Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kumanova 2015, a ngjan me Tanushen e 2001?!

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 9 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kumanova 2015, a ngjan me Tanushen e 2001?!

E premtja e saposhkuar në Maqedoni nuk u përcoll si ditë e zakonshme, por si një ditë lemerisëse me shumë krisma, gjak dhe tronditje. Me një shfaqje të dyshimtë sulmuesish me uniformën e UÇK-së, thënë sipas autoriteteve zyrtare maqedonase të Shkupit dhe me heshtje e mungesë shfaqjeje të autoriteteve shqiptare. Kjo fundjavë mori emrin e Kumanovës, madje më saktë të “Lagjes së Trimave” të këtij qyteti. Aty ngjau një episod i çuditshëm lufte dhe i paraportuar live nga mediat. Mungoi guximi i raportimit të drejtpërdrejtë nga reporterët vendas dhe të huaj, shqiptarë dhe maqedonas, por mungoi edhe transparenca e qeverisë së Kryeministrit vrasës, Nikolla Gruevski. Kjo e dyta është më e besueshme për mungesën sesa mediat dhe reporterët!

Në të dielën e kësaj jave, Kryeministri që qëndron tashmë mbi gjakimin e Kumanovës, raportoi me kryeneçësinë e një fajtori provincial se u dorëzuan 30 persona, pa dhënë shpjegime të detajuara se çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë akuzohen ata, ndërsa konfirmoi se: katër terroristë mbetën të vrarë, gjithashtu tetë policë, si dhe u plagosën 37 prej uniformave.

Një bilanc i tillë lufte si ky në Kumanovë, është ikja më e tmerrshme e një vendi ballkanik nga paqja dhe sidomos stabiliteti. Maqedonia ka rrëshqitur shembshëm në gjendjen dhe realitetin e ngjashëm me vitin 2001. Kjo rrëshqitje ka për protagonist dhe njëherësh për regjisor Kryeministrin aktual, Nikolla Gruevski. Ky qeverisës i përkohshëm është vetëdelegjitimuar në sytë dhe ndërgjegjen e popullit dual të kësaj republike. Kumanova nuk është thjesht një rast i shpërthimit dhe i organizimit të një rebelimi “terroristësh”, të cilët Kryeministri frikacak dhe intrigant kësaj here i la pa ua shquar kombësinë si shqiptarë. Por ditët e ardhme, në mos shkaktofshin implikime të tjera dhe situatë edhe më rrëshqitëse, do të hedhin dritë mbi të vërtetën reale dhe regjinë e luftës së paraportuar në Kumanovë.

Qeveria e Kryeministrit Gruevski është kërcënimi më i madh për paqëndrueshmërinë institucionale të vendit të vet. Ngjarjet e Kumanovës, por më së shumti episodet paraprirëse në ballafaqimet mes Kryeministrit agresiv e diabolik dhe opozitarit rishtar maqedonas Zaev, janë maja e ajsbergut të së keqes politike që sundon dhe dekompozoi demokracinë e sidomos të drejtën e bashkëjetesës në këtë vend. Denoncimet dhe sidomos “bombat” e përgjimeve që ekspozoi në publik kreu i opozitës maqedonase, zbuluan kapituj dhe episode që provojnë katërcipërisht reminishencat dhe ngjashmëritë imituese të skenarëve të shërbimeve të Gruevskit me ato të dikurshme në Jugosllavinë e Millosheviçit. Kryeministri delirant, me një cikël etiketimesh në fuqi, ka barrën dhe përgjegjësinë e të qenët burimi real i ikjes së kësaj republike nga gjendja e ndenjur e dasive dhe diferencave mes dy njësive shtetformuese, maqedonasve dhe shqiptarëve, në një realitet thellësisht antagonist dhe me kontrast tronditës pabarazie.

Kumanova, si rast i luftës së paraportuar është tashmë një akuzë e ngritur mbi Kryeministrin e ditëve të mbetura, me emrin Nikolla Gruevski. Përfshirja e OSBE-së në misionin verifikues dhe sqarues të rrethanave e implikimeve në sulmin e armatosur, ndoshta është e pamjaftueshme. Diplomacia e Brukselit kësaj here nuk e kishte kaq të nevojshme ngathtësinë e vet dhe sidomos gjakimin e Kumanovës.

Kush e gatiti dhe cila mund të jetë përgjegjësia që do të rrjedhë? A mund të ketë implikime dhe sidomos akuzime për këtë sulm dhe luftë fundjave në Kumanovë? Pse aktorët dhe faktorët politikë të shqiptarëve heshtën dhe munguan së shfaquri në këto ditë dhe orë të luftës së paraportuar? Ç’vjen pas kësaj që ngjau në Kumanovë dhe si do të jetë më tej Shkupi?

Të gjitha këto janë pyetje me retorikë dhe dilema. Shkupi është një kryeqytet që gjatë kohës qeverisëse të Nikolla Gruevskit mori vlerën e një qyteti si simbol pabarazie dhe manipulimi. Kryeministri shakator i monumenteve që “thyen në mes” buxhetin e republikës së vogël, iu gëzua provincializmit të vet duke hiperbolizuar monumentalisht historinë e maqedonasve pa etni dhe margjinalizoi historinë reale të pjesës shqiptare me histori themelie. Akti mishërues i simbolikës së regjimit të tij për pabarazi, nuk u përball me reagime refuzimesh masive dhe kryeneçësi politike nga bashkëqeverisësit shqiptarë, të cilët çuditërisht erdhën në qeverisje pas triumfit imponues të Marrëveshjes së Ohrit në 2001. Ali Ahmeti në këtë vit bashkëqeverisjeje me Kryeministrin Gruevski, ka përjetuar në mos tortura shpirtërore, së paku ankthe dhe brengosje të pashmangshme prej shqiptari. Kjo ka ngjarë, edhe pse nuk deklarohet prej tij për arsye të rrethanave, në të cilat e lidhi dhe e mban të heshtur edhe pas Kumanovës “së luftës së paraportuar live”, bashkëqeverisësi i tij. Për të ruajtur besueshmërinë dhe sidomos dinjitetin e përfaqësuesit politik të etnisë së vet, zoti Ahmeti tashmë është i dënuar të ikë nga heshtja dhe të zgjedhë mbylljen e kontratës me Kryeministrin gjakues maqedonas. Kjo nuk është patetike, por akt logjik i vlefshëm thjesht si një reagim i pamjaftueshëm qetimi e ndjese. Ka lidhje me pranimin e sfidës për një largim të qeverisë që riktheu Kumanovën e 2015-s në reminishencë apo qoftë edhe episode ngjashmërie me Tanushën e vitit 2001. Shumëkush mund të thotë se mes dy rasteve në kohë të ndryshme dhe me diferencë prej 14 vjetësh nuk mund të ketë ngjashmëri e aq më tepër paralele! Mund të ketë të drejtë dhe mund të vlejë ky gjykim, por historia e sotme në Kumanovë, nuk është mbyllur as me tetë policë të vrarë e 14 të paemër të tjerë të vdekur. Në burgjet dhe sidomos qelitë e Shkupit të sotëm janë kyçur sipas gojës së Gruevskit, 30 persona. Ndërkohë që ministrja e Brendshme, Jankullovska, nuk ka shtuar detaje dhe po i vonon raportimet publike për të vërtetën e ngjarë në Kumanovë e sidomos në “Lagjen e Trimave”. Kjo qeveri e ka humbur të drejtën e gjykimit dhe aq më tepër ndëshkimit të “grupit terrorist”, siç e quan ajo, pasi hapur është në konflikt interesi dhe me përgjegjësi të fortë manipulimi e regjie. Në këtë proces mund të futen të gjithë ata “terroristë” apo luftëtarë të armatosur të dorëzuar në Kumanovë, por duhet hequr apo neutralizuar prej këtij procesi, me akte legjitime politike, regjisori i fshehtë ose protagonisti i drejtpërdrejtë, Nikolla Gruevski.

Mungesa e reagimeve të shpejta nga Prishtina dhe Tirana ndaj orëve të “luftës së paraportuar live” në Kumanovë, më shumë duhen lexuar si maturi. Në mediat europiane, edhe pse në Kumanovë nuk kishte reporterë, u dhanë dy versione implikimi, të ngjashme dhe të njëjtë me versionin gruevskian. Diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës më shumë se kurrë duhej të reagonin drejt, për të mos ngatërruar e as mundësuar implikime shtetërore. Sepse diferenca që vjen përmes transparencës së munguar deri më tash, ndaj së vërtetës në Kumanovë, qëndron tek ajo ç’ka brendi ngjashmërie dhe dallueshmëri, mes Tanushës së 2001-shit dhe Kumanovës së 2015-s(!)

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama