12 Qershori i Lirise Shqiptare

12 Qershori i Lirisë Shqiptare
Sa herë që vjen 12 qershori na përkujton ditën e lavdisë së madhe për shqiptarët, po ashtu kjo datë shënon edhe fundin e pushtimit sllav mbi Kosovën. Formësimi i historisë së re kombëtare (me lirinë e Kosovës), nënkupton edhe përfundimin e gjenocidit dhe aspiratave fashizoide në Ballkan, që kur “gardianët” e krimit serbosllav hartonin memorandume për spastrim etnik të Kosovës (memorandumet:Andriq-Qubrilloviq-Mihajloviq dhe Milosheviq) për krijimin e Serbisë së madhe.

 Në këtë mënyrë 12-qershori i vitit 1999, ndau përjetësisht historinë e përgjakjes, të dhunës e tmerrit (dëbimi i forcave okupatore serbe nga Kosova), për të hyrë në një milenium të ri të botës së lirë e të qytetëruar (çlirimi i vendit dhe fillimi i shtetndërtimit). Dhe sot në 10-vjetorin e hyrjes së trupave të NAT0-s në Republikën e Kosovës, e gjen shtetin tonë me 60 njohje të pavarësisë, përderisa në kontekst shtetëror dhe nacional shqiptarët shënojnë dhjetëvjetorin e lirisë së tyre.

 Pavarësisht nga kompromiset që përcollën ndërtimin e profilit shtetëror, liria kombëtare shqiptare nuk njihte kompromise, nuk njeh as sot dhe nuk do të njohë kurrë. Kjo do të thotë se pavarësisht nga betejat kundër Kosovës të qendrës sllave në Beograd, shqiptarët do të mbrojnë me fanatizëm evolucionin e institucioneve demokratike-shtetërore, të cilat rrjedhin si bazë e qëndrueshmërisë socio-politike, nacionale por edhe si progres i ndërgjegjes njerëzore. Kosova do t’i kalojë të gjitha sfidat dhe do të dijë të mbrojë lirinë e saj të arritur me aq mund e sakrificë.

Rrezja e parë e Lirisë

Më 12 qershor të vitit 1999 shqiptarët shijuan rrezen e parë të lirisë së tyre, kur pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s kundër caqeve policore-ushtarake serbe, si dhe luftës titanike të UÇK-së, trupat e KFOR-it hynë në Kosovën e Lirë duke i dhënë fund rezistencës dyvjeçare dhe përpjekjeve shekullore për liri dhe çlirim. Forcat okupatore u tërhoqën nga Kosova duke lënë pas vetes pasojat e rënda të fushatës së ish-diktatorit famëkeq Milosheviq, i cili kishte aplikuar fushatën e terrorit si hakmarrje për dëbimin e përjetshëm nga toka e huaj (Dardania), autoktoni ilire-shqiptare.

Në historinë moderne të vendit tonë 12 qershori i vitit 1999 shënon një nga datat më të rëndësishme në historinë më të re të kombit tonë. Duke përkujtuar historinë e krenarisë kombëtare të vitit 1999 (qershorin e lirisë), edhe më të madhërishme e bën këtë ditë mbështetja për shqiptarët nga bota e qytetërimit modern. Dhe sot e dhjetë vjet nderojmë gjeneralët e paqes, si: Klarkun, Robin Kukun, Klintonët (Bill e Hilari), Ollbrajtin, Solanën, ashtu siç nuk mund t’i harrojmë as ata që u flijuan në altarin e lirisë siç janë: Adem Jashari, Sali Çeku, Luan Haradinaj, Agim Ramadani, e shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë hyrë përjetësisht në faqet e historisë dhe të krenarisë sonë kombëtare.

Duke kujtuar frazën e shkurtër për Kosovën të ish-zonjës së madhe amerikane, Ollbrajt, se “në Kosovë ndërhymë në emër të lirisë”, dëshmon se liria dhe pavarësia e shtetit tonë janë të garantuara për jetë e mot. Dhe kjo është dëshmuar në emrin e vërtet të Lirisë (të drejtës për liri), përderisa garancia më e mirë është sakrifica dhe gjaku i derdhur, si dëshirë mbi dëshira, si dashuri mbi dashuritë, për Lirinë dhe Atdheun.

Kujtimet, si dhimbje dhe krenari

Aspiratat kombëtare shqiptare për liri dhe mëvetësi janë shënuar nëpër epoka dhe shekuj të shumtë, mirëpo lufta jonë për liri e pavarësi arriti kulmin e saj në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX, për të shënuar fundin e historisë së pushtimit dhe agimin e lirisë e të pavarësisë sonë. Në këtë kontekst, presidenti i Republikës, Sejdiu, përkujton 12 qershorin e vitit 1999 si një nga datat më të rëndësishme, kur konflikti dhe eksodi mbetën kujtime dhe histori e së kaluarës - duke dhënë epitetin se 12 Qershori është njëra prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës. “Sot po mbushen dhjetë vjet që nga dita e madhe kur Kosova iu bashkua shteteve të lira të botës”.

Ndërkaq, kryeqeveritari, Thaçi, nënvizon se me ndërhyrjen e NATO-s filloi liria e Kosovës, e cilat bashkë me dhjetëvjetorin e kësaj ndërhyrjeje kremton edhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vendit, që dëshmon për konkretizimin e vullnetit nacional të shqiptarëve për shtet të pavarur dhe sovran. Nuk janë vetëm ligjet dhe sistemi juridik ato që garantojnë liri dhe prosperitet, por janë vlerat kombëtare, vizioni demokratik e liridashës i shqiptarëve, të cilët të parët ndërtuan imazhin evropian në Ballkan.

 

 

BotaSot

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama