Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Alternativa si minoritar

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Alternativa si minoritar

Kolegu im, drejtori i gazetës së përditshme “Panorama”, Andi Tela, në emisionin “Opinion” ndër të tjera i drejtoi Kryeministrit Sali Berisha pyetjen: “Zoti Kryeministër, a është Himara minoritet”?

Të them të drejtën, për shkak të përkatësisë sime nga ai vis për të cilin pyet kolegu, u ndjeva keq. U ndjeva në gjendjen shpirtërore të ndenjur dhe të ngacmuar shpesh në këto 20 vjet të këtij tranzicioni. Trazimi që shkakton ky ngacmim për komunitetin e bregasve, fatkeqësisht nuk është i ngjashëm me atë të gjithë bashkëkombësve apo bashkësisë së krejt shoqërisë shqiptare. Ky tranzicion e mavijosi si dilemë gati kombëtare pyetjen për qenësinë e Himarës dhe të bregasve të saj. Është thjesht një dilemë propagandistike dhe politike, jo dilemë historike. Si e tillë është ricikluar në momente të ndryshme historike, por më me bujë ka ndodhur sidomos gjatë dy shekujve të fundit.

Nuk dua të rikthehem në pohimin e ndjesisë dhe dijenisë sime. Tashmë ato janë të njohura falë paraardhësve të mi. Natyrisht, as nuk dua të bie në historicizëm, por dua të rikthehem te hiseja ime, për debatin e hapur kaq e kaq kohë. Çështja shtrohet për pyetjen shqiptare që ngjan si për interes të tjetërkujt. Kjo të le shijen sikur dilema apo padijenia, kur bëhet fjalë për Himarën, qenkan së pari mes nesh.

Një koleg grek para pak kohësh m’u drejtua në këtë mënyrë për hapësirën dhe sipërfaqen mediatike që po i lenë mediat tona kombëtare dhe jo kombëtare zhurmnajës dhe gricjes antikombëtare që gjenerohet në Himarë. “Ju e keni në fokus Himarën më shumë se ne në Athinë. Ju e keni hall, ne e kemi nevojë”. Por për nga trajtimi që i bëni, duket sikur ju bëni atë që na duhet ne dhe ne mendojmë si të hamë gështenjat djegëse me duart tuaja”.

Kishte të drejtë. Problemi që injektohet në Himarë aq sofistikueshëm, por po aq edhe hapur, së pari ka “peshkuar” dhe vijon të mbajë të ekspozuar sjelljen jointeligjente të ne gazetarëve dhe mediave shqiptare në tërësi.

Alternativa përfituese e himarjotëve nga “statusi” minoritar” tashmë është shpjeguar se si lindi, se si u përqafua, si u formësua dhe se si po shndërrohet në një “gur me peshë specifike në marrëdhëniet bilaterale shtetërore. Kjo alternativë ka historinë e saj, të cilën me realizëm, por dhe me kujdesin e nevojshëm politik, Kryeministri Berisha e pranon si realitet tashmë të pashmangshëm. Minoritarësia e Himarës është sot një proces i pastër politik dhe për këtë shkak duhet ndarë prej dilemës së qenies apo ndjesisë, siç po trajtohet naivisht prej politikës, mediave dhe fatkeqësisht edhe prej historiografisë së paorganizuar institucionalisht.

Në këtë mëkat, autorësinë më të madhe e ka korrupsioni politik dhe ai ndërshtetëror. Ky proces ka histori të njohur dhe nuk ka asnjë arsye për të ndezur kureshtjen tonë. Prirja për ta minoritarizuar bashkësinë e himarjotëve është e hershme, sikundër po më e hershme është prova historike dhe dëshmia e shtresëzuar e shqiptarësisë në këtë vis. Kjo prirje realizohet kah mot prej sintonizmit të shumë faktorëve dhe vektorëve që kryqëzohen në Himarë në koordinatat Tiranë-Athinë e kthim.

Ndërlidhja e Himarës me historinë e hinterlandit shqiptar është e tillë, që do të krenonte çdokënd prej brezave të shkuar dhe atyre të ardhëm. Sikundër ndërkallja e helenizmit ka historinë e vet dhe ngjarjet e veta shpesh sëmbuese. Himara nuk ka një histori të panjohur, ajo është një ndër trevat shqiptare me historinë më të ndriçuar dhe madje më rrezëllitëse në kontributin e historisë kombëtare.

Më është dukur e qëllimtë që në tekstet e Historisë së Shqipërisë nuk listohen emrat e bregasve që morën pjesë në ngjarjet shenjuese të historisë së mbrojtjes së trojeve tona amtare, si nuk përmendet që Odise Nesturi (Kasneci) ishte ndër titullarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, apo edhe për kontribute të tjera që rëndojnë më shumë se kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo. Nuk ka pasur rast që në qeveritë e Shqipërisë (londineze) të mos kenë qenë ministra nga Himara. Himara nuk ka pasur të dërguar në aktet historibërëse të Shqipërisë, ka pasur të angazhuar kohë pas kohe e shekull pas shekulli dhe kjo është më shumë se thënëse.

Raporti që pikon prej zhurmnajës dhe artikulimit të organizuar për grekësinë e një pjese të konsiderueshme të himarjotëve, është i tillë që po projektohet si “çështje politiko-etnike”. Ky aksion tashmë është dimensionuar si proces etniko-politik. Soditës të tij kanë qenë gjithë aktorët dhe faktorët politikë e institucionalë të këtij vendi. Soditës sot nuk duhet të jenë më së paku pjesët e shëndosha të shoqërisë civile shqiptare.

Alternativa e minoritarizimit të Himarës është qartësisht produkt i bashkëjetesës së korrupsionit politik me nevojën sociale, i angazhimit të grupeve që trashëgojnë afeksionin shpirtëror ndaj grekësisë dhe natyrisht ofertën që vjen prej një shteti që ka investuar gjatë 20 vjetëve me lehtësi dhe favore shumë herë më të mëdha nga sa përfitojnë të pakrahasueshmit (me himarjotët) serbë të Kosovës nga Serbia e sotme. Kjo pjesë e shëndoshë e shoqërisë së sotme duhet të bëhet inkurajuese e trashëgimisë patriotike në Himarë, në të gjitha skajet ku gjendet, manifestohet dhe ruhet ajo.


Vetëm në këtë mënyrë përballet mësymja që ka nisur manipulativisht alternativa minoritarizuese e himarjotëve në këto 20 vitet e fundit. Alogjizmi i ikjes së individit prej shumicës për t’u ndier dhe realizuar si minoritar, është fenomen tipik i shoqërive të lodhura, i shoqërive që kanë humbur busullën e krenarisë dhe të vlerave morale. Për ta ndalur këtë proces nuk na duhet tubimi dhe shpërngulja e flamurit, nuk na duhet reagimi i të huajës, por vetëm sendërtimi i një marrëdhënieje të re zgjuese për atë “pakicë” që e veçuar me qëllim nga shumica, po mbërthen aq fort alternativën e të sjellurit si minoritet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama