Çmenden kompanite ajrore

Çmenden kompanitë ajrore
Nuk bëjnë përjashtime nga rritja e çmimeve edhe linjat jo direkte. Një situatë e tillë ka detyruar me qindra emigrantë që të vijnë në Shqipëri me automjetet e tyre, duke bërë një udhëtim rraskapitësh për dy ditë. E gjitha kjo për shkak të biletave të avionit, çmimet e të cilave janë rritur jo pak dhe thuajse janë të papërballueshme, për më tepër kur bëhet fjalë për familje me dy ose tre fëmijë. Të tilla çmime kanë ndikim katastrofal në thithjen e turistëve britanikë. Me ato para që atyre u duhet të paguajnë për bileta avioni drejt Shqipërisë, vende si Spanja, Greqia, Italia apo Kroacia ofrojnë paketa turistike 10-ditore ku përfshihet bileta e avionit, së bashku me akomodimin dhe mëngjesin falas.

Investigimi

Nga një investigim i "Shqip" për këtë çështje rezulton se, një emigrant shqiptar paguan vetëm për biletën e avionit dy herë më shumë se bullgarët, rumunët, serbët dhe grekët. Nëse gjatë muajve të tjerë të vitit, një biletë Londër-Tiranë varion nga 200 deri në 270 paund, në sezonin e verës çmimet shkojnë deri në 800 paund për person. Por sa reale janë ankesat e emigrantëve shqiptarë në Angli, të cilët biletat e udhëtimit për në vendlindje i kanë temë dite në bisedat e tyre? Falë sistemit të prenotimit të biletave nëpërmjet internetit, për disa ditë me radhë, "Shqip" ka monitoruar disa kompani ajrore, duke parë po ashtu edhe biletat e linjave direkte dhe jodirekte që fluturojnë nga Londra për në Sofje, Beograd, Bukuresht dhe Athinë dhe duke i krahasuar çmimet e tyre me atë të një bilete për në Tiranë.

Zgjodhëm këto vende për afërsinë në distancën e tyre me kryeqytetin britanik. Kështu, Londra është larg Shqipërisë 1174.27 milje, Sofja 1250.67 milje, Beogradi 1049.50 milje, Bukureshti 1297.72 milje dhe Athina 1484.63 milje. Duket qartë se distanca e largësisë me Londrën është pak a shumë e njëjtë, përjashtuar Athinën, ku largësia është 3 mijë milje më shumë.

Linjat direkte

Për të vërtetuar ankesat e emigrantëve se atyre "po u pihet gjaku" nga kompanitë ajrore, ndërmorëm këtë investigim, duke kontrolluar nëpër faqet online të kompanive dhe duke krahasuar fillimisht çmimet për linjën direkte që ofrojnë nga Londra për në Tiranë, Sofje, Beograd, Bukuresht dhe Athinë. Fillimisht kërkuam për një biletë me datë nisjeje 27 korrik dhe kthim 27 gusht me linjën direkte nga aeroporti "Gatwick" drejt Tiranës. Përgjigjja që morëm nga kërkimi elektronik është se bileta vajtje-ardhje me datat e kërkuara do të na kushtojë 821 sterlina, një shifër përafërsisht tri herë më e madhe se gjatë muajve të tjerë të vitit. Por, nëse një bullgar do të kërkonte të blinte një biletë me nisje 27 korrik dhe kthim 27 gusht po me të njëjtën linjë ajrore sa do të paguante? Çmimi që na ofrohet është 307 sterlina, pavarësisht se distanca Londër-Sofje është 768 milje më shumë se ajo Londër-Tiranë. Surprizat për çmimet e biletave "të kripura" ekskluzivisht për shqiptarët nuk mbarojmë këtu. Fqinjët tanë serbë, nëse udhëtojnë nga Londra për në kryeqytetin e tyre, Beograd, me po të njëjtën linjë, në po të njëjtën datë, do të paguanin vetëm 333 sterlina.

Çmimeve të lira për në vendlindjen e tyre mund t‘u gëzohen edhe rumunët e shumtë që jetojnë dhe punojnë në Londër. Një kthim në vendlindje atyre u kushton 343 sterlina. Nuk bëjnë përjashtim edhe grekët, të cilët për datën e zgjedhur nga ne, bileta do t‘u kushtonte 477 sterlina sa gjysma e biletës që të çon në Tiranë, pavarësisht se distanca Londër-Athinë është 3.100 milje më shumë se ajo Londër-Tiranë.

Bëjmë edhe një kërkim tjetër, duke dashur të prenotojmë një biletë me të dhëna të tjera. Si datë nisjeje nga Londra për në Tiranë vendosëm datën 10 gusht që përkon me një numër të madh shqiptarësh që kthehen në vendlindje gjatë këtij muaji dhe kthim 6 shtator. Faqja online e një kompanie për këtë kërkim na ofron biletën me çmimin 671 sterlina. Me të njëjtën datë kërkojmë edhe vendet tona fqinje. Është po e njëjta histori. Çmime po prapë të lira, krahasuar më Shqipërinë. P.sh. për në Sofje, bileta kushton 364 sterlina, për në Beograd 375, për në Bukuresht 290 dhe për në Athinë 274.

Kompania britanike "British Airways" së bashku me "Albanian Airlines", janë të vetmet që fluturojnë direkt drejt Tiranës. Kompania shqiptare "Albanian Airlines" fluturon vetëm gjatë tre muajve të verës korrik, gusht dhe shtator. Po ashtu, edhe gjatë muajve të fundvitit nëntor e dhjetor.

Linjat jodirekte

Duke parë një fluks të madh kërkesash për bileta nga Anglia drejt Shqipërisë nuk bëjnë përjashtim në çmime edhe linjat jodirekte. Diferenca mes tyre dhe atyre direkte nuk është e madhe. Edhe këto linja rezulton se ofrojnë çmime dy herë më të shtrenjta për shqiptarët që udhëtojnë nga Londra për në Tiranë me një tranzit të vetëm krahasuar me fqinjët tanë. Nga një kërkim në faqen online të një kompanie italiane për datën 10 gusht nisje dhe me kthim 6 shtatorin (drejt Tiranës) çmimi është 509 sterlina. Ndërsa për të shkuar në Sofje po në këtë datë, çmimi që ofrohet është 340 sterlina, për në Beograd 360, për në Bukuresht 328 dhe për në Athinë 399 sterlina.

Të zymta janë edhe çmimet që ofron për shqiptarët edhe një kompani fluturimi austriake. Një biletë Londër-Vjenë-Tiranë të ofrohet me çmimin 537 sterlina, ndërkohë që një biletë drejt Sofjes është 332 sterlina, 360 sterlina për në Beograd, 351 sterlina për në Bukuresht dhe 462 për në Athinë. Aspak ndryshe nuk është as panorama e çmimeve me një kompani hungareze, linjë e frekuentuar shumë nga shqiptarët për vetë orarin e volitshëm që ajo ka. Kjo kompani u ofron atyre çmimin prej 625 sterlinash, ndërsa bullgarëve çmimin 382 sterlina, rumunëve 382 sterlina, grekëve 377 sterlina.

Kompanitë

Kompanitë ajrore kanë një sistem të veçantë për shitjen e biletave. Bëhet fjalë për ndarjen e vendeve në disa kategori. Kjo lidhet ngushtë me çmimin e biletave. Një punonjëse pranë një zyre për shitje biletash tregon mekanizmin e këtij sistemi. Sipas saj, në kategorinë e parë, që njihet si "Red Tickets", vendosen disa vende me çmim të lirë, në kategorinë e dytë "economy" çmimet fillojnë të rriten dhe pjesa tjetër që mbetet përfshihet në kategorinë e biletave "economy flexible", të cilat shiten me çmim maksimal kundrejt kërkesës dhe ofertës. "Ky është një mekanizëm kundrejt të gjitha ligjeve të cilin e aplikojnë kompanitë ajrore. Ajo që nuk dihet ka të bëjë me numrin e vendeve që përfshihen në ‘Red Tickets‘ nga ku edhe nisin çmimet", thotë punonjësja. Rritjen e çmimeve gjatë sezonit të verës ajo e konsideron si të lidhur ngushtë me kërkesën e madhe për bileta nga shqiptarët, gjë që në ekonominë e tregut përdoret maksimalisht nga kompanitë ajrore për të përfituar.

Reagimi

Emigrantët: Faji, i kompanive ajrore

Përballë kësaj situate, ku çmimet janë shtrenjtuar në maksimum, emigrantët shqiptarë fajësojnë kompanitë ajrore, duke i akuzuar ato se kërkojnë të përfitojnë nga fakti se ata gjatë verës tradicionalisht kthehen me pushime në vendlindje. Ilir Krasniqi, një emigrant shqiptar në Londër, thotë se të tilla çmime në stratosferë po na detyrojnë që në vitet e ardhshme të mos i bëjmë pushimet në Shqipëri. "Të blesh një biletë 800 paund është shumë, pasi me ato 800 paund i kalon 10 ditë pushime për bukuri në ndonjë vend tjetër. Kështu është kur nuk u tërhiqet veshi kompanive ajrore, duke i detyruar të mos bëjnë ç‘t‘u dojë qejfi me çmimet e biletave", pohon ai.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Brikena Omari, studente në universitetin "Middlesex" të Londrës, në degën e menaxhimit të biznesit. Ajo thotë: "Nuk e kuptoj përse ndodh kjo vetëm për ne, shqiptarët. Të gjitha linjat ajrore në përgjithësi për ne shqiptarët ofrojnë bileta me çmime të shtrenjta. Unë kontrolloj shpesh biletat për të vajtur nga Londra në Shqipëri dhe gjithmonë çmimi është më i shtrenjtë nga çdo vend tjetër në rajon në të njëjtën periudhë".


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama