Çudite e Kometes

Çuditë e Kometës
 Mbrëmjen e së enjtes filmi i regjisorit Fatmir Koçi, “Koha e Kometës” pati premierën në Tiranë. Ashtu siç ndodh rëndom, kur përballesh me diçka të re, mendimi i publikut ishte i ndryshëm. Disave u pëlqeu trajtimi i ri i Koçit, të tjerë pranojnë se kanë provuar një “ndjesi shqetësimi” gjatë ndjekjes së filmit. E vërteta është se filmi të linte me shumë pikëpyetje në lidhje me gjetje të ndryshme regjisoriale. Ashtu si thuhet edhe në prezantimin e filmit, “Koha e Kometës” është historia e një burri (Blerim Destani) që niset për të gjetur luftën, por gjen dashurinë (Masiela Lushën).

Ngjarjet vendosen në vitin 1914, kur Vilhelm Vid u bë mbret i shqiptarëve. Sapo ka sosur në Durrës dhe Shestani, bashkë me një grusht trimash niset për të luftuar në krah të tij, në emër të lirisë. Por duket se aso kohe Shqipëria kishte shumë “mbretër”. Të sapo dalë nga sundimi i Perandorisë Osmane, shqiptarët ende nuk i dinin kufijtë e trojeve të tyre. Një rrugë jo dhe aq e thjeshtë për kapedan Shestanin, që nuk merret vesh nga niset e ku do të shkojë. Publiku e ka të vështirë ta dallojë, pasi kostume, dialekte, këngë e valle të zonave të ndryshme të Shqipërisë, mpleksen së bashku. Por siç thotë vetë regjisori Koçi, vendi, apo gjuha janë thjesht konvencione, që të çojnë tek drama, që mban filmin. Në shërbim të kësaj drame regjisori ka quajtur edhe përplasjet fetare, që zënë një vend të mirë në film, apo edhe sjelljet në momente të caktuara të personazheve (“rimëkëmbja” e një vajzetë re, malësore, pas përdhunimit nga një grup ushtarësh). Kush e njeh veprën e Kadaresë, pak e gjen atë në filmin e Koçit.

Për studiuesin Behar Gjoka, i cili sapo ka nxjerrë nga duart një studim mbi veprën e shkrimtarit dhe këto ditë nxjerr nga botimi veprën “Kadareja i rilexuar”, “midis “Kohës së Kometës” dhe “Vitit të mbrapshtë”, ka fare pak lidhje dhe këtë e them, duke u nisur nga skenari dhe jo nga elementë të tjerë. Vepra e Kadaresë fokuson një kolizion kombëtar, trajtohet fati i kombit dhe i vendit, ndërsa këtu jemi përgjithësisht në një kolizion fetar dhe është e drejta e skenaristit ta shohë në këtë plan. Ajo që nuk arrita ta prek siç duhet, ndoshta nga shikimi i parë i filmit, ishte linja kryesore, që duhet të zhvillohet më tej. Ndoshta jemi në një parim fragmentariteti.

Ky fragmentaritet bën që “Koha e Kometës”, të mos artikulojë plotësisht siç duhet, atë çka merr përsipër të na thotë. Çfarë ndodhi në vitin 1914? Nuk jemi në dëshmi historike, nuk jemi në dëshminë letrare të Kadaresë, por dëshminë filmike”, - thotë Gjoka, në këndvështrimin e të cilit “Koha e Kometës” është një film me tezë fetare. “Më tepër se fatin e kombit, të shqiptarëve evidenton elementin përndarës së shqiptarëve, që për atë kohë historike nuk ka qenë i vërtetë, por edhe kohën e realitetit të tekstit “Viti i mbrapshtë” nuk është e vërtetë, sepse ajo kohë kishte të bënte me ekzistencën ose jo të kombit shqiptar”, - vazhdon studiuesi. Vetë regjisori Koçi, në një konferencë për shtyp, dhënë dje, thotë se konflikti fetar ngrihet në grotesk, për të thënë jo se ky konflikt është parësor për shqiptarët, por sepse konflikte me bazë fetare nuk duhet të ketë. “Duhet të jetosh pa të besosh”, - thotë Koçi.

Sa për elementin etnografik, që mbush gjithë filmin, Koçi thotë se as ka pasur për qëllim që të bëjë një film për të treguar etnologjinë, apo traditat, kostumet, apo simbolet. Me këtë Koçi justifikon qëndrimin bashkë edhe të fustanellës dhe të tirqeve, të veshjeve të jugut me të veriut, apo të muzikës, curleve, lodrave, kabave… Për të, asnjë nga këto detaje në vetvete nuk ka rëndësi. Sipas tij qëllimi është të kuptohet se “ekzistenca e njeriut dhe e shqiptarëve është liria e vetvetes”.



Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama