Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kosova, drejtpeshim për Ballkanin

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kosova, drejtpeshim për Ballkanin

Legjitimiteti i pavarësisë dhe së drejtës shtetformuese të Kosovës, i rikonfirmuar dje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, përbën një moment të ri për të sotmen dhe të nesërmen politike dhe diplomatike të Europës, por sidomos të Ballkanit. Bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht institucionalizmi global, ka fituar një sfidë, e cila ka vlefshmëri gjithëkohore për kauzën dhe principin e lartë të së drejtës së popujve dhe kombeve. Rasti i Kosovës tashmë është një kazus pozitiv rishtar në të drejtën ndërkombëtare.


Opinioni juridik vlerësues i gjykatës, për pavarësinë e Kosovës, përbën në vetvete shprehjen më eksplicite juridike. Ky opinion, në arenën ndërkombëtare dhe institucionet globale, sjell forcën e një shembulli të ri principial.

Diplomacia serbe dhe ajo shqiptare kanë listuar përfundimisht një ndeshje me rezultat “përmbysës”, duke fituar paskësaj një orë të re për epokë tjetër. Ky rezultat i përmbysur nuk ka lidhje me sedrën apo lëndimin e ngjashëm, në raportin klasik të fituesit dhe humbësit, por ka lidhje me një epokë të re, të cilën dy kombet e nisin në fqinjërim të përjetshëm me njëri-tjetrin. Tani ka vetëm një shans, është ai i sendërtimit të historisë së fqinjërimit dhe i mbylljes së historisë shekullore të përgjakjes, sundimit dhe sulmimit. Një garim i ri kulturor dhe qytetërues, ekonomik dhe komunikues, duhet të marrë udhë, pasi në çdo udhë të gjenden këta popuj, në një destinacion të përbashkët janë të “dënuar” të mbërrijnë: në bashkësinë e shumëdëshiruar të BE-së. Investimi i diplomacisë ndërkombëtare për realizimin dhe më pas legjitimimin e kësaj pavarësie, i mbështetur mbi të drejtën dhe sakrificën kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, përbën sot një sprovë themelore për drejtpeshimin e vonuar gjeopolitik në Ballkan.

Ky vendim sanksionon një normë të re marrëdhëniesh në hapësirën ndërshtetërore ballkanike. Kosova, legjitimueshëm të qenit të saj i shton edhe energjizmin e ri për një vrull partneritetesh dhe marrëdhëniesh me shtetet, institucionet dhe organizmat rajonale dhe ato kontinentale.

Pohimi i djeshëm shprehës i Gjykatës Ndërkombëtare ka vlerën e një konfirmimi unik, i cili nuk i vlen vetëm popullit dhe shtetit të ri, por para së gjithash përfitues prej saj janë vetë kontestuesit e deritanishëm, fqinjëruesit e përjetshëm të Kosovës, serbët. Serbia zyrtare, pas këtij vendimi, ka fituar shansin e kthimit në një drejtpeshim auto-politik. Kjo mundësi për reflektim serbo-shqiptar, nën optikën orientuese të jurisprudencës diplomatike ndërkombëtare, duhet shfrytëzuar pa kohëhumbje.

Opinioni i zbardhur i Gjykatës Ndërkombëtare dhe sidomos pohimi i kthjellët se kjo pavarësi nuk cenon të drejtën ndërkombëtare, ka “hedhur ajër freskues” në krejt hapësirën ballkanike dhe për gjithë qeveritë e sotme të rajonit. Efekti i parë i këtij opinioni institucional e juridik, pikërisht lehtëson rienergjizimin e marrëdhënieve etnike, diplomatike, politike dhe ekonomike të rajonit. Disa shpërgënj mentalë këputen paskësaj. Fqinjët skeptikë dhe mosnjohësit e deritanishëm të shtetit të Kosovës, nesër do të jenë pashmangshmërisht më të paktë.

 Me këtë rast, këta fqinjë kanë çastin ndihmues të paraprijnë pakësimin e mosnjohjeve numerike ndër vendet e BE-së. Sepse ky vendim i vonuar lidhet jo thjesht me dëshirimin shqiptar për shtetnjohjen e mëtejshme të Kosovës, por me kauzën e tyre të kahershme për më tepër kontribut diplomatik dhe bashkëpunues në epokën e re gjeopolitike të rajonit tonë. Aktet e shpejta njohëse nga fqinjët e mbetur, si Greqia apo para së gjithash prej vetë Serbisë, do të jenë përfitime që drejtpeshimi ndërkombëtar po i sjell Ballkanit të sotëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama