Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Markot nuk dinë të kthehen

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Markot nuk dinë të kthehen

In memoriam

Këtë fundjavë u bë zemërpushuar, por fjalëmbetur si i ati, Jamarbër Petro Marko. Përditshmërish ai thirrej Madu. Thirrej veçantish dhe i tillë ishte për ata që mundeshin të shihnin matanë portretit të shprishur të tij. Në çastin e fundit të kalimit në amshim, Madu la një titull libri: “Nuk di të kthehem”.

Ishte e vetëthëna e asaj që duhet thënë meritueshëm për të. “Nuk di të kthehem”! Familjarisht ai dhe at-krijuesi i tij nuk ditën të kthehen. Për këtë shkak, familjes Marko iu dhurua në dy e pak më tepër kohë të njëpasnjëshme politike, shpërfillje aq e madhe, sa nuk e kuptojmë se në ç’borxh kemi hyrë të gjithë. Shpërfilljes ndaj kësaj familjeje iu bënë dëshmitarë disa qindra mijëra bashkëkohës. Ndërsa lexueshmërisë së letërsisë që solli i ati dhe i biri, pashmangshmërisht do t’u jemi pjesë e aradhave që s’kanë për të reshtur kohë pas kohe.

Një ndër bisedat e fundit mes tij dhe së motrës, Arianitës, lidhej me dëmshpërblimin që premtohej aq cinikisht për t’ju dhënë, si ish i përndjekur politik. Fantazia e sjelljes me ato lekë ishte e thjeshtë, por krenare si e Markove. Do i hidheshin ato lekë te krevati i vjetër dhe ai do i shpërndante një pjesë të tyre për të mirët e mëhallës së vjetër, aty te bulevardi “Leka i Parë”, në Tiranë. Do t’jua dhuronte atyre që mbeten ende më të afërtit dhe më të pamunguarit për familjen e mbetur Marko.

Ato lekë ai nuk i mori dhe për shkak të tyre mezi iu gjet një varr ndër “rrugicat e okupuara” të varrezave të Sharrës. Tamam si në poezinë e “Pro nobis”-it, kur tha: “Ti do të tretesh në rrugë”.

Jamarbri vetëzgjodhi preferencën e aq e aq shkrimtarëve, bohemësinë shpërfillëse ndaj shoqërisë, por sidomos ndaj shoqërisë institucionale, e cila nuk bëri dot hije si ndjenjë vlerësuese te Jamarbri. Ai e gjuajti shpërfilljen me shpërfillje. Të vetmen hije që la si shenjë të makthshme diktatura e shkuar, ai e fshehu aq mençurish në poezitë e botuara dhe të pabotuara.

Prej kësaj përplasjeje, shumë njerëz me dhimbje dhe pa të tilla, kujtojmë se është plagosur ajo familje apo ai poet i vërtetë. Në të vërtetë, ai dhe i ati fituan heroizmin e të qenit të pakthyeshëm. Te disa dhjetëra e pse jo edhe qindra bashkëkohës të tyre, pazhbëshëm do të mbetet lëndimi për pashpirtësinë e treguar në kohën e sotme, pasi në të djeshmen ishin të gjithë të pamundur. Sepse ata lanë një lëndë e cila vlen meritueshëm për edukimin artistik, estetik, atdhetar dhe qytetar të fëmijëve të sotëm dhe të atyre që ende s’kanë lindur.

Letërsia e Jamarbër Markos mbeti ku e ku më pak nga ajo që kishte aftësi të linte. Jetoi kontestueshëm për një mijë e një arsye dhe rrethana. Me një ndërgjegje trashëgimie, para së cilës ndihej i vogël çdo bashkëfolës.

Për rrugën dhe njerëzit e saj ngriti një kult, ndonëse gjithë jetën e vet e konsumoi si ironi për kultet. “Madu nuk pati asnjë gjë, asnjëherë. Asnjë s’e kuptoi”, tha në ditëpërcjellje e motra, kujdestarja heroike Arianita. Ai tani është në rrugë, por jo mbi rrugë. Nën të, në një skaj të sajuar atje në varrezat e Sharrës, ku ecja e të gjallëve s’ka për të qenë kurrë e rregullt. Arianita duke i dhënë lotin e fundit të qëndrimit mbi tokë, tha: “Të qoftë dheu më i lehtë se jeta”!

Ajo familje emblematike shqiptare, dje mbeti pak më pak në genin e saj fizik. Madu, i Safos dhe Petros, u fsheh nën dhé si Petrua. Por kanë fituar lojën e fatit të mbetjes pas vdekjes. Kjo, vetëm për meritë të tyre dhe askujt s’ia dinë për falënderim. Arianita që jep provën divine të bijës, ka ende për të na ofruar letërsinë e lënë nga i ati dhe tashmë edhe nga i vëllai. E lëna fjalë e vlershme prej Markove ka vlerën e sotme dhe të nesërme. Madje do të vlejë për të nesërmen dhe të pasnesërmen, deri në të ardhmen e shkuar. Ata do të vazhdojnë të na dëshmohen dhe vlejnë edhe përmes mosqenies fizike. Ndërsa shpirtmëkatësia e të gjallëve të mbetur është gjyqi për të cilin s’kanë dashur t’ia dinë. Sepse ata e mundën shpërfilljen… me vesin e virtytshëm që “nuk ditën të kthehen”... siç do ta thotë në librin e ardhëm Jamarbri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama