105-vjetori i lindjes se sopranos Tefta Tashko Koco 90 kenge si pjese e trashegimise

TIRANË, 2 Nëntor / ATSH / - Ministria e Kulturës përkujton sot 105- vjetorin e lindjes së sopranos dhe artises së madhe Tefta Tashko Koço, e cila gjatë karrierës së saj ka realizuar rreth 90 këngë nga të gjitha qytetet shqiptare, të cilat janë pjesë e trashëgimisë.

"Përkujtojmë sot në 105-vjetorin e lindjes, një nga figurat më të rëndësishme të interpretimit vokal në Shqipëri, që me interpretimin e saj të bukur dhe autentik, gjatë karrierës së saj të shkurtër ngriti një talent të jashtëzakonshëm të ekzekutimit si në muzikën lirike qytetare, ashtu edhe në repertorin e pasur të muzikës klasike operistike", thuhet në faqen e Ministrisë së Kulturës.

"Krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Mozart, Shubert, Verdi, Donixeti, Belini, Pucini, në turnetë e saj së bashku me pianisten Lola Gjoka, nëpër Shqipërinë e varfër, u kënduan edhe këngët popullore shqiptare si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare, dhe nga zëri i saj kemi trashëgim rreth 90 këngë nga të gjitha qytetet, 36 prej të cilave i regjistroi në Paris dhe Milano në pllaka gramafoni", theksohet në shkrim.

Tefta Tashko Koço jetoi në periudhën kur kënga lirike qytetare huazoi nga arti vokal i kultivuar, lehtësinë e nevojshme për të prodhuar linja melodike e frazime elegante, proces ky që krijoi gjininë në fjalë në vitet 1930 dhe që do të vazhdonte edhe më vonë falë përkushtimit dhe interesit të këngëtarëve si Tefta Tashko Koço, apo krijuesve të asaj epoke.

"Kroi i fshatit tonë", me muzikë të Kristo Konos dhe poezi të Lasgush Poradecit, apo "Kur më vjen burri nga stani", "Zare trëndafile", "Unë o ty moj të kam dasht , "Kenke nur i bukurisë" janë disa prej krijimeve popullore, nga të cilat Tefta me zërin e saj të rrallë simbolizoi një epokë, një shoqëri, një periudhë historike shqiptare, për të mbetur në përjetësi ikona e muzikës shqiptare.

Këngëtarja e shquar lirike, artistja e popullit Tefta Tashko Koço ka lindur në 2 nëntor të vitit 1910 në Faiyum, Egjipt. Në karrierën e saj sopranoja është shquar në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt.

Artistja u nda nga jeta në 30 dhjetor të vitit 1947.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama