5 fakte te cuditshme qe e shkaktojne

5 fakte te cuditshme qe e shkaktojne
Duhani, obeziteti dhe dietat e pashëndetshme janë faktorët më të  njohur që shkaktojnë kancer, por ekziston edhe një numër i vogël faktorësh të panjohur që japin të njëjtin efekt

“Armët më të mira kundër kancerit janë parandalimi, kujdesi dhe marrja e veprimeve në kohën e duhur”, shprehet Dr. Mehmet Oz. Përveç stërvitjes dhe ndjekjes së dietave të shëndetshme, ka edhe disa praktika të tjera që mund të na ruajnë nga kanceri. Shoqëria amerikane kundër kancerit ka hartuar një listë me pesë faktorët që shtojnë rrezikun ndaj kancerit, për të cilat njerëzit janë shumë pak të vetëdijshëm.

1. Puna në turnet e natës. Femrat që punojnë në turnet e treta për të paktën tre net në muaj, për shembull infermieret dhe policet, përballen me një rrezik të madh ndaj kancerit të zorrës së trashë ose atij të gjirit. Ky studim është kryer nga Shoqëria Amerikane kundër Kancerit dhe është publikuar në revistën shkencore “American Journal of Epidemiology”. Për sa i përket meshkujve që punojnë në turnet e natës janë tri herë më të rrezikuar nga kanceri i prostatës sesa ata që punojnë në turnet e tjera. Studimi i hartuar nga shkencëtarët e Universitetit Kuebek zbuloi se punëtorët që punonin natën ishin më të rrezikuar nga kanceri i mushkërive, zorrës së trashë, fshikëzës dhe pankreasit. Kërkuesit këshillojnë se kjo mund të vijë si pasojë e ndryshimit të nivelit të melatoninës, hormoni që i përgjigjet ndryshimit të dritës. Edhe humbja e gjumit mund të jetë një tjetër faktor. Çfarë mund të bëni për këtë?

Nëse nuk mund të ndërroni oraret tuaja të punës, ekspertët këshillojnë të merrni ilaçe që përmbajnë melatoninë dhe që të flini mjaftueshëm gjumë gjatë ditës, mundësisht në një dhomë të errët për të rritur kështu sistemin tuaj imunitar. Disa kompani janë duke eksperimentuar me lloje të ndryshme dritash artificiale, të cilat nuk ndikojnë në prodhimin e melatoninës.

2. Pilulat për kontrollin e lindjeve. Femrat janë mësuar të përdorin pilula që parandalojnë shtatzëninë e padëshiruar, por është zbuluar se duke vepruar kështu ato ekspozohen ndaj një rreziku edhe më të madh: kancerit të gjirit. Shoqëria Amerikane kundër Kancerit vëren se femrat që marrin pilula janë më të prekura nga kanceri sesa ato që nuk i marrin. Nëse ndalohet marrja e pilulave, duket se edhe niveli i rrezikut kthehet në normalitet. Femrat që nuk kanë marrë kontraceptivë oralë për më shumë se 10 vjet, nuk janë më të rrezikuara ndaj kancerit të gjirit.

Hormonet janë fajtorët e mundshëm, shprehen studiuesit. Faktorë të tjerë mund të jenë edhe hormonet femërore, si për shembull menstruacionet e hershme, menopauza e vonë dhe terapia me estrogjen, që mendohet se ndikon në shtimin e rrezikut të kancerit të gjirit. Çfarë mund të bëni rreth kësaj? Nëse përdorni kontraceptivë oralë, ekspertët ju këshillojnë të diskutoni me mjekun tuaj në lidhje me rreziqet që ju kanosen. Ekziston mundësia që të balanconi kontraceptivët me mënyra të tjera të jetesës së shëndetshme. Për shembull mund të bëni ushtrime fizike, të ushqeheni shëndetshëm apo edhe të lindni fëmijë para moshës 30 vjeç, duket se të gjitha këto ulin nivelin e rrezikut ndaj kancerit të gjirit.

3. Ekspozimi i paktë në dritë. Dihet tashmë se qëndrimi i gjatë në dritë ka efekte negative, pasi rrezet ultraviolet mund të shkaktojnë kancer të lëkurës. Ajo që është zbuluar së fundmi është se drita e diellit aktivizon disa lëndë kimike në lëkurë, të cilat prodhojnë vitaminën D, një vitaminë kjo e domosdoshme për funksionet e trupit. Vitamina D përmban veti shumë mbrojtëse ndaj shumë lloje të kancerit si për shembull ai i pankreasit dhe i zorrës së trashë. Çelësi është të siguroheni që të ekspozoheni në diell në sasinë e duhur, pa e tepruar. Çfarë mund të bëni rreth kësaj? Mund ta merrni vitaminën D nëpërmjet mënyrave të ndryshme si farmaceutike ashtu edhe nëpërmjet ushqimeve që e përmbajnë, si për shembull qumështi.

4. Seksi i pambrojtur. Viruset dhe bakteret nuk ndikojnë shumë në krijimin e kancerit, por ka disa infeksione të rrezikshme që transmetohen seksualisht që mund të luajnë një rol shumë madhor. HPV (Human papillomavirus) është një gjini virusi që mbart variacionet të ndryshme, të cilat shkaktojnë irritim të lëkurës, lytha gjenitale dhe janë të lidhur me lloje të ndryshme kanceri  si ai i qafës së mitrës, vaginës, anusit, testikujve dhe laringut. Infeksionet e Hepatitit B dhe C mund të shkaktojnë gjithashtu kancer. Njerëzit e infektuar me HIV janë në rrezik të madh ndaj kancerit të krijuar në nyjat limfatike ose në indet limfoide. Çfarë mund të bëni? Rekomandohet që fëmijët e moshës 11-12 vjeçare të vaksinohen kundër HPV. Këto vaksina këshillohen edhe për adoleshentët, meshkujt deri në moshën 21-vjeçare dhe për femrat deri 26 vjeç. Janë tri vaksina që bëhen çdo gjashtë muaj.

5. Mosha. Mundësia e prekjes nga kanceri shtohet edhe me kalimin e moshës. Është një faktor që nuk duam ta pranojmë, por që ekziston dhe që s’mund të anashkalohet. Pavarësisht se kanceri mund të na prekë në çdo moshë, shumica e personave të diagnostikuar me kancer janë mbi moshën 65-vjeçare, atëherë kur qelizat fillojnë të shkatërrohen dhe mbrojtja natyrale e trupit fillon të dobësohet. Shkencëtarët shprehen se ndonëse ne nuk mund të ndikojmë në plakjen, mund të përmirësojmë stilin e jetës për të pasur një pleqëri sa më të shëndetshme. Ja disa këshilla:

Ruani peshën normale dhe krijojini vetes aktivitet fizik.
Hani ushqimet të shëndetshme si shumë fruta dhe perime.
Shmangni alkoolin dhe pijet e tjera që dëmtojnë trurin.
Mbroni lëkurën dhe mos përdorni duhan.
Bëni kontrolle të shpeshta në mënyrë që të jeni gjithnjë të sigurt.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama