Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje histori e parashkruar elektorale

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Nje histori e parashkruar elektorale

Pavarësisht nga kriza politike, fushata elektorale për zgjedhjet vendore në vend ka nisur pakthyeshmërisht. Në nivelet bazë të strukturave partiake, por edhe në përditshmërinë e njerëzve të thjeshtë, është hapur i plotë cikli diskutues për kandidatët e mundshëm për kryetarë në bashkitë dhe komunat e vendit. Madje, në një vështrim, duket se nxitja e qytetarëve për debatin dhe diskutimin po pararend në raport me diskutimin e organizuar partiak. Të dyja palët kryesore partiake, ndonëse me vonesë, tashmë e kanë nisur betejën elektorale. Në dyjavëshin e ardhshëm, mesa duket, kjo fushatë do të shpallet publikisht dhe do të marrë formën e një konkurrimi shumëplanësh. Konfidenca e nisjes së heshtur të kësaj gare, u ruajt edhe nga Kryeministri Berisha në mitingun festiv të 20 shkurtit, ku para mijëra mbështetësve të partisë së tij, nuk nguroi të theksonte: “Kjo nuk është hapja e fushatës elektorale”. Ndonëse një ditë më pas, domethënë dje, ai shtoi se fushata elektorale tani ka nisur.

Natyrisht kjo është një nisje gare me shumë të panjohura. Në subjektin e saj ka disa subjekte të tjera, po kaq të rëndësishme e njëri, duhet thënë, se vijon të mbetet ende eklipsues: Është subjekti i krizës politike në fuqi, i cili paraqitet më kompleksi dhe më i ndërlikuari se gjithë momentet e krizave të periudhës pas 1997-s. Kjo është krizë e buruar së pari prej raporteve dhe marrëdhënies mes lidershipit kryesor të pozitës dhe opozitës. Ajo shkulmoi me rastin e videoskandalit “Meta-Prifti” dhe u formësua shpërthyese në ngjarjet e 21 janarit, të cilat tashmë quhen, proces i hapur politik. Ndërkohë që në thelbin dhe përmbajtjen e saj peshon korrupsioni, rrënimi i standardit shërbyes, disbalancimi në rritje brenda subjekteve qeverisëse dhe sidomos, administrimi i saj falë një marrëdhënieje pa përmbajtje të koalicionit Berisha-Meta.

Sidoqoftë, pavarësisht nga kjo peripeci fillimi, fushata e re elektorale, në të cilën po hyn në mënyrën më të pazakontë spektri i partive dhe koalicioneve pa përmbajtje politike, pas 20 marsit të këtij viti, ka për të sjellë një debat elektoralo-përfaqësues, nga më të ndezurit. Konteksti përgatitor për këtë debat ka për t’u sqaruar në ditët e ardhme. Mirëpo thelbi i nxitjes dhe i fryrjes së tij do të lidhet me aktin afishues të kandidatëve që të dyja koalicionet apo partitë kryesore në veçanti, do të shpallin për përfaqësimin e ri të tyre në krye të qeverisjes vendore.

Në këtë subjekt, si një histori të parashkruar elektorale, PS dhe aleati i saj i shpallur, PBDNJ e zotit Vangjel Dule, po tentojnë të servirin rikandidimin e kryebashkiakut aktual të Himarës, njëkohësisht kryetar i organizatës OMONIA të pakicës greke që jeton si komunitet, zyrtarisht disa dhjetëra kilometra larg kësaj qyteze. Ndonëse krerët e PS-së dhe aleati i saj Dule nuk janë shprehur zyrtarisht për këtë gjë, deklaratat paraprake të tij, lënë të parakuptohet se veç mundësisë për rikandidim për herë të tretë, po gëzoka edhe fatin e mbështetjes së forcës kryesore të opozitës. Dy-tre muaj më parë, po ky individ politik, i cili përballet me zhgënjime të shtuara bashkëqytetarësh të vet, për shkak të moszgjidhjes së asnjë prej kërkesave jetike të mbartura si problematikë tranzicioni në Himarë, rendi të paradeklarohej se do të rikandidojë për të realizuar projektet e papërfunduara. Një logjikë abuzante për kohën e pakohë të premtimeve të tij.(!) Një tallje groteske me qytetarët e kësaj zone, të cilët më shumë se me projekte zhvilluese në zonën e tyre, janë ushqyer me dogma etnonacionaliste dhe me propagandë etnopolitike prej këtij individi, që prej vitesh e ka shpallur publikisht rekrutimin etnopolitik të vetes. Marrëdhënia e këtij individi me bashkinë e Bregut të detit, siç quhet ndryshe, është një histori “koncesioni” politik e deritanishme, e Kryeministrit Berisha me kryeministrat e Athinës, përkatësisht ish-kryeministrin Karamanlis dhe deri më tash, Kryeministrin Papandreu.

Një koncesion politik i ardhur përmes një diplomacie interesi sa vetjak, aq edhe politik, por shumë disfavorizues për interesin kombëtar shqiptar. Ky “koncesion” politik gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, ka shkaktuar kosto të konsiderueshme ndërkombëtarizimi, në dëm të interesit shqiptar dhe sidomos të shtetit tonë. Nëpër kanceleritë perëndimore, falë një kontributi relevant dhe intensiv mes dërgatave të minoritarëve dhe kryebashkiakut të Himarës, sidomos në Nju Jork dhe Uashington, është investuar aq shumë ankim dhe propagandë, sa sot vështirë ta perceptojnë të huajt se Himara nuk është kryeqendra e Dropullit apo Vurgut ku realisht jeton shumica e komunitetit të pakicës greke në Shqipëri.

Këtë “koncesion” politik, Kryeministri Berisha e ka pranuar si ekskluzivitet të vetin, kur u përgjigjet këshilltarëve dhe gjithë të interesuarve për kandidimet në Bashkinë e Himarës se “me këtë punë mos u merrni ju, merrem vetë!”. Së paku, kjo përgjigje e shumëpërsëritur gjatë fushatës së zgjedhjeve të mëparshme vendore, ishte akti vendimmarrës për tërheqjen e përfaqësuese të së djathtës nga insistimi i tyre në mbështetje të kandidatit zyrtar që përballej me fituesin e deleguar.

Por kjo skemë “koncesioniste” duket se po përvetësohet në mënyrë plagjiake edhe nga kreu i opozitës, zoti Rama. Shenjat e para janë dhënë dhe ditët për t’u zyrtarizuar po bëhen edhe më të pakta. Kryebashkiaku i Himarës është kandidati që po paradeklarohet, ndër të gjitha bashkitë dhe qytezat e vogla të zonës juglindore dhe jugore të vendit. Një parathënie e cila të ngjall dyshime, por që në brendinë e saj, duhet lexuar si kapitull paraprak i një korrupsioni të hapur politik, në kurriz të interesit kombëtar.

Një “koncesion” që opozita socialiste po e tëhuan si formë dhe përmbajtje nga kundërshtarët e vet politikë. Përballë kësaj skeme të “vjedhur”, koalicioni i zotit Berisha nuk po reagon me forcë dhe as me inat provokues, por mesa duket po krijon premisën e një konkurrimi shemërak. Subjekti më i ri politik i minoritarëve, MEGA, ka konstituar degën e vet në Himarë dhe sipas të gjitha gjasave po selekton kandidatin e vet greqishtfolës në Himarë. Në këtë mënyrë, formula e përfaqësimit të grekësisë nuk ndryshon, por përmirësohet skema për rikontraktimin e “koncesionit” mes protagonistëve të vjetër të Tiranës dhe përfaqësuesve të rinj në Himarë, të cilët dinë të besnikorohen apo provohen besnikërisht, për grekësinë që investon Athina. Sido që të ndodhë, në këtë kohë të re elektorale që po nis në mbarë vendin, Himara është një histori e parashkruar etnoelektorale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama