Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Forcimi i sistemit te korrupsionit

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Forcimi i sistemit te korrupsionit

Poshtë flakës së kashtës (të kthyer tashmë në hi) të votimit nga Parlamenti Europian në favor të heqjes së vizave për Shqipërinë, në jetën tonë politike vazhdon të digjet prej kohësh zjarri i akuzave të ndërsjella për korrupsion. Me një egërsi gjithnjë e më të madhe, të dy palët vazhdojnë...

aksionin mediatik të djegies së kundërshtarit në turrën e druve të moralit, duke krijuar përshtypjen sikur ata do ta eliminojnë këtë përfundimisht në flakët e këtij zjarri. Por le ta analizojmë pak më ftohtësisht këtë që po ndodh. Fundi i viteve 90 mund të thuhet se ishte koha kur lufta për të marrë pushtetin nëpërmjet premtimeve të partive politike për më shumë të drejta edhe liri, kundër autoritarizmit filloi ti lëshojë vendin kërkesave dhe premtimeve për luftë kundër korrupsionit. Që prej asaj kohe, antikorrupsioni bëhet prioritet i politikës.

 Pas dhjetë vjetësh, duke parë se çfarë po ndodh me akuzat e ndërsjella, çështja shtrohet: a ka ndonjë zhvillim të ri në këtë proces? Sipas meje po: me akuzat e ndërsjella për korrupsion po përjetojmë një fazë të tretë të kësaj periudhe të dytë dhjetëvjeçare. Por përpara se të kaloj tek ajo, le të shtjelloj shkurtimisht se cilat janë, sipas gjykimit tim, dy fazat që i kanë paraprirë asaj. Me fazë të parë kam parasysh kohën kur akuzat kundër korrupsionit ishin të lidhura fort me shpresën e publikut, se ato do të sillnin zhvillime të vërteta në luftën kundër tij. Kam parasysh këtu si luftën politike që nisi Fatos Nano kundër Ilir Metës në vitin 2000, ashtu edhe akuzat e PD me në krye Sali Berishën kundër Fatos Nanos, Ilir Metës e Edi Ramës, deri në 2005. Me fazë të dytë kam parasysh periudhën kur Partia Demokratike, e sapoardhur në pushtet në vitet 2005 - 2006, filloi fushatën për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Sallaku, me argumentin se ishte ky që nuk po e linte atë të realizonte shpagimin e premtuar publikut ndaj të korruptuarve si Fatos Nano, Edi Rama me shokë.

Në këtë fazë të dytë PS, me në krye Edi Ramën, reagonte duke thënë se antikorrupsioni ishte ideologjia e re e pushtetit, me të cilën po abuzonin demokratët për qëllimet e tyre, njëlloj siç kishin abuzuar me antikomunizmin në fillimvitet `90. Sipas argumentimit të PS të kësaj faze, korrupsioni nuk mund të reduktohej në luftë kundër personave të caktuar, pasi kështu ai kthehej në gjueti shtrigash, se ai, pra, ishte një çështje sistemi më shumë sesa çështje personazh. Së bashku me këtë mbrojtje, PS nuk ngurronte të paralajmëronte direkt dhe indirekt, se duhet të prisnim edhe pak e do të shihnim se si këta gjuetarë shtrigash do të katandiseshin si ata në gjuetarë të lekut. Faza e tretë për të cilën e kam fjalën, ndoshta fillon me Gërdecin, kur akuzat për korrupsion ndaj liderit të PD-së, Sali Berisha, familjes së tij dhe ministrave e njerëzve afër tij vijnë e bëhen arma kryesore politike e opozitës socialiste: pra hyjmë kështu në fazën kur të dy palët përdorin si kalë kryesor beteje denoncimin e korrupsionit të kundërshtarit. Kjo fazë përkon edhe me faktin se për herë të parë të dy forcat janë në pushtet: PD ka pushtetin qendror, kurse PS ka Bashkinë e Tiranës.

Pyetja që shtroj është: a ka ndonjë të re në këtë fazë të tretë të kësaj loje, që ka disa vjet që po zgjat? Sipas mendimit tim, kohët e fundit ka diçka të re që lidhet me një përjetim të ri të publikut mbi këtë fenomen. Personalisht më duhet të pranoj se në kohën kur filloi faza e akuzave të ndërsjella, kam qenë më pozitiv ndaj tyre duke u nisur nga dy gjëra: së pari, nga ideja se gjysmë të vërtetat që thuheshin nga njëra apo nga tjetra palë do ta ndërgjegjësonin publikun lidhur me të vërtetën e plotë se kemi ndërtuar një sistem, që funksionon nga korrupsioni dhe për korrupsionin.

Së dyti, sepse ato diskreditonin këtë klasë politike duke krijuar kështu terrenin e lindjes së diçkaje të re. Ajo çka konstatoj me dëshpërim, është se edhe kjo nënfazë e parë e kësaj faze të tretë ka mbaruar. Të paktën siç e përjetoj unë, por vë re se është një përjetim mjaft i përhapur ndër ata që nuk janë të lidhur direkt me interesat e njërës parti apo tjetrës. Ajo çka vihet re së fundi pra është se paradoksalisht, sa më shumë që palët akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion me idenë se po e dobësojnë, aq më shumë forcohen. Dhe kjo nga ana e vet, aq më shumë i fut në depresion të gjithë ata që aspirojnë për ndryshim. Kam parasysh këtu edhe të rinj, të cilët në një farë mënyre kanë shumë më tepër mundësi të shpresojnë në të ardhmen.

Numri i të rinjve që besojnë se mund të lindë diçka, e cila do të na çlirojë nga pushteti i këtij sistemi është në shuarje totale, ndërkohë që rritet dramatikisht numri i atyre që duan të ikin dhe i atyre që për tu punësuar, zgjedhin hyrjen në njërën apo tjetrën parti të korruptuarish. Pra, ndërgjegjësimi për të keqen, që normalisht mendohet si hapi i parë për të kërkuar ndryshimin, në këtë rast sikur prodhon forcimin e të keqes, njëlloj siç ndodh kur një i sëmurë mëson se ka kancer dhe kjo nuk i jep atij forcë për tu shëruar, por e zhyt në një depresion edhe më të thellë, duke ia përshpejtuar vdekjen.

Një formë e këtij forcimi të pushtetit të sistemit shfaqet edhe në ligjërimet e një kategorie gjithnjë e më të gjerë intelektualësh, që plazmon opinionin publik, të cilët shpesh e më shpesh kanë filluar tu thonë shqiptarëve: qetësohuni, pajtohuni sepse kjo që po ndodh është normalja, ky është kapitalizmi, tani kemi hyrë në fazën ku do të duhet ti adoptohemi atij, mos dëgjoni moralistët, idealistët, komunistët, por bëhuni garantistë, realistë, kapitalistë; të ashtuquajturit akte korrupsioni duhen parë me kujdes sepse një akt, nëse është në përputhje me ligjin, edhe pse mund tju duket i pamoralshëm, nuk quhet korrupsion; sepse tek e fundit, e keqja nuk mund të pastrohet plotësisht nga kjo botë, do të bashkëjetojmë me të; a ska thënë edhe Krishti se gruri me egjrin do të bashkëjetojnë mbi tokë, pasi drejtësia e kulluar do të vendoset në botën e përtejme?

Mirëpo, megjithë "urtësinë" e këtyre mjelësve të kënaqur të sistemit të korrupsionit, thirrjet e britmat e të dy palëve kundër njëra - tjetrës nuk reshtin. E ndërkaq, megjithë këto britma, njerëzit janë gjithnjë e më shpresëshuar. Atëherë nga kush deprimohen më shumë njerëzit: nga ata që thonë qetësohuni, adoptohuni, apo nga ata që akuzojnë ndërsjelltazi ministra, kryeministra, bashkiakë e kryebashkiakë, se janë të lidhur me mafien kombëtare e ndërkombëtare për të grabitur shqiptarët? Sipas meje nga të dy palët, pasi kjo fazë e tretë për të cilën po flas, është ajo e ndërgjegjësimit të publikut për konsolidimin e pushtetit të sistemit të korrupsionit dhe të kastës së tij. Pra, në rastin në fjalë skemi të bëjmë veçse me dy anë të së njëjtës medalje.

Të urtët që thonë "adoptohuni" përfaqësojnë faqen realiste të pushtetit të sistemit të korrupsionit, kurse retorikat me akuza e kundërakuza për korrupsion, që bëjnë politikanët nëpër media përfaqësojnë instrumentin që përdor ky sistem për të gënjyer njerëzit sipas një teorie tashmë të njohur, sipas së cilës pushteti për të qenë sa më i besueshëm dhe sa më jetëgjatë, duhet të përmbajë në vetvete edhe kundërpushtetin. Pra, kur dëgjojmë këtë akuza kaq të tmerrshme, nuk duhet të mendojmë se jemi si të thuash në një gjendje lufte, dmth. Anormale, që duhet të pushojë për të na kthyer në normalitet, me eliminimin përfundimtar të njërit e vendosjen e hegjemonisë së tjetrit ose me kthimin e konfliktit në pluralizëm të vërtetë politik midis forcash vërtet kundërshtare, të cilat me debatin dhe polemikat e tyre korrigjojnë ecjen përpara të vendit e të shoqërisë.

Jo, lufta e ndërsjellë kundër korrupsionit kështu si zhvillohet sot në Shqipëri është instrument pushteti i vetë sistemit të korrupsionit. Pra akuzat e tmerrshme të ndërsjella, që premtojnë proceset e shekullit si ato që ka bërë së fundi ish-ministri Prifti, ashtu sikurse edhe deklaratat e Presidentit se deputetët duhet të heqin imunitetin, apo ato të kryetarit të PS e të Bashkisë së Tiranës "ja ku jam, le të më hetojnë për akuzat e tyre", janë pjesë e kësaj loje pushteti të sistemit të korrupsionit.  Kush ka shpresë se përmirësimi apo ndryshimi mund të vijë nga kjo lojë, le ta harrojë. Për fat të keq, ashtu si rënia e komunizmit, edhe rënia e pushtetit të këtij sistemi korrupsioni do të vijë në Shqipëri për shkak të dekompozimit të tij të plotë, nxitur edhe nga zhvillime ndërkombëtare. Por do të vijë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama