Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Emergjenca e kutive

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Emergjenca e kutive

S’ka ditë të mos dëgjojmë lloj-lloj tragjedish në media, që nga aksidentet me makina që përplasen me këmbësorë e karroca në autostradë, te pallatet që shemben, zjarrfikës që bien nga litari, fëmijë që i zë korrenti te kabina pa derë, zjarre që shuajnë jetë, e deri te tragjeditë e rafinuara, si rasti i para pak ditëve në Gjirokastër, ku Drejtoria Arsimore, fëmijët normalë i regjistronte për handikapë, për të vjedhur paratë e një projekti. Derisa këto ndodhin larg, në një rreth tjetër, në një qytet tjetër, në një lagje tjetër, apo te pallati tjetër, si shqiptarë të mirë mbetemi inertë dhe indiferentë dhe, meqenëse zakonisht kronika e zezë transmetohet në vaktin e drekës, thjesht bëjmë kujdes që duke dëgjuar fatkeqësitë në televizor, të mos i hedhim shumë kripë gjellës apo vaj sallatës.

Vazhdojmë kështu deri ditën që fatkeqësia kalon të vijë e të trokasë nga lagjja tjetër te pallati ynë. Kjo trokitje më erdhi edhe mua pak ditë më parë me atë zjarrin që ra te një pallat pa numër (si të gjithë pallatet e reja) te Rruga e Elbasanit (të paktën rruga ka emër, por jo se ia ka vënë bashkia, por se kështu i kanë thënë që në kohë të Turqisë). E pra, në një nga lokalet e katit përdhes të pallatit ra zjarr pas mesnatës dhe i gjithë pallati doli në rrugë si mundi. Meqë Perëndia kish vendosur të na jepte akoma ymër, fatkeqësia nuk u shndërrua në tragjedi dhe u kufizua vetëm në nja dy humbje ndjenjash.

Unë aty pashë heronj. Një nga gratë që i ra të fikët, u nxuarr jashtë mes tymit mbytës jo nga ca zjarrfikës të veshur si alienë, siç ndodh nëpër filma, me skafandra, veshje zjarrduruese, bombola oksigjeni, e të tjera, por nga tre policë që hynë mes shkallëve të mbytura në tym pa asnjë mjet, absolutisht pa asnjë mjet, vetëm me thonj dhe kobure në brez. Më pas pashë edhe zjarrfikës që, kur mbërritën dhe situata u bë edhe më e rëndë, hynë mes tymit vetëm me nga një bombol oksigjeni në kurriz dhe asgjë tjetër, madje as kaskë në kokë. Në atë pallat banojnë të gjitha kategoritë e shqiptarëve, duke filluar nga tre deputetë, dy ish-deputetë, prokurorë, gjykatës, profesorë, doktorë, zanatçinj, ish-skafistë e madje edhe analistë të pavarur. Pallati nuk ka asnjë sistem mbrojtje nga zjarri. Nuk ka shkallë emergjence (pse, kush pallat i ka), nuk ka sistem zjarrfikës (edhe atje ku i vënë, janë vjedhur), nuk ka llamba emergjence (s’biem dakord bashkërisht t’i blejmë), nuk ka dalje në tarracë. Jo, këtu gënjeva. Dalje në tarracë ka, por ajo qëndron e mbyllur me kyç nga ai që ka privatizuar tarracën. Nëse tymi do të kishte qenë më i dendur dhe njerëzit të kishin tentuar të shkonin lart drejt tarracës, do kishte ndodhur një tragjedi e pamasë, pasi do kishin mbetur të bllokuar si sardelet para portës të privatizuar të tarracës. Ajo që i ndodhi pallatit tim, u ka ndodhur edhe shumë pallateve të tjerë dhe do të vazhdojë t’u ndodhë në pafundësi, pasi të gjitha pallatet shqiptare të reja e të vjetra njësoj janë.

Të gjithë këta që numërova, atë natë u betuan se do të merrnin masa, edhe deputetët, edhe ish-deputetët, edhe gjykatësit e prokurorët. E nesërmja erdhi, fundjava kaloi duke pastruar shtresën e blozës nga shtëpitë dhe askush nuk u bë më i gjallë. Një prej deputetëve u betua atë natë gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht, se do të mbante në shtëpi një kallëp tritoli, për të shpërthyer portën e tarracës, nëse do të ndodhte sërish e njëjta gjë. Dikush aty pranë, më praktik, i tha se mjaftonte të mbante një levë për t’i shqyer drynin në rast nevoje. Natyrisht që në të dyja rastet do të pritej të përsëritej zjarri për të shqyer portën dhe asnjërit nuk i shkonte ndër mënt se do të qe më mirë të merremi vesh me pronarin e tarracës, që të tregohet zemërgjerë e ta lerë hapur tarracën për të mos vdekur si minjtë, se vetëm minj mund të konsiderohen ata që edhe para perspektivës së vdekjes, nuk rebelohen.

U kthehem edhe njëherë heronjve të asaj nate. Ne që u përpoqëm të shpëtojmë familjarët tanë, nuk jemi heronj, unë që zbrita shkallët mes tymit duke mbajtur në krahë time bijë të terrorizuar nuk jam hero, heronjtë janë zjarrfikësit, ata djem që gati pa asnjë mjet i hyjnë rrezikut ballazi. Para ca ditësh në Fier një zjarrfikës vdiq për të shpëtuar nga zjarri një shtëpi. Ai ra nga litari me të cilin po përpiqej të ngjitej në katin e tretë. Të gjithë thamë “bravo”, por askush nuk u kujtua të pyeste se si është e mundur që po përpiqej të ngjitej me litar? Në s’gaboj, shkalla është shpikje babilonase e para nja 5000 vjetëve dhe, që atëherë ajo zuri vendin e litarit në ngjitje. Në Fier, 5000 vjet më pas, një zjarrfikës përdor akoma litarin për t’u ngjitur, pasi shteti i tij ende nuk ka arritur në nivelin e shtetit të qëmotshëm asiro-babilonas.

Ku ta gjej zgjidhjen? Kush më nxjerr dot nga ky qerthull? Të hapen kutitë, se pastaj do ndreqen të gjitha. Për atë Zot që na sheh, do të isha gati ta besoja këtë punën e kutive që do ndreqë gjithë të ligat, sikur të më rezultonte që pallatet e ndërtuara te kuti-hapurit të qenë të sigurt. Sikur pallatet e ndërtuar në Tiranë të qenë me shkallë sigurie, ndërsa pallatet e ndërtuar në Shkodër të qenë pa shkallë sigurie. Sikur pallatet e ndërtuar në Durrës të qenë me të gjitha kriteret dhe ata të ndërtuar në Sarandë të qenë pa asnjë kriter. Mirëpo gati të gjithë pallatet e ndërtuar në të gjitha qytetet, edhe tek ata me kuti të mbyllura, edhe tek ata me kuti të hapura, janë njësoj. Ju lutem paraprakisht atyre që mbrojnë kutitë e hapura, të mos më akuzojnë që duke folur kështu po dëmtoj kauzën, se ç’dreqin hyn në punë kauza, kur këtu bëhet fjalë për jetë të rrezikuara apo për sytë e skuqur nga tymi të sime bije.

Atëherë ku është zgjidhja? Mos është te heqja e vizave. Edhe këtë s’e besoj, se kjo do t’ua zgjidhte hallin vetëm atyre që kanë ndër mënt të ikin nga ky vënd, ndërsa unë as e kam pasur këtë mëndje e as që e kam dhe, si unë, janë më të shumtit e shqiptarëve besoj. Po atëherë, si i bëhet?

Emergjencat civile, duke qenë se kanë të bëjnë direkt me mbijetesën e anëtarëve të komunitetit, nuk janë më prioritet në shtetin modern, për arsyen e thjeshtë se trajtimi i tyre, pajisja me mjete dhe personel, fondet dhe korpusi ligjor i nevojshëm, janë të cilësisë maksimale dhe trajtohen si funksion bazë i shtetit. Vetëm pas kësaj, shteti merret me ato që i konsideron prioritete sipas politikave të momentit. Në rastin tonë, duket se i bie një gajdeje të stërkonsumuar, po të them se emergjencat civile janë ende në fazën e shoqërive para-shtetërore, fakt ky që thjesht konfirmon nënvleftësimin e jetës njerëzore në shoqërinë shqiptare, ashtu sikurse ka ndodhur kurdoherë në histori në rastet e shoqërive të nën-zhvilluara. Natyrisht që mund të vazhdojmë të mburremi me Skënderbenë dhe Nënë Terezën, po si i bëhet për të zgjidhur edhe hallet e zjarrfikësve pa shkallë, të spitaleve pa ilaçe dhe të urgjencave pa ambulanca.

Ne jemi ende te koha e atij litarit që thashë më sipër dhe ku çdo hall duhet ta zgjidhim direkt, duke u përplasur mes nesh. Zgjidhja do të vijë dalëngadalë, duke ndërruar mëndjen ne, duke hapur kutitë e mëndjeve tona dhe duke hequr vizat që na pengojnë të organizohemi në jetën shtetërore e të futemi në botën e qytetërisë. Ndoshta do të duhen nja dyqind vjet për këto hapa, por këto s’janë asgjë para 5000 vjetëve që na janë dashur për të pajisur zjarrfikësit me shkallë dhe ende s’ia kemi dalë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama