Sot, është Dita Botërore kundër Punës së Fëmijëve. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e shpalli këtë ditë për herë të parë në vitin 2002, si një mënyrë për të nxjerrë në pah gjendjen e këtyre fëmijëve.
Në mbështetje të lëvizjes kundër punës së fëmijëve, qindra fëmijë dhe të rritur janë mbledhur për të krijuar një mozaik të madh me njerëz në plazhin Botafogo në Rio de Janeiro, në formën e një fishekzjarri, i cila është dhe simboli që përdoret nga organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nga puna. Shfaqja u bë pak para nisjes së Kampionatit Botëror, ndaj dhe përfaqësuesit këtë vit erdhën me sloganin “ Karton i kuq për punën e fëmijëve”.
Drejtoresha e ILO-së, Lauisa Abramo, bashkë me kolegët e saj sqaruan se këtë e bënë, pasi kanë nevojë për gjithë vëmendjen e mundshme në luftën e tyre kundër punës së fëmijëve dhe nëse do ta realizonin njëkohësisht me nisjen e Kupës së Botës nuk do të kishin vëmendjen e duhur në zhdukjen e këtij fenomeni ndërkombëtar.
Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, janë më shumë se 168 milionë fëmijë që punojnë në të gjithë botën dhe më shumë se gjysma, rrezikojnë shëndetin dhe jetën e tyre. Shtresat e fëmijëve që preken sot nga puna e zezë janë pikërisht shtresat e fëmijëve romë. Por, Organizata Botërore e Punës, sqaron se jo të gjitha punët që kryejnë fëmijët dhe adoleshentët duhen eliminuar. Pjesëmarrja e fëmijëve ose e adoleshentëve në punë që nuk ndikon në shëndetin dhe zhvillimin e tyre personal, ose që nuk ndërhyn në shkollimin e tyre, në përgjithësi konsiderohet pozitive.
Kjo përfshin veprimtari të tilla si të ndihmosh prindërit rreth shtëpisë, të ndihmosh në një biznes familjar ose për të fituar para jashtë orëve të mësimit dhe gjatë pushimeve shkollore. Këto lloje aktivitetesh kontribuojnë në zhvillimin e fëmijëve dhe në mirëqenien e familjeve të tyre. Këto punë të lehta ndihmojnë fëmijët dhe adoleshentët në përgatitjen e tyre për të qenë anëtarë produktivë të shoqërisë gjatë jetës së tyre.