Ne Vuno...ose ne tavernen e Jonit

 Në Vuno...ose në tavernën e Jonit
Njeriu do shkruante dhe më vonë të tilla, letra pafund-ndërsa viktimat e tij do përfundonin keq. Por, kjo e asaj dite...e kalonte kobin. Letra akuzonte Zaho Kokën (një djali nga Vunoi, që kishte hapur luftën në jug), se ishte dashuruar me Ramizenë ( e fejuara e Nako Spirut)... Nuk mungonin edhe përshkrime e jetës intime të dy të dashuruarve, që i kishte hulumtuar me kujdes denoncuesi- në mënyrë të tillë që t’i bënte përshtypje sa më të madhe opinionit konservator dhe të tregonin se ishin cënuar rregullat e organizimit të ushtrisë e luftës partizane. Epilogu ishte i tmerrshëm. Ramizenë e mbajtën në Ramicë nga 22-23 shkurti dhe më 5 mars e pushkatuan, ndërsa Zaho u degdis si partizan i thjeshtë në Korçë...Ishte mort edhe për Vunoin. Tragjedi...

Në mort jemi bashkuar sërish. Dy vjet më parë, një vajzë e shtëpisë së Neçajve, ka vdekur me kancer në Pire. Në krye të çdo moti, ku janë dhe ku nuk s’janë njerëzit e saj vinë dhe pasi kryejnë ritin në Shën Spiridhon ngjiten në shtëpi, të kujtojnë të ndjerën. Nga shesh-pushimi i shtëpisë shikohet i gjithë Vunoi. Tutje janë Kolekajt, sipër Andonajt, Nushajt (djathtas), Anagnostët (Ndrenikajt), Kasnecët, Mitrushët, Dhimgjokajt, me rradhë Çalajt, Spirajt, Shantajt, Gjokajt, Nushajt, Milot, Dedet, Grillot, Gjondedajt, Lazrët, Kokushtat, Panot, etj. Si për dreq dhe në varreza, pak a shumë qëndrojnë kështu. As një centimetër më andej, asnjë më këtej. Paskal Bala, një 60 vjeçar simpatik, na rrëfen sesi kanë qenë të organizuar, por që tash pak a shumë bën përshtypje, sepse fshatit duhet t’i numërosh vetëm drynat. Në varreza, për fat, kanë kohë që kanë vendosur paqe. Këtë e ndjen, teksa hap derën e saj, që mbahet thjesht me një tel të vogël. Vunojtësit e sotëm janë tkurrur dhe ditë-kujtimi i ndonjë shpirti i bën më të trishtuar. Si ky i kësaj dite. Janë Kristofori, Petraqi, Simo, Telo, Paskali dhe të tjerë. Flasin. Numërojnë të vdekurit. Numërojnë të ikurit. Kurse të gjallët i ruajnë, sepse i kanë të shenjtë. Vunoi duket se ka qenë gjithmonë më mirë se në këtë kohë. Në të vjetrat kohë, banorët bënin punën e stratiotit dhe të kusarit. Ata që ndërtonin varka, u binin në qafë, viseve andej. Të tjerët, që ktheheshin, ngjiteshin mbi mal. Vunoi është vetë në mal. Mal mbi mal. Rrinin me bagëti. Atje bënin planet, ndërsa në ditët e para të gushtit, barinjtë e vjetër përcaktonin motin. Pastaj në det. Eh..kohë të bukura. Pak nga pak në tavolinë është harruar e ndjera, por Telo, 47 vjeçar thotë me pezm se afendikoi nuk ia ka lënë fëmijët, që t’i vinin në Shqipëri. “Ah,o..grek o grek”, psherëtin. Kaq mjafton, që ta qesëndisë Simo, me një mjekër dhe flokë si të kërleshura, që i qëndrojnë si brerore në kokë: “Thuaj shyqyr atij-i thotë. E mos dërdëllit, se nuk do pinim raki sot”. Duhet të jesh në këmbët e një vunjotësi, që të kuptosh se ku bëjnë humor dhe kur e kanë seriozisht. Qeshin pak, por u pëlqen të flasin me thumba. Bie paqja, ndërsa gjinkallat fillojnë korin e zakonshëm. Në shtëpi, që dikur ka qenë e Ndrekajve, në një nga kulmet është e gdhendur një si shenjë pagane. E kam parë dhe dikur. Askush nuk ma lëçit. Zakon i çuditshëm ky, por i drejtë për vendasit, që të shquheshin tek të tjerët. Dikur, një i vetëquajtur kont, Dhime Sava kishte inkastruar në murin perëndimor të shtëpisë Luanin e Shën Markut. I duhej që të kanonizonte vjetërsinë. Edward Lear, që ka qenë mik tek Kasnecët do të shkruajë më vonë se ishte mahnitur nga ndërtesat, disa prej të cilave, “ishin shumë të ngjashme me pallatet e mjaft fshatrave provinciale të Italisë”. Shtëpia ku rrinte ishte ndërtuar në shekullin e XVIII dhe ishte në formën e një kështjelle. Kishte disa thollo (tunele) brenda dhe kullë me frëngji. Ndërsa, një autor vendas, shkon dhe më tej- kur thotë se ajo ishte pagëzuar “Castel Mieglloshi”. Mjegulloshi është emri i malit mbi vete. Në fakt, ka disa thollo në fshat dhe ato e bëjnë atë që vjen për herë të parë, të mahnitet. Vetëm se fshati, është hija e atij të dikurshmit. Tashmë të mbysin ferrat, ndërsa kalldrëmin e kanë mësyrë plehrat. O Zot, sa shumë. Burrat na i rrëfejnë nga sipër. Në të gjitha rrugicat me kalldrëm është kështu. Ti ecën dhe dëgjon vetëm hapin tënd. Ti dhe askush...Është eveniment, që të jenë kaq shumë njerëz, si në këtë tavolinë, që shikon mbi fshat. Në Shtëpinë e Zaho Kokës ndahen disa rrugë syresh. Fshati, si kah moti, ka mbetur me shtëpitë gërmadha, të djegura nga lufta dhe me drynat e vjetruar në derë. Sa larg ngjan koha e dasmave. Tash njerëzit duken se mblidhen thjesht për mort. “Turku i dreqit”,-pëlcet nga inati një grua 40-vjeçare poshtë. Një banor nga veriu, ka zbritur dhe punon si bari andej, por e ka mashtruar. Nuk e dimë për çfarë. Shan shatra-patra. I ngrati, megjithëse katolik, tash i duhet të marrë mbi kurriz dhe nëmën Turk. Duket se koha ka mbetur...para Tanzimatit dhe këtej. Vunoi është një nga shtatë fshatrat, që i shpëtoi myslimanizmit. Dhe, kjo është një krenari e pashoqe për ta. Sens krenarie.
Simo, 58 vjeçar, i mirinformuar tash më pyet për gjeopolitikën. Por burimin kryesor të informacionit ka televizionin grek. Të gjithë rrugët e tij fillojnë nga Athina. Pavarësisht, se për të- nuk ka ndonjë interes. “Fshati ka mbaruar, më thotë duke mbledhur buzët. Ai jeton në kokën e njerëzve që e kanë njohur dhe asgjë më shumë. Tash e gjallërojnë kur vinë të rinjtë, por ata që vinë nga qyteti nuk dinë asgjë”, më sqaron duke futur një copë mishi në gojë.
Ishte ndryshe më parë. Kohë më parë. Dihej se nga duhet të kërkoheshin nuset, që do t’u jepnin jetë fiseve. Edhe pse kryqëzimet e detyrueshme kishin bërë, që sekush të kishte patjetër një lidhje me njëri-tjetrin. Në brezin e tretë...të gjithë jemi kushërinj, më thotë Paskali. Do të duheshin shumë, por në momentin, që vunojtësit fillojnë të flasin është më mirë t’i lesh. Kalojnë në mit..dhe miti të dërgon në qorrsokak. Nuk shquhen për fetarë, madje një plakë në Dhërmi më ka thënë se po të mos ishin ata, vunojtësit nuk do e hapnin fare kishën. Një ironi e keqe, sepse Kristofori, 70 vjeçar, më thotë se në një vend që ka 26 kisha, nuk ka sesi mos të jetë fetar. “Dhe, ne të ngratën atje e dërguam. Dhe, sot ndezëm qiri për të”, më sqaron. Kishat, më të rëndësishmet, janë Shën Spiridhoni, Shëndëllia, Shën Mëria, Shën Jani etj…Dreqin, në vakinë e të ndjerës, kujtoj se prifti erdhi nga larg, ndërsa një tjetër që erdhi para tij, ishte i pirë. Deshën ta rrihnin, dhe qyqari shpëtoji mirë. E nuk ta përtojnë edhe pse dikur “rrahja shqyrtohej nëpërmjet kodeve zakonore”, kujtoj Piro Andonin, një nga burrat e fshatit, që për shumë kohë ishte ambasador i Shqipërisë në Amerikën Latine. Por, zënia këtu ishte ndryshe. Atë e zgjidhnin me kujdes pleqtë që tash flenë gjumin e madh poshtë në Shën Spiridhon: kur ziheshin me njëri-tjetrin nuk përdornin fjalë banale, por bëmat e këqija të njëri-tjetrit ose racës së tyre. Kaq dhe zjarri ndizej. Pa fillonin gratë me vikatje...dhe burrat veçoheshin në agora nga njëri-tjetri.
Njerëzit
Në fakt, më të shumët, kanë bërë refugjatin. Në agoranë e fshatit luheshin të gjithë lojërat me karta, që mund të shkonte ndërmend dhe që kishin shtegtuar nga vendet e huaja bashkë me banorët. Kështu i gjeje dhe dikur. Sot, një shekull tjetër, këto kanë ikur.Kohë të shkuara. Vunoin e arrin në mëngjes, kur nuk ka qarkullim të mirë nga Tirana dhe për katër orë e gjysmë. Një makinë, për çdo ditë, bën lidhjen e fshatrave të bregut merr pak banorët e mbetur të saj dhe i sjell në Metropol. Por, ata pakësohen çdo ditë. “Ajo na lidh me jetën”, më thotë Telo, që jeton prej 15 vjetësh në Greqi. Më tregon me dorë kufijtë e fshatit. Nuk janë rrudhur, por dalëngadalë, ato po mbesin në kujtime. Fshati e ka ruajtur shumë kufizimin dhe të hysh tek ai- të duhet që të kalosh portën e hyrjes në fshat, një si grykë e vogël e kundruar nga dy anët prej shtëpive kulla. Të duhet një buri e fortë që mos përplasesh, ndërsa në verë fat, sepse bllokohet nga karvani i makinave. Pastaj, të shfaqet Vunoi. Është djegur tre herë në luftëra të ndryshme. Ndaj janë aq hokatarë njerëzit dhe aq mosbesues. Gërmadhën e kanë pasur që në lindje para syve. Si burrat, që janë mbledhur në këtë tavolinë morti. Në ditët e zakonshme kjo ndihet më shumë, kur mblidhen në tre klubet e fshatit, që janë përballë njëri-tjetrit dhe ku dëgjohet pa ndalim thërritja e banorëve të mbetur, që kërkojnë njëri-tjetrin. Pa celularin, ajo bëhej dikur me thirrjen klasike me dorë tek veshi...si në Bjeshkë...

Pak histori
Në këtë vend, ka kaluar Shën Kozmai, por kjo gjithsesi nuk i mbajti bashkë- banorët, që ishin vazhdimisht në hasmëri me njëri-tjetrin. Ndoshta, ndaj secili fis kishte kishën e tij. Shën Kozmai, u tha se duhet të bënin një kishë, që të luteshin bashkë. Kur vunojtësit i kërkuan materialin, ai u tregoi molin e Jalit. Me të vërtetë, atje u gjet dhe materiali nga një anije e mbytur. Nuk dihet se kush e mbolli fushën e madhe, që është poshtë fshatit dhe sipër detit...Thuhet se mbjellja filloi aty rreth shekullit të XVII. Shtëpia e parë që është ndërtuar ka qenë kjo e Leskëve. Thuhet. E vërteta është se në shekullin e XVI për fshatin ka evidenca të qartë në dokumentet osmane. Ai i shpëtoi Islamizimit, falë shpirtit të madh individual dhe nga 50 fshatra, Himara mbeti me shtatë fshatra, ndërmjet tyre dhe Vunoi. Të parët ishin Protajt, Kabucajt, Gjodedajt, Gjobakajt, Avromat dhe më vonë Paganat etj. Vinin nga Kurveleshi, Tërbaçi, Gumenica, Zagoria, Korça etj. Një dokument i Vatikanit thotë se më 1732 ishin 250 familje në Vuno. Pak më vonë, filluan lagjet më vehte, si Andonajt, Dhimësavajt, Thopajt, Gjistajt, Kushtaraqët, Dedushajt etj. Si të gjithë jugorët e fortë banorët e fshatit e bënë shumë luftëtarin me pagesë. Luftuan deri në Rusi, kurse thuhet se hynë në marrëdhënie me Ferdinantin e IV, që kishte marrë në mbrojtje të gjithë zonën. Më 1878, Odise Kasneci, një nga burrat fisnikë të gjithë zonës, ishte në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në 1912, Vunoi u mbajt nga grekët, por në këtë vend ju bë konak çetës së Çerçiz Topullit kur erdhi nga Italia me anijen e Ilia Ndrenikës. Zogu shkoi dhe më tej dhe i ndryshoi emrin, por nuk ia arriti. Vunoi u dëgjua sërish në kohë lufte, kur Zaho Koka e shkrepi për herë të parë në gjithë jugun e vendit me një atentat spektakular. U shpall hero pas lufte....por me një cen. Falë dy heronjve të tjerë të popullit Kozma Nushi dhe Llambro Andoni, bashkë me dëshmorë të tjerë, ky fshat e pati gjithmonë mirë me regjimin komunist. Paradoksalisht, nuk pati ujë edhe pse Ministri i punëve Botore, Spiro Koleka ishte nga ky fshat. Jo më kot, zyrtari e mbajti mbi kurriz për vite me radhë qesëndisjen e fshatit...

Ndërtimet dhe zakonet
Tash janë harruar. Kanë mbetur legjendat e ndryshme. Si kjo e dy vajzave, të lindura dhe të rritura në Amerikë, që kishin marrë si porosi të fundit nga i ati, Piro Nushi, që pas vdekjes së tij, duhet të ktheheshin në fshat për të parë shtëpinë. Atë do ta njihnin nga kryqi, që ishte në anën e djathtë të derës. Ato erdhën vërtetë dhe shtëpinë e rrënuar, e njohën vetëm nga kryqi. Në fakt, vunojtësit janë të përmendur dhe si ndërtues. Edhe sot mund të mrekullohet me ndërtimet e tyre, me tunelet dhe shtëpitë sipër fshatit, apo me ndërtimet e mrekullueshme të gurit. Sipas një ligji të pashkruar, ai që ndërtonte duhet të kishte parasysh: që nivelin e themeleve, duhet ta kishte në nivelin e çatisë së shtëpisë fqinje. “Dhe, ata që ishin larg do të mundoheshin dhe sillnin sa më shumë para, që të ndërtonin si askush tjetër në fshat shtëpinë e tij”, më ka shpjeguar një herë Piro.

Si jetojnë
Dhe, kanë ndërtuar. Si të gjithë. Kurdoherë, pa prishur kanonet e tyre. Shumica tashmë janë në Greqi. Më me fat, janë ata që kanë përfunduar matanë në Itali dhe deri në Amerikë. Më pleqtë marrin dhe një pension të hershëm prej Greqisë. ELLAS është kudo, pavarësisht se vunojtësit janë pak sqimatarë dhe u janë ruajtur sloganeve, që kanë qejf të shpalosin himariotët. “Jemi aq pak, sa na duhet të shikojmë njëri-tjetrin kush merr frymë në mëngjes”, më thotë Kristofori, që tash i janë mbushur sytë me lot. Në mëngjes i bëjnë një apel njëri-tjetrit. Pastaj vjen dita. E zakonshme. Një nga ato. Bëhen rrallë rregullime në shtëpi, ndërsa Jali, që dikur mbahej për ndonjë qira, tashmë nuk ia vlen. Një ditë ruspa e Berishës mori përpara çfarë gjeti përpara. Në fshat kanë ardhur edhe nga pjesë të tjera të Shqipërisë, si emigrantë, dhe kanë marrë me qira shtëpitë e banorëve. Kur vjen koha të flitet për atë të dikurshmin- një si zi pllakos në tavolinë...Duket se flitet për një kohë tjetër. Ata shkëmbenin prodhime me Kurveleshin, Mesaplikun dhe Dukatin, por edhe me zotërimet veneciane. Emigracionin e kanë filluar në fund të shekullit të XIX dhe që atëherë, me përjashtim të periudhës komuniste, nuk i janë ndarë. Ulliri, fiqtë e vreshtaria, bagëtia dhe dhëntë janë gjithçka. Të parët shfrytëzonin tokën deri sipër, kurse stanet ishin të ndërtuar deri në mal sipër. Vreshtat ishin krenaria e secilit dhe sfida e vitit.
...
Sot janë pakësuar të gjitha. Simo ngre një dolli të fundit. Pas pak minutash do ndahemi. Shtëpisë do i mungojnë njerëzit, deri në vitin tjetër. Kristofori loton në heshtje. Gruaja e tij mbahet. Kanë bërë krushqi në veri.
“Kur dolëm nga fshati, vazhdonte të ishte ende mugëtirë. Befas e fare papritur shpërthyen mijëra krisma nga të gjitha dritaret-rrugica e ngushtë nga po kalonim, u ndriçua u bë ditë nga gjuhët e flakëve që dilnin nga grykat e pushkëve. Një pamje përrallore. Ne iu përgjigjëm këtij deti heroik fishekzjarrësh, që ishte përshëndetje e lamtumirës së Vunoit”. Ky zakon i përshkruar nga Eqerem bej Vlora ka kohë që ka mbetur në kujtesë. Ngrihemi. Duhet të buzëqeshim pak. Tash, këtu ndriçon pak, kur të rinjtë vinë nga vende të tjera dhe prehen në këtë vend. Në tavernën e Jonit. Prehen pak me të mbeturit dhe ikin sërish duke i lënë në fshatin gjysmë të vdekur...
Pas Ramizesë edhe Zaho Koka nuk jetoi gjatë. Ai sillej nëpër malet e Himarës si një ujk i plagosur, si një barkë me direkë të thyer që endet nëpër det. Dhe më në fund erdhi 8 qershori 1944. pas një lufte që u bë afër Vunoit, një repart gjerman u shpartallua plotësisht. Por dy-tre vetë u futën në një kishë të vogël, në Shën Pjetër, që ndodhej në të hyrë të fshatit, mbi xhade. Këtu mbaroi ai. Mori fund dhe një nga dashuritë më të bukura shqiptare, shkruan në kujtimet e tij ish-eminenca e Enver Hoxhës, Sofokli Lazri, që ishte nga i njëjti fshat. Atë ditë gjermanët u vunë zjarrin edhe 350 shtëpive-kështjella të tij. Ata, që e njihnin Zahon, thanë se ai e kërkoi vetë vdekjen atë ditë. Pa Ramizenë...nuk duhej më asgjë...qoftë dhe jeta.

Shkruan : Ben Andoni
Marre nga : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama