U nda nga jeta piktori skenografi dhe Drejtori i AQSHF-se Ilia Xhokaxhiu

 U nda nga jeta piktori, skenografi dhe Drejtori i AQSHF-se, Ilia Xhokaxhiu

Duke u gdhirë 7 maji, pas një sëmundjeje të papritur e të shpejtë, u nda nga jeta piktori, skenografi dhe Drejtori i AQSHF-se, Ilia Xhokaxhiu.

Personalitetet më të larta të vendit, intelektualë, piktorë, kineastë, politikanë  kanë bërë dje homazhe dhe kanë nderuar  trupin e pajetë të piktorit dhe skenografit të shquar Ilia Xhokaxhiu, të vendosur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve.  Ai është nderuar edhe nga Kryeministri i vendit Sali Berisha, ministri i Kulturës Ylli Pango, lideri dhe deputetë të opozitës, ish-ministrat e Kulturës, Bujar Leskaj, Bleni Klosi, Edi Rama etj. Edhe miqtë dhe kolegët kanë shprehur keqardhjen e tyre për humbjen e një njeriu të madh që do t’i mungojë jo vetëm familjarëve të tij por edhe gjithë Shqipërisë.

Më pas në kishën ortodokse u zhvillua një meshë për nder të tij, më pas kortezhi i përmortshëm u drejtua drejt varrezave të Sharrës, ku trupi i piktorit do të prehet, pas n jë jete plot pasion, art e përkushtim, deri në vetmohim.

Për shumë personalitete Ilia Xhokaxhiu do të mbetet si një njeri i veçantë, që surprizonte ata që kishte pranë në jetën e përditshme me energjinë dhe  vitalitetin e tij, dhe shpërthimin që hera-herës çdo kujt mund t’i dukej i çuditshëm, piktori dhe skenografi Ilia Xhokaxhi nuk e kurseu këtë edhe me vdekjen e tij të papritur. Në moshën 59- vjeçare ai largohet  nga kjo jetë për të lënë pas një vepër të pasur si në artet figurative ashtu edhe në kinematografi. Ai do të mbetet në artin shqiptar si një skenograf i disa festivaleve folklorike dhe i muzikës së lehtë. Në Teatrin Kombëtar dhe atë të Operas do të mbahet mend si skenograf dramash dhe baletesh dhe padyshim ne arkivin e filmit shqiptar si skenograf e piktor i disa filmave  por edhe si drejtor i këtij institucioni.

Flori Slatina - Gazeta 55


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama