7 arsyet e Rames per te hapur dosjet

Kryeministri Rama foli për nxjerrje nga “varri” të dosjeve të komunizmit, por a do të mund t’i hapë ai ato?! Nëse po, cilat janë arsyet pas rikthimit në skenë të dosjeve të Sigurimit të diktaturës dhe debatit 24-vjeçar rreth tyre? A do përdoren ato për të sulmuar kundërshtarët, ‘pastruar’ sistemin e drejtësisë?! Çfarë përfiton kryeministri prej hapjes?! Një histori plot makthe e mite, që duhet të marrë fund me hapjen e kutisë, nëse këtë herë kjo do të ndodhë vërtet.

Hapni dosjet! Të hapen dosjet! Do hapen dosjet! Dosjet! Në zyrat e arkivit të Ministrisë së Brendshme, një radhë që na takoi të vizitonim këtu e 5 vjet më parë, dosjet janë hallakatur gjithandej. Diku në dollapë, diku në tavolina, diku në dengje e të tjera në kasaforta. Era e mykur e letrës së vjetër, pluhuri dhe me gjasë edhe faji mbi jetë njerëzish që ato mbajnë e bën të zymtë e mbytëse atmosferën. Pak a shumë duhet të jetë njësoj si 5 katet nëntokë të bunkerit antibërthamor prej ku kryeministri Edi Rama për të disatën herë, numërimi është i pamundur, premtoi hapjen e dosjeve. Rama, si kryeministër, e ka këtë për herë të parë. “Kjo është arsyeja pse ne do t’i hapim të gjitha këto ‘varre’ të kujtesës. Nga këto që janë në formë godinash, tek ato që janë në formë tunelesh dhe tek ato që janë në formë dosjesh…”,- tha ai në fjalën me rastin e hapjes së Bunk’art në Shish-Tufinë brenda bunkerit që do strehonte udhëheqjen në rast lufte. Por, a do të hapen dosjet?! E sigurt është që shumica e Shqipërisë dhe shqiptarëve besojnë se ato duhej të ishin hapur me kohë e se me gjithë vonesën koha për t’i hapur nuk ka shkuar ende. Të hedhura andej-këndej në zyra e bodrume arkivash ku kalben ato mbajnë peng jetët e dhjetëra njerëzve, ndërsa me gjasë, mbajtja e tyre u ka dhënë mundësinë dhjetëra të tjerëve të ecin në karrierë e politikë të pashqetësuar përpos thashethemnajës që mund t’i ketë rrethuar apo pseudonimeve që botoheshin me lista dhe përmendeshin për kunja në Kuvend.

Kryeministri ka të drejtë. Dosjet duhej të ishin hapur, por meqë kjo nuk ka ndodhur, ato duhet të hapen tani. Qoftë edhe siç thotë ai “…për t’u dhënë mundësi vajzave dhe djemve të gjeneratës tjetër që të kuptojnë se nga vijnë prindërit, nga vijnë gjyshërit, nga vjen vendi i tyre”. Nga ana tjetër, kryeministri edhe pse thotë që nuk është dakord që “që përmes së shkuarës të merret peng e ardhmja”, ashtu siç paraardhësi i tij nuk duket se u kujtua krejt pa pandehur për ekzistencën e arkivit të zymtë dhe me gjasë të neveritshëm të diktaturës. (Burra që tradhtojnë gratë jo në shtretër, por në zyra Sigurimi, gra që bëjnë të njëjtën gjë me burrat. Vëllezër, motra dhe sigurisht mjeshtërit që e përdorën gjithë frikën e tyre nën torturë apo shantazh për të ngritur karriera. Shumë dyshojnë se mjaft prej tyre janë edhe sot në rangjet më të larta të politikës në vend.) Hapja e dosjeve do të ketë një sërë pasojash. Për shumë, ajo do të jetë një veprim katarsisi i shoqërisë edhe pse i vonuar që do të vërë njerëzit përballë së kaluarës, por pasojat e saj nuk janë kaq teorike pasi veprimi do të prekë drejtpërdrejt jetën politike në vend dhe pushtetet. Ajo që pranohet nga të gjithë është fuqia e atij që ka dosjet në dorë. Janë shtatë arsyet pse Rama e ndërmerr një iniciativë të tillë, që vërtiten mes pragmatizmit politik të ditës dhe përfitimeve afatgjata dhe njëkohësisht si justifikim i historisë së tij politike.

Në këtë rast Rama do të ketë avantazhin të godasë rëndë kundërshtarët politikë djathtas, duke i sulmuar drejtpërdrejt nëse do të dalin në dosje dhe duke u hequr një kauzë të cilën ata e përdorin shpesh kundër tij. Ai po ashtu do të zbehë peshën dhe “lajë hesapet” me rivalët dhe peshat e rënda në PS apo LSI, që kanë pasur poste të rëndësishme edhe para ‘90-ës. Në një plan afatshkurtër, ai do të krijojë zhurmë për të mbuluar problemet e vitit të parë të qeverisjes. Nëse do i shkojë në fund procedurës, do mund të pastrojë nga të vjetrit të lënë nga Berisha sistemin e drejtësisë, duke hapur edhe rrugën për reformimin të tij ose kontrollit prej tij. T’i japë vetes statusin e antikomunistit, qoftë edhe për të shpëtuar nga akuzat e fundit për  shkarje në “enverizëm”. Dhe ndoshta të vërë në jetë atë që planifikonte në vitet 90’ si një nga personat më radikalë antidiktaturë duke plotësuar kështu politikisht veten.

Pushteti i dosjeve

Ashtu si më parë ish-kryeministri Sali Berisha, Rama me gjasë do i përdorë dosjet për të shtyrë përpara politikat dhe projektet e tij. Dosjet i japin automatikisht pushtet atij që i zotëron ato. Pushtet jo të vogël, për sa kohë edhe pas 24 vjetësh debati për to mbetet i zjarrtë dhe ngurrimi për të shkuar në hapjen e tyre jo i pakët. Hera e fundit që pati një vendim për hapje dosjesh ndërsa PD ishte në pushtet ishte 2009. Ligji u kalua gati me urgjencë në Kuvend. Edhe pse teorikisht ai duhej të sillte hapjen e dosjeve, e vetmja gjë që kreu me sukses ishte presioni ndaj prokurorisë dhe konkretisht drejtuesve të hetimeve për Gërdecin dhe çështje të tjera që preknin shumicën e asaj kohe. Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla dha dorëheqjen pas sulmeve publike edhe nga vetë kryeministri i kohës. Pas kësaj, ligji që kishte marrë një sërë kritikash nga Bashkimi Europian u rrëzua si antikushtetues. Në të njëjtën formë hapja e dosjeve është përdorur edhe më herët, qoftë edhe thjesht për të tërhequr vëmendjen nga situata politike apo ekonomike në vend apo nga ndonjë skandal i pushtetit. Hapje dosjesh ama nuk ka pasur.

Vëmendje e zhurmë

Edhe pse nuk duhet paragjykuar, Edi Rama mund të jetë duke synuar të njëjtën gjë. Që do të thotë se hapje dosjesh mund të mos ketë. Dita e madje dhe ora e zgjedhur për të dhënë lajmin përkonin çuditërisht me protestën e opozitës. Kjo e fundit për herë të parë pas rrëzimit kishte gjetur forcat për të qenë serioze në shesh, falë edhe pakënaqësive të krijuara prej qeverisjes. Dosjet për shumë mund të lexohen si kundërpërgjigja e Ramës në këtë situatë. Me futjen e tyre në skenë, duke ditur sa shumë dhëmbin, Rama po ashtu e ka të qartë se ato do të tërheqin mjaftueshëm vëmendje për ta ndarë këtë me operacionet e bujshme të qeverisë, për energjinë apo ndërtimet, por dhe reformat e ashpra dhe skandalet apo ndonjëherë edhe shashkat kundër qeverisë. Kështu pa e vënë në dyshim vullnetin e kryeministrit, që është investuar që herët edhe pse pa shumë bujë dhe të lënë në harresë në një ligj hapje dosjesh e lustracioni të përgatitur nga Ministria e Mirëqenies Sociale, koha e zgjedhur tregon në njëfarë mënyre se ai kërkon ta përdorë vëmendjen që tërheq misteri që mbahet në dosje për të ndihmuar politikat e tij.

Kundër së djathtës

Më shumë se kaq, ashtu si Berisha edhe Rama nuk mund të jetë imun nga përdorimi i letrave për të vënë me shpatulla në mur kundërshtarët. Ish-kryeministri Sali Berisha, njeriu më i ashpër ndaj komunistëve mund të jetë shënjestra e parë. PD është përfolur ashtu si Partia Socialiste se ka strehuar jo pak bashkëpunëtorë të sistemit. Madje ka prej atyre që thonë se ka 30 të tillë në nivele të larta të politikës nga të dyja kampet kryesore. Ndërkohë, i vetmi reagim prej shumicës ishte ai i ish-ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, që u lexua të paktën nga mediat majtas si kundërshtim për planin e kryeministrit. Halimi tha se Rama duhej të hapte dosjet e korrupsionit të qeverisë së tij dhe të mos provokonte. Duke e akuzuar atë edhe për rehabilitim të diktatorit.

Rrëmbimi i kauzës së PD dhe antikomunizëm

Vetëm pak ditë pasi kryeministri kishte shpallur qëndrimin e tij një deputete e opozitës, Mesila Doda, ish-studente e Dhjetorit, ishte në krah të nismës së Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut dhe bashkë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, njoftuan një draft-ligj për lustracion dhe hapje dosjesh. Duke sulmuar shumicën se po tentonte të lante duart nga enverizmi, Doda tha se “do kërkoj me këmbëngulje dhe do mbështes nismën jo vetëm për hapjen e dosjeve, por veçanërisht për t’i hapur rrugë procesit të lustracionit. Nuk ka hapje dosjesh pa largimin e ofiqarëve, spiunëve, dëshmitarëve, ish-zyrtarëve të inkriminuar, nga instancat e larta shtetërore, nga Parlamenti, nga drejtësia, ekzekutivi”. Zyrtarisht sidoqoftë, opozita nuk ka mbajtur qëndrim rreth projektit të qeverisë dhe as projektit që Doda përkrahu bashkë me Shpëtim Idrizin. Por, nëse kryeministri e avancon projektin e tij, ai me gjasë do të jetë flamurtari i hapjes së dosjeve dhe njëkohësisht akuzat e opozitës ndaj tij për enverizëm apo për lidhje me të shkuarën do të zbehen. Rama kështu do të ketë statusin e antikomunistit dhe do ta “zhveshë” kundërshtarin, të akuzuar prej vitesh se nuk e ka çuar procesin asnjëherë në fund nga kauza. Fakti që sulmet e ashpra ndaj tij në Kuvend janë fokusuar pikërisht në këtë pjesë, të bën të besosh se kryeministri mund të kërkojë “shpëtimin” nga akuzat pikërisht në hapjen e dosjeve.

Senatorët në shumicë

Ndërkohë edhe nga shumica qëndrimet nuk kanë qenë të zëshme. Disa deputetë kanë mbështetur nismën e Ramës duke i vënë kësaj edhe prapashtesën “gjermane” për të nënkuptuar modelin e Berlinit në këtë fushë, që shihet si më i buti. Ajo që dihet është se, në rast se Rama do i shkojë deri në fund këtij procesi, ai nuk do godasë vetëm në opozitë. Dosjet do hapin probleme edhe majtas dhe shumë mund ta interpretojnë vullnetin e Ramës në këtë pikë edhe si një përpjekje për të shmangur nga skena kundërshtarë brenda partisë. Emra jo pak të rëndësishëm të së majtës, figura të vjetra të saj brenda dhe jashtë Kuvendit mund të “goditen” dhe nxirren jashtë loje duke u goditur kredibilitetin dhe pamundësuar kandidimin në zgjedhjet e ardhshme. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, partneri i Ramës në qeverisje, në një intervistë të fundit ishte dakord me hapjen, por jo fort i bindur për atë që do të gjendej brenda tyre, duke përmendur se një pjesë ishin prekur dhe manipuluar. “Natyrisht, fakti që nuk është bërë me konsensus, që është bërë me qëllime politike, për të goditur dikë, apo për të mbrojtur dikë tjetër, fakti, sikurse edhe pranohet nga ish-drejtues të këtij shërbimi, që një pjesë e madhe e dosjeve janë prekur apo manipuluar, pra integriteti i tyre është i diskutueshëm, kanë bërë që të mbetet gjithmonë si temë interesante. Unë mendoj se ato mund të hapen për elemente që nuk dëmtojnë sigurinë kombëtare”, tha Meta në një intervistë për Eni Vasilin. Megjithatë, ai beson se për transparencë dhe për ta shpëtuar vendin nga një debat që përsëritet, dosjet duheshin hapur.

Pastrim të drejtësisë

Ish-kryeprokurori Arben Rakipi tha po ashtu për “Shekullin” se dosjet duhen hapur. Ai thotë se në këtë rast ka edhe vullnet politik për këtë, duke lënë të kuptohet se një i tillë ka munguar më parë. “Duhet të kishte ndodhur, pse duhet të prisnim mbi 24 vite që çështja e dosjeve të mbetej e errët edhe më tej. Tani që ka vullnet, mendoj se nuk duhet humbur kohë, madje sipas meje, klasa politike duhet të përshpejtojë”, tha Rakipi.

Vullneti në këtë rast, përveç asaj që mund të shihet si qëllimi i Ramës për të mbyllur hesapet me të kaluarën dhe shpëtuar veten nga akuzat për “enverizëm”, ka lidhje jo të vogël edhe me qëllimin e kryeministrit për të ndryshuar e kontrolluar gjyqësorin. Ai e di se barriera kryesore në proces janë gjykatës dhe prokurorë të vjetër, të cilët do të ishin të parët që do të pësonin nga hapja e dosjeve. Emrat e mjaft prej tyre janë diktuar me kalimin e viteve, por një pjesë me siguri janë ende në krye të hierarkisë; hapja e dosjeve dhe lustracioni do i mundësonte Ramës zbrazjen e vendeve në rangjet e larta të drejtësisë pa qenë nevoja për “luftë” të gjatë dhe duke shmangur edhe rezistencën që mund të gjente te Presidenti i Republikës, i cili është shprehur po ashtu pro hapjes së dosjeve.

Moralitet dhe justifikim i historisë politike

Kalimi i Ramës nga e djathta radikale në fillim të viteve ‘90 kur bashkë me avokatin Spartak Ngjela kërkonin masa më ekstreme ndaj ish-pushtetarëve të sistemit, në krye të PS ka qenë një proces jo pak i “përqeshur” dhe ndonjëherë i parë me mosbesim edhe majtas edhe djathtas. Berisha vetë e ka sulmuar më shumë se një herë Ramën, duke ironizuar se ishte aty për të shkatërruar PS. Por, ndërsa kryeministri nuk ka arsye për të goditur forcën politike me të cilën drejton vendin, ai mund të ketë arsye për të rikthyer në skenë atë që ka menduar në fillim të viteve ‘90. Kjo do ta bënte më të pranueshëm kapërcimin politik që ai ka bërë. Njeriu me të cilin Rama bashkëpunoi në ato vite, avokati Spartak Ngjela e ka sfiduar me mosbesim mundësinë që kjo të ndodhë. Duke thënë se hapja e dosjeve do i mundësonte shoqërisë  të ndryshonte jetë, ai thotë se Sigurimi kontrollon mjaft jetën politike në vend dhe se kjo e ka pamundësuar hapjen e dosjeve. “Por këtë mund ta bëjë vetëm një burrë shteti, të cilit më shumë i dhemb moraliteti shoqëror i shoqërisë së tij, sesa pushteti personal, qoftë dhe me hapsat e kashtës në dorë”, shkroi dje Ngjela duke shprehur mosbesimin se Rama do ta ndërmerrte një hap të tillë.

Ç’do gjejmë dhe si

Ndërkohë edhe pse nuk ka një shqyrtim konkret, mjaft besojnë se një pjesë e dosjeve është shkatërruar. Ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta e mjaft të tjerë dyshojnë se dosjet mund të gjenden të pacenuara. Mjaft madje dyshojnë se ato mund të jenë modifikuar me qëllim. Megjithatë, domosdoshmëria mbetet. Shqipëria e ka të pamundur të vazhdojë të heqë zvarrë një proces, ndërkohë që kalimi i viteve e ka bërë këtë gjithmonë e më pak të rëndësishëm. Ambasadori i Gjermanisë, Helmut Hoffman, vendi i të cilit e realizoi procesin e hapjes së dosjeve fill pas rënies së Murit të Berlinit dhe shembullin e të cilit thuhet se po ndjek Shqipëria, paralajmëroi një proces të vështirë. “Ky është një proces shumë i shëndetshëm, por mund të krijojë probleme nga më të ndryshmet. Për shembull, në mediat gjermane ka pasur histori që tregonin se burri ka spiunuar gruan”, tha Hoffman.

Ajo që mbetet për t’u parë është se cili ligj do përdoret për hapjen e dosjeve. Qeveria me gjasë ka në duar një draft. Nga ana tjetër ka edhe një draft të paraqitur nga dy deputetë të opozitës, Idrizi dhe Doda dhe shoqëria civile. Të dy theksojnë se janë të bazuar në shembullin gjerman, ndërsa besohet se ndryshimi është në peshën që i jepet në drafte lustracionit. E majta mund të mos jetë aq e ashpër në këtë drejtim, ndërsa drafti i propozuar nga Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut mund të jetë më i rreptë. E gjithë kjo sidoqoftë mbetet një histori më shumë të panjohura. Ashtu siç janë të panjohur dhe dyllosur me mister e ankth dosjet e Sigurimit. A do të shpëtojë Shqipëria më në fund prej tyre?! A do të kemi një histori të qartë dhe emra konkretë të atyre që janë përgjegjës për krimet e diktaturës dhe nga ana tjetër, cilët kanë qenë përfituesit e mbajtjes për kaq kohë peng të procesit?! Arsyet e Ramës mund të mos jenë vetëm dosjet dhe katarsisi, por Shqipërisë i duhet hapja e dosjeve për të shpëtuar prej tyre dhe miteve rreth tyre. Hapni dosjet!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama