“Mosaical 7” per 55-vjetorin e kinematografise shqiptare

“Mosaical 7” për 55-vjetorin e kinematografisë shqiptare

Spektakli i realizuar me rastin e 55-vjetorit të kinematografisë shqiptare dhe 10-vjetorin e krijimit të Qendrës Kombëtare Kinematografike me përkrahjen financiare të kësaj të fundit, “synon” të vijë si “sinonim i kinemasë”. Të paktën, kështu pohon ideatori Peçi.

“Ndoshta, ndryshe shfaqja mund të quhej edhe ‘Mosaical’ i kinemasë ose Mosaical i artit të shtatë ose i shtatë arteve”, shprehet ai. Në këtë shfaqje premierë të M7 janë të integruara fragmente nga 11 filma shqiptarë. Personazhe të njohur të kinematografisë shqiptare: Guliem Radoja, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Gjika, Rajmonda Bulku, Robert Ndrenika, Ndriçim Xhepa; do të vijnë në skenë prej ekranit, për të recituar momente nga filmat. Ndërsa trëndafila të bardhë do të përhapen nga “balerina- pelikulë” (Eva Selaj) për artistët: Kadri Roshi, Sandër Prosi, Vath Koreshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Pandi Raidhi, Xhanfize Keko.

“Mosaical 7 është një mozaik art-vlerash në disa nivele performancash dhe performancë e një personazhi të ri (që buron nga filmi; nga lëvizja) që ndërlidh spektaklin, e që ne e kemi pagëzuar ‘balerina–pelikulë’”, shpjegon artisti.

Muzika e këtyre 11 filmave e përzgjedhur dhe ripunuar nga kompozitori Peçi në 11 vepra për kuartet harqesh nën performancën koncertale të kuartetit “Mosaical”, sopranos Mariana Leka dhe klarinetistit Fatos Qerimi risjell për publikun, në një tingëllim të ri, subjekte sonore të Peçit nga filmat: “Gjeneral gramafoni” (kupa e Festivalit 1979 për muzikën më të mirë të filmit), “Tokë e përgjakur”, “Monumenti”, “Si gjithë të tjerët”, “Në çdo stinë”, “Kur xhirohej një film”, “Fillim i vështirë”, “Në shtëpinë tonë”, “Women without wings”, “Butrinti”, “Dasma e Sakos” (kupa e Festivalit 2000 për muzikën më të mirë të filmit).

Së fundi është performanca e audiencës dhe publikut në sallë e për të cilën Peçi vëren se edhe pse është një performancë “në dukje e padukshme, është pikërisht ky element, publiku, që i dha frymë e jetë kësaj ‘piramide’ 55-vjeçare të kinemasë shqiptare”. Me regjisor Bledar Laçon, konceptim të instalacionit dhe performancës nga Eno Peçi, me producent Esat Ibron, ndriçim nga Erion Zaloshnja, projekti realizohet nga studio filmike “IBRO sh.p.k” dhe do të transmetohet nga TV Klan.

B. Goce : Gazeta Metropol

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama