Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

E tashmja e shkuar

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
E tashmja e shkuar

Moda e ditës në Shqipëri është të marrësh shëmbuj nga e shkuara. Ca nga ca kanë filluar ta bëjnë të gjithë, politikë-bërës e politikë-përtypës. Marrin ndonjë shëmbëll nga e shkuara jonë dhe ja hedhin publikut për të treguar dy gjëra. E para, që dinë shumë e janë të kënduar; dhe e dyta, për të treguar se vazhdojmë të bëjmë të njëjtat gabime e gafa si qëmoti. Për hir të kronikës, do thënë që të parët që i hynë kësaj udhe qenë analistët e gazetarët, se sidoqoftë janë më të kënduar se politikanët dhe e patnë më të lehtë të kuptojnë se politika jonë po ecën në të njëjtat shtigje të bajgosura si edhe kushedi sa herë të tjera në histori. Në këtë grup shkrojtësish bënj pjesë edhe vetë dhe këtë mund ta dëshmojnë një radhë shkrimesh të miat mbi këtë temë.

Si u pa që kjo mënyrë të shkrojturi dhe krahasimi zinte vënd ndër njerëzit, fap, u kujtua edhe politika ta përdorë. Palët, sipas midesë, filluan të rrëmojnë në histori për të gjetur shëmbëlla që denoncojnë apo i bëjnë dëm palës tjetër. Shëmbëlli më elokuent - do thënë edhe jo i pasuksesshmë - në këtë punë, qe ai i Kreut Rama me të famshmen fjalë të Imzot Nolit për Qeverinë e Pykave të ’23-së. Krahasimi zuri vend, paçka se më pas një analizë e hollë nxori në pah se kufiri mes pykë-akuzonjësve dhe pykë-akuzuarve ishte disi i mjegulltë, po kjo nuk kish më rëndësi. Turmat e miletit nuk ia kanë ngenë të bëjnë analiza të holla dhe, edhe në daçin, nuk kanë kohë t’i bëjnë se, sa dëgjojnë një fjalim me njërin vesh, u mbërrin kundërfjalimi nga veshi tjatër dhe s’u lë kohë të thellohen.

Ca ditë më parë e vazhdoi këtë punë edhe Kryeministri në Kuvënd dhe, sipas stilit të tija, ja ngjeshi ca kodra pas bregut, po e rëndësishme nuk ish kjo. E rëndësishme ish që ktheu përgjigje dhe e ktheu sipas modës, pra duke marrë shëmbëlla edhe ky nga e shkuara e para 70 vjetëve. 

Po çudia nuk mbaron këtu, se edhe kjo modë është ngjitëse. S’ka ca ditë që kjo modë zuri t’u pëlqejë edhe të huajve që i zë taksirati të merren me ne. “The Economist” shkruante një artikull për krizën ekonomike në Shqipëri dhe, për të treguar çudinë që e gjithë bota është në krizë, ndërsa ne themi se jemi si s’ka më mirë, e merrte shembullin jo pak por nga një shprehje e Mehmet Shehut e para gati 40 vjetëve, kur thosh se “ne në gojë të ujkut hedhim valle”! “The Economist” është ustalleshë e vjetër, ka parë shumë nëpër dynja dhe, kur vjen puna të përdorë një histori të vjetër për një situatë të re, këtë nuk e bën se ju sosën llafet, por se sheh që vëndi të cilit i drejtohet po bën të njëjtat budallallëqe të së shkuarës. Englezët dhe çdo tjatër popull i pjekur, sa herë që u del një problem në udhën e jetës a të zhvillimit, përpiqen ta zgjidhin e të nxjerrin mësime që ai të mos u përsëritet më. Ndërsa kur një populli, i paraqiten të njëjtat probleme radhë pas radhe dhe lejon të bëhen të njëjtat gabime, do parë puna më thellë se, një të këtillë populli, ia ka fajin vetja dhe jo problemi, apo më mirë të themi jo vetja, por klasa e tij drejtonjëse, që prapë fundi i fundit prej tij del.


Mund të rrëmoni sa të doni në pusin e historisë engleze, që është si n’do Zot nja dhjetë herë më i thellë se i yni, por zor të gjeni në të ndonjë rast kur politika e atij vëndi të ketë përsëritur të njëtat gabime a, ca më keq, faje dy herë. Ndërsa ky avazi ynë tregon se politika jonë në këta dyqind vjetët e fundit (që kur zunë të krjohen kombet) dhe në këta njëqind vjetët e fundit (që kur u zu shteti ynë), ka bërë e vazhdon të bëjë me këmbënguljen e të ligut të njëjtat marrëzi e zullume pa ndryshuar udhë hiç.

DY ADRESAT

Ka dy mënyra për t’i shpjeguar gjërat. Ose të ulesh e të mbushësh faqe të tëra me fjalë e analiza të fenomenit, ose t’i biesh shkurt e të gjesh mënyrën që ta shprehësh idenë me fotografi. Ndonjëherë më pëlqen më shumë kjo udha e dytë, jo se nuk harxhoj kohën për të zgjedhur fjalët por se imazhi fotografik flet ndonjëherë sa një libër i tërë. E kam përdorur edhe here tjetër këtë udhë dhe meqë kam pare se funksionon, më lini të vazhdoj ta përdor.

Në foton e parë jemi në fillim të shekullit XX në Shkodër. Mos u përqëndroni tek ajo fshatarka pa emër që pozon përpara fotografit, as tek muri gërmadhë apo më tej te qeramidhet e mbulesës së portës, por tek porta vetë. Në të është shkruar me bojë numri i shtëpisë në osmanishten e vjetër “٢١٢”, që me numrat e sotëm i bie “212”. E pra, pushtonjësi qindravjeçar, që për dreq nuk na kish lënë të bashkoheshim me Perëndimin e zhvilluar, që na shtypte dhe merrte djemtë nizamë, megjithatë kishte sistem adresash dhe, çdo shtëpi, edhe 2000 kilometra larg nga kryeqyteti i Perandorisë, Stambolli, nëpër rrugicat e spërdredhura të Shkodrës, kishte numrin tek dera dhe posta i vinte tak-fak.

Fotografia e dytë është një e-mail që më erdhi këto ditë, bash 100 vjet pas fotografisë së parë. Shiheni vetë se si përcaktohen adresat sot: “përballë Ambasadës Iraniane, mbrapa Piramidës, te rruga e shtëpisë së Berishës”. Jemi vetëm 50 metra larg nga Kryeministria, qendra e shtetit, nga e cila nisen gjithë direktivat që duhet të vënë në punë edhe qoshen më të largët të mëmëdheut.


Dolëm nga Perandoria e turqve, hymë në Perëndim, pastaj dolëm nga Perëndimi dhe hymë prapë në Lindje, hymë dhe dolëm nga Traktati i Varshavës, Tani hymë në NATO, po përgatitemi të hyjmë në Evropë, do na heqin vizat, do mbjellim 20 milionë rrënjë ullinj, po çojmë internetin në çdo kullë, do hapim edhe kutitë, por … nuk jemi në gjëndje as të arrijmë atje ku ishim njëqind vjet më parë: të vëmë numrin tek dera dhe kështu të kemi adresa që të gjejmë njëri-tjetrin.

Jo po e ka fajin qeveria qëndrore se na bllokon, jo po nuk na i jep të dhënat pushteti vendor, jo po do bëjmë një program me donatorët, po do ngremë një njësi projekti. Të gjitha këto giu-viu dënglaxhinjsh që mund të ngrenë kalá llafesh, por që nuk vënë dot as edhe një gur prej vërteti, ma shpifin dhe po bëj ç’të mundem që t’ua shpif edhe juve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama