25 vjet per tu rikthyer te rrenjet

25 vjet per t'u rikthyer te rrenjet

Nuk e kishte menduar asnjëherë se në moshën 16-vjeçare, kur sapo kishte mbaruar dy vitet e para të liceut artistik në Tiranë, jeta e saj do të merrte tjetër drejtim. Si shumë shqiptarë të tjerë, mori guximin të largohet në emigrim (Itali) pa u menduar, pa e ditur se çfarë do t'i rezervonte e ardhmja. Në moshën 18-vjeçare bëhet nëna e një vajze, përgjegjësitë në familje iu shtuan, por njëkohësisht i duhej që të vendoste dhe se çfarë do të bënte me të ardhmen e saj, për sa i përket anës profesionale.

Bëhet fjalë për violinisten durrsake, Mirela Lico, e cila rikthehet pas 25 vjetësh mungese në Shqipëri. Kishte nevojë që të hynte në atë derë, që kishte ndenjur hapur për të, për kaq vite radhazi. Kishte nevojë t'u rikthehej kujtimeve të adoleshencës, por kjo për të ishte e pamundur në vendlindjen e saj, në Durrës. Qyteti i saj i lindjes është tjetërsuar, asgjë nuk është më si më parë, ndërtimet pa fund i kanë dhënë tjetër “fytyrë” vendit ku ajo ka lindur dhe është rritur.

Ndërsa Tiranën e kujton ende, sepse ekzistojnë disa ndërtesa, që nuk janë prekur nga ndërtimet bumerangë të viteve të fundit. E teksa na tregon për rrugëtimin e saj artistik, na thotë se lidhja e saj me violinën ka nisur në moshën 5-vjeçare. Asokohe i ati, oficer marine, dëshironte që Mirela të merrej vetëm me violinë. “Unë e kam violinën vetëm nga im atë. Ai ka kënduar shumë bukur. Kur të gjithë profesorët i thanë se unë kisha shumë talent, ne u gjendëm te violina: O violinë, o asgjë tjetër”.

Ajo ende dhe sot e kujton me nostalgji violinën e parë. “Mbaj mend erën e violinës së parë. Kishte një erë të llahtarshme, prandaj e mbaj mend mirë. Era, aroma e atij instrumenti nuk më hiqet nga mendja”, thotë violinistja gjatë një bisede me të. Ndër të tjera ajo na tregon dhe se në jetë ka pasur fatin që të ketë rreth vetes njerëz të mirë, të cilët kanë ndikuar vetëm pozitivisht në arritjet e saj.

Violinistja, gjatë koncertit në TKOB, nën drejtimin e dirigjentit italian, Giancarlo De Lorenzo, i cili kishte ardhur enkas për këtë koncert, u shfaq për publikun me “Uvertura Hebridet” (1830), “Koncerti për violinë”, të Felix Mendelssohn-it dhe me pjesën “Simfonia” (1786) nga Ëolfgang Amadeus Mozart.

Mirela, riktheheni në Shqipëri pas 25 vjetësh mungesë. Çfarë ju ka mbajtur larg vendlindjes për kaq kohë?

Një nga motivet më të forta për të cilin unë mund të rikthehesha në Shqipëri është ai familjar, por duke pasur parasysh se familja, prindërit dhe vajza kanë qenë me mua, nuk kisha arsye në këtë drejtim. Kanë qenë gjithashtu arsye e fortë, mungesa e kohës, udhëtimet nga një vend në një tjetër dhe angazhimet familjare, që më kanë mbajtur larg Shqipërisë.

Pse zgjodhët pikërisht këtë periudhë kohore që ju të ishit në Shqipëri?

Ne, njerëzit e artit, mund të shkojmë kudo, në vende të ndryshme, dhe sërish është njëlloj, pavarësisht se kur nuk je në vendin tënd, e dimë që ndoshta dhe të “përdorin”. Është emocionuese, më tepër sesa në skenat e tjera, rikthimi para publikut vendas. E kisha të nevojshëm këtë rikthim në Shqipëri për shumë arsye. Unë kisha një portë të hapur në Shqipëri dhe fakti që ti hap një derë tënden, mendoj se është e rëndësishme emocionalisht.

Për pjesët që kishit përzgjedhur... Si ratë dakord?

Është një nga koncertet e mia të preferuara, e kisha të freskët, por dhe ma propozuan. U bën të tria këto arsye bashkë dhe ramë dakord. Pjesa ka një freski rinore dhe të jep forcë, është e re përherë, si një vajzë e bukur. (qesh) Për këtë arsye unë e dua shumë autorin dhe pjesën, sepse i përmbledh të gjitha. Kur është shkruar, ka qenë një nga teknikat më të larta, prandaj është një nga koncertet më delikate, ku duhet që çdo gjë të jetë e pastër, pa ekzagjerime, dhe në të njëjtën kohë me shpërthime, kjo nuk është e thjeshtë.

Ju duhet që të udhëtoni shpesh në vende të ndryshme të botës, si është jeta artistike jashtë vendit?

Deri tani kam pasur përgjegjësi dhe lodhje, por ndihem shumë e kënaqur nga ana profesionale, e ndiej veten shumë të realizuar. Jeta e një artisti?! Jeta e një artisti varet nga natyra, por e mira është që të përqendrohet, sepse një artist, duhet që të ketë një përqendrim absolut me veten e tij, kjo duhet dominuar në çdo udhëtim që bën.

Për mua fakti që është emocionuese më tepër se kudo në Shqipëri, është pozitiv, sepse emocioni prodhon muzikë. Për të gjithë ne që kemi marrë rrugët në kuptimin e mirë të fjalës, nëpër botë, ka qenë e vështirë rritja profesionale. Jam larguar në vitin 1990, fillimisht çdo arritje ka qenë e lodhshme, por sot kur kthehem mbrapa dhe shikoj rezultatet, ndihem e lumtur.

Sa ndihet kriza në art në vendet ku ju performoni?

Kriza në art? Norvegjia nuk e ndien krizën se është tjetër shtet dhe ka lloj tjetër politike, por për sa i përket Ballkanit, kriza ekonomike ka ndikuar dhe në art, sepse kur priten fondet, shkurtohet dhe buxheti.

Cilat janë projektet artistike të radhës?

Pas këtij koncerti kam dy koncerte në Barcelonë, më pas do të vazhdoj në Verona etj. Ne nuk është se na lodh skena apo ato pjesë që na bien për të interpretuar, por janë udhëtimet pa fund, për shembull, nga Barcelona unë duhet që të shkoja në Verona, Mynih, Oslo, Strasburg, Vjenë, e pastaj të isha këtu.

Biografi

Mirela Lico ka lindur në Durrës. Ka filluar studimet për violinë qysh në moshën 5-vjeçare. Vazhdon studimet në Konservatorin e Tiranës dhe Durrësit me Prof. Vaso Papa dhe Roland Xhoxhi dhe diplomohet në vitin 1992 pranë konservatorit të Ravenës me notat më të larta. Ka ndjekur shumë kurse specializimi të drejtuara nga Cristiano Rossi dhe Franco Gulli. Ka qenë spalë e violinës në Orkestrën “Arturo Toscanini”, Fondacionin “Teatro Lirico” në Cagliari, “Giuseppe Verdi” në Milano, “Teatro Regio” në Parma, në Filarmoninë Veneta të Trevisos, Fondacionin “Arena di Verona”, si dhe në koncertina të violinave të para në Orkestrën “Filarmonica Arturo Toscanini”.

Gjithashtu ka bashkëpunuar me Orkestrën e BBC-së në Londër, Orkestrën Simfonike të Galicisë, të Los Baleares, OSI Radio Svizzera Italiana, Orkestrën Filharmonike “New Artic” (Norvegji), Cameristi della Scala (Itali). Ka qenë drejtuese artistike dhe violinë e parë në orkestrën e dhomës “Balkan Symphonjeta”. Aktualisht është spalë e parë e violinës në Orkestrën Simfonike të Valles “OSV” në Barcelonë, Spanjë, me të cilën ka interpretuar në Pallatin e Muzikës katalane, si soliste dhe në koncertina të violinave të para, si zv/spalë me orkestrën “Fondazione Arena di Verona”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama