, shpresa, qëllime dhe kërkesa shumë të ndryshme nga njëri tjetri shpesh edhe të papajtueshme në mes tyre. E vetmja gjë që i lidhte atë masë studentore ishte identifikimi me opozitën karshi sistemit ekzistues. Studentët nga rrethet nuk e donin regjimin, ashtu si edhe studentët nga kryeqyteti por arsyet ishin krejtësisht të ndryshme. Studentët kishin filluar të vepronin në solidaritet me njëri tjetrin, por ato nuk kishin qëllime të qarta politike dhe nuk bashkëvepronin në mënyrë sistematike me elitat, kundërshtarët e regjimit dhe më autoritetet partiako-shtetërore. Çka i bën këto probleme akute është fakti se të dy këto elemente kërkojnë një ideologji të qartë dhe një platformë politike, e cila të përcaktojë qëllimet dhe mënyrat për t'i arritur ato.

Mbi të gjitha, këto dy elemente kërkojnë një udhëheqësi të qartë. Nuk ka një lëvizje, e cila nuk ka një udhëheqësi të qartë që i mbështet veprimet e saj në një sistem koherent vlerash. Studentët që u takuan me Alinë natën e 8 dhjetorit nuk e dinin se çka donin, ata nuk dinin as çka donin edhe në takimin me Alinë të 11 dhjetorit 1990. Nevoja për këtë drejtim që vetëm bartësit e një sistemi koherent vlerash mund ta japin u pa qartë gjatë procesit të shpërthimit revolucionar dhe të radikalizimit të studentëve dhe të situatës. Situatat revolucionare janë revolucionare pikërisht për shkak të ndryshimeve radikale në sistemin e vlerave të individëve që marrin pjesë në këto evenimente, të identifikimit të përbashkët me një sistem besimi dhe të rolit shumë të ndjeshëm që luajnë udhëheqësit si në përmbushjen e qëllimeve të masës ashtu edhe në influencimin dhe formësimin e tyre. Megjithatë, testi i përhershëm i veprimit është pajtueshmëria e veprimeve me vlerat themelore të masës.

Fillimi i përplasjes të sistemeve të vlerave dhe transformimi i masës në lëvizje

Në këtë kontekst duhet thënë se mekanizmat e sistemit kishin nënvlerësuar disa elemente shumë të rëndësishme; së pari ato kishin nënvlerësuar thellësinë e lidhjeve personale, familjare, kulturore e rajonale si dhe miqësitë e bazuara në besimin reciprok të cilat nuk mund të kontrolloheshin prej regjimit por që edhe në të njëjtën kohë kishin ekzistuar paralel me të. Së dyti, ato nënvlerësuan rëndësinë e sistemeve të tjera të vlerave shumë prej studentëve përqafuan sisteme të gatshme vlerash dhe këtu dallohen ideologjia e gatshme e nacionalizmit shqiptar si dhe sistemi i vlerave të kundërta të regjimit, nemesis e tij, sistemi kapitalist.

Studentët kishin nevojë për një qëllim dhe për një mision. Për të pasur një mision ato duhej të kishin një sistem të patundshëm vlerash dhe modele se si duhej të silleshin. Pothuajse menjëherë mbas demonstratës së 8 dhjetorit, e si ndodh gjithmonë, në mënyrë thuajse të pavetëdijshme por thelbësisht racionale, ato ishin vënë në kërkim të atij sistemi e të modelit. Kristalizimi i tre sistemeve të ndryshme dhe të papajtueshme të vlerave ishte jo vetëm i dallueshëm në çka studentët kërkonin por ai kishte filluar të polarizonte dhe masën e studentëve. Këto tre ideologji ishin bazuar pikërisht në prezencën e tre platformave të ndryshme politike të mbështetura në ideologjinë e klasës sunduese, në vlerat e nacionalizmit shqiptar të Rilindjes Kombëtare, dhe në ideologjinë e sistemit kapitalist, që në mendësinë e tyre ishte e identifikueshme me tregun e lirë dhe më konsumerizmin europiano-perëndimor.

Këto tre sisteme vlerash dhe individët që i propagandonin ato sisteme po luftonin që të fitonin besimin e studentëve. Çka e bënte gjendjen më të komplikuar ishte se këto sisteme vlerash nuk janë në thelb të papajtueshme. Studentët që vazhdonin të besonin se sistemi mund të reformohej besonin shumë se Alia do të bëhej 'Reformatori i Madh' dhe se ndryshimi do të ishte në të mirë të të gjithëve me demokratizimin e mëtejshëm të sistemit. Grupi i dytë, synonte ndryshime, të cilat do të ishin radikale në ekonomi, në hapjen karshi botës dhe në vendosjen e një sistemi demokratik. Grupi i tretë kërkonte të ndryshonte sistemin në një sistem demokratik, por jo se "duhej të shkonim tek Europa" por, sepse "ishte në natyrën e shqiptarëve" që të ishin një popull i lirë dhe demokratik. Si në çdo periudhë tranzicioni, kombi është forma e organizmit shoqëror që është natyrshëm e mbështetur në do të vërteta që janë të qarta dhe të lidhura me të nga përkufizimi si drejtësia shoqërore, barazia dhe vëllazëria.

Disa studentë i mbështetën veprimet e tyre në vlerat themelore të nacionalizmit shqiptar, disa të tjerë i pranuan ato si të natyrshme dhe të tjerët po ndiqnin modele të cilat i njihnin. Përgjegjësia historike filloj që të ndjehej edhe në debatet e proceset e vendimmarrjes. Përplasja midis intelektualëve "pragmatikë" dhe të mençur, të studentëve që i mbështesnin dhe të elitave komuniste nga njëra anë dhe të studentëve që gjykonin çdo veprim se sa mirë i shërbente kombit të tyre në anën tjetër u bë shumë intensive dhe e papajtueshme. Paaftësia e elitave sunduese për të kontrolluar studentët nëpërmjet "dueteve" dhe "trojkave" të zgjedhura me kujdes u pa qartë në pasditen e 9 dhjetorit. Kjo përplasje do të çonte në mbylljen e universitetit dhe në bashkëfajësinë e tyre në fitoren e regjimit që çoi në ngufatjen e Lëvizjes Studentore në mars 1991. Ia vlen që këto kontradiktat dhe sistem vlerash të ilustrohen me një argument nga ndodhitë e asaj kohe.

Demonstrata e 9 dhjetorit 1990 në sheshin "Skënderbe" dhe polarizimi i studentëve.

Pasi regjimi ia kishte arritur që t'i përmbante studentët në dy demonstratat e tyre të njëpasnjëshme të mbrëmjes së 8 dhjetorit e të paradites së 9 dhjetorit, studentët po radikalizoheshin me shumë shpejtësi. Ndërsa qytetarët e kryeqytetit ishin të dhënë pas ndeshjes së futbollit që do të luhej vetëm disa qindra metra nga "Qyteti Studenti" (rreth 20,000 vetë shkuan në stadium) studentët ishin duke rrahur mendime se çka duhej bërë tash e tutje.

Si u tha edhe më parë, studentët po organizoheshin në tre grupe që po kristalizoheshin me të shpejtë dhe po konsolidoheshin rreth tre ideologjive të ndryshme, të cilat edhe sugjeronin tre rrugë të ndryshme për tu ndjekur. Studentët që nuk mund të konceptonin politikën përjashta reformimit të regjimit ekzistues filluan të shkoqiteshin e të binin në anët e masës studentore dhe të adoptonin një pozicion më esëll, "prit e të shohim se çka do ndodhë." Të dy grupet e tjera ishin për veprim, por një pjesë e madhe e studentëve ishin nën influencën e Azem Hajdarit dhe të disa pjesëmarrësve të tjerë në "demonstratën" e 8 dhjetorit. Nën influencën e qartë të Berishës dhe të Besnik Mustafajt, Hajdari e kishte të formësuar planin i cili parashihte që studentët do të protestonin vetëm brenda kufijve të "Qytetit Studenti", ekzaktësisht çka, e pikë së pari, regjimi donte të arrinte. Ia vlen të theksohet se deri në atë pikë, por as atëherë, Hajdari dhe grupi i tij nuk kishin bërë asnjë kërkesë politike për be.

Grupi tjetër me radikal dhe më luftarak i studentëve, ende jo fort i konsoliduar, por mjaft i strukturuar dhe i lidhur me një qëllim të qartë donte ta çonte demonstratën tek populli i Tiranës, ta transformonte atë në një lëvizje të të gjithë popullit dhe të kërkonte demokraci e pluralizëm. Pjesë e këtij grupi kam qenë edhe unë edhe shokët e shoqet e mia, Andi Baba, Ermal Hasani, Artan Pervaza, e shumë e shumë të tjerë që kërkoj ndjesë që nuk iu përmend emrin këtu.

Arsyet e dhëna nga grupet e ndryshme për të justifikuar këto dy rrugë të ndryshme veprimi, si dhe individët që dolën si udhëheqës të dy grupeve tregonte qartë se studentët ishin po ashtu të ndarë. Me kthimin në "Qytetin Studenti" të këtij grupi që kishte organizuar edhe përpjekjen e 7 dhjetorit, situata u polarizua keqas. Nga ora 16:00 ishte krejtësisht e qartë se studentët ishin të polarizuar dhe se kishin pikëpamje krejtësisht të ndryshme se çka duhej bërë.

Në njërën anë qëndronte Azem Hajdari dhe grupi i tij që argumentonte se studentët duhej të qëndronin në "Qytetin Studenti" dhe të përqendroheshin në kërkesat e tyre (ujë, drita, ushqim më të mirë dhe refrenin "Shoku Ramiz, ju lutemi të arrestoni ato policët na kanë rrahur padrejtësisht"). Në thelb të kësaj pozite qëndronte izolimi i studentëve nga populli i Tiranës dhe këto ishin të vendosur që ta shmangnin këtë rrugë të shkrirjes së studentëve me popullin me çdo kusht. Çfarë përfitimi do të kishte regjimi po të lejonte popullin dhe studentët që të përziheshin bashkë? Regjimi rrezikonte të humbte shumëçka po të ndodhte një gjë e tillë. Studentët mund të përmbaheshin, por jo edhe populli i Tiranës. Jo rastësisht ato kishin pritur me shumë durim sezonin e provimeve kur vetëm, e më pak se gjysma, e studentëve rrinin në konvikte.

Në anën tjetër ishin studentët që ngulmonin që demonstrata duhej të çohej tek populli i Tiranës. Qëllimi ishte që të arrihej transformimi i sistemit nga një sistem totalitar në një sistem demokratik, dhe këtë nuk mund ta bënin studentët; këtë duhej ta bënin studentët bashkë me popullin. Probleme të tilla si uji, dritat dhe ushqimi më i mirë dukeshin krejtësisht të parëndësishme, dhe nga këndvështrimi i këtij grupi plotësisht të marra dhe të pakuptimta. Argumenti ishte se studentët nuk mund të fitonin pluralizmin për popullin po të rrinin ku ishin, të izoluar dhe duke kërkuar ujë të nxehtë. Studentët kërkuan një takim të përgjithshëm, por ora e takimit qëllimisht u shty shumë vonë në mbrëmje nga grupi i Hajdarit.

Megjithatë, pavarësisht nga Hajdari dhe nga pjesa tjetër e të ashtuquajturve "udhëheqës", ndërsa shumica dërmuese e studentëve mbetën në "Qytetin Studenti", qindra studentë, shumë nga godina 6, por edhe nga godina e fakultete të tjera filluan të zbrisnin drejt qendrës së kryeqytetit. Vendimi ishte marrë që të zbrisnin në grupe të vegjël, pa ngjallur dyshim dhe duke përdorur të gjitha justifikimet si "po shkoj të pres motrën tek stacioni i trenit" dhe "më duhet të marr pyetjet e provimeve tek një shok". Shumë studentë mundën që të linin "Qytetin Studenti" në këtë mënyrë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama