Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Buletini i luftes - 2

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Buletini i luftes - 2

Në pritje të rifillimit të Betejës së Kutive, po transmetojmë Buletinin Nr. 2 të Luftës së shqiptarëve kundër vetes.  (Buletinin Nr. 1 e transmetuam muajin që shkoi).

- Pika më jugore, jugorja fare, e Shqipërisë është një ishullth i vockël që i thonë ishulli i Ftelesë. Ishulli ndodhet mu aty ku ndan kufiri me Greqinë, nja 30 metra brenda kufirit shqiptar dhe pakkush e di që ai ekziston. Pasi mbijetoi i paprekur për epoka të tëra gjeologjike dhe historike, duke qenë një lloj rezervati i pacenuar, i erdhi radha dhe kohët e fundit aty po ndërtohet. Më thonë (eh, sa do doja të isha i gabuar) se aty po ndërtohet me leje të Xhuvelit. Po, po është një subjekt që ka pas marrë leje për peshkim dhe tani po ndërton një godinë betoni në ato pak metra të ishullthit.

- Muri i Demës pranë Ksamilit, bashkë me Murin e Korinthit, janë dy shembujt e vetëm të mbijetuar të këtij tip fortifikimi në të gjithë Ballkanin. Muri i Demës ka qenë ndërtuar para dy mijëvjeçarësh e gjysmë, për të mbrojtur kalimin e ngushtë midis detit dhe liqenit, ndërsa tani më duket se ka ardhur koha të ngremë një mur për të mbrojtur murin e Demës dhe pastaj të vëmë edhe një batalion të ruajë murin e murit të Demës. Me një këmbëngulje tipike shqiptare, çdo rrugë e re, tub i ri ujësjellësi, linjë e re telefoni a elektriku, çan një plagë të re në blloqet masive 2500-vjeçare të murit. Logjika e thjeshtë të thotë se do qe normale që të gjitha këto të grumbullohen në një pikë dhe ta kalojnë murin në një zonë ku ai është i çarë apo në zonën pranë rrugës, por jo, secili institucion e sulmon në një pikë të ndryshme, si për të bërë sa më shumë dëm.

- Më në fund mund të themi se Saranda ia doli të bëhet qytet i ri. Komandantit i pëlqente t’i quante kështu qytetet, por jo gjithmonë ia dilte, ndërsa ne e tejkaluam atë. Para pak javësh në Sarandë u shembën tre nga të fundmet objekte të mbetura gjallë nga e shkuara dhe tashmë shpëtuam nga Saranda e vjetër dhe kemi vetëm Sarandën e re prej hekur-betoni, ashtu si ato qytetet e ndërtuara nga hiçi nga sheikët nëpër shkretëtirat e Arabisë.

- “Tomor o mal i shenjtë” i ka kënduar dikur Çajupi atij mali, Naimi e quante “Mal ku rrijnë Perënditë”, Kristoforidhi vendos në të ngjarjet dramës së tij “Gjahu i malësorëve”, ndërsa gjyshërit e mi si bektashinj të mirë, bënin be “për Baba Tomor”. E pra më në fund, edhe Malit të Shenjtë të Tomorit, i erdhi dita të paguajë krenarinë e vet. Ka mbi dhjetë vjet dhe çdo vit më shumë, që mali i Tomorit po hahet me mina e me dinamit, me matrapik e me kamiona, me fadroma, me qysqi e me çdo mjet tjetër të mundshëm. Janë me dhjetëra gurore me leje dhe qindra të tjera pa leje që ia kanë bërë benë malit dhe po ia krrejnë binanë. Ajo që po ndodh me këtë mal është një tragjedi e vërtetë natyrore mjedisore dhe kulturore dhe ka vetëm një shembull tjetër që mund të krahasohet me të në Shqipëri: atë që po ndodh me kodrat e Krujës. Është vërtet një rast për t’u studiuar, urrejtja e shqiptarëve me dy prej vendeve më të shenjta të të parëve të tyre, Krujës së Skënderbeut dhe Tomorit të Perëndive.

- Pranë Beratit, në Osum, ngrihet një tjetër urë edhe më e vjetër se ajo e Goricës, që i thonë Ura e Velabishtit. Një urë e shëndoshë guri, që shekujt dukej se i kishin siguruar mbijetesën. Vitet e fundit kish ndodhur edhe një tjetër fenomen, që më kish bërë të flija i qetë se urën s’do e gjente gjë. Megjithëse ura në kohët e saj të lumtura ka qenë goxha e lartë, prurjet e inerteve e kanë mbuluar atë deri në gati dy të tretat e lartësisë së saj. Ky fenomen që në çdo vend tjetër do quhej si i dëmshëm, në Shqipëri është i dobishëm. Duke u mbuluar ura mbrohet më mirë nga dëmtimet dhe, në një epokë tjetër, ndoshta pas njëqind vjetësh, kur shqiptarët të jenë bërë europianë, do të mund ta gërmojnë e zbulojnë sërish në të gjithë madhështinë e saj. Mirëpo s’qe e thënë. Meqenëse atyre anëve nuk ka urë tjetër për makina, ura mesjetare e Velabishtit e zhytur gati e gjitha në plehra e inerte, duhet të mbajë sipër edhe peshën e kamionëve që bota i ka shpikur të shkojnë mbi ura hekur-betoni. Më thonë se ura duroi sa duroi, dhe tani ka filluar të çedojë duke marrë nja dy të çara të thella në harqet e saj elegante.

- Pranë Korçës, në fshatin Turan, gjendet një kullë mesjetare nja njëzet metra e lartë që, për çudi, ruhet në mënyrë integrale dhe është e vetmja e llojit të saj e mbetur në këmbë në gjithë trojet tona. Tashmë pas kaq shekujsh, edhe asaj i erdhi dita dhe rrezikon të shembet nëse nuk ndërhyhet. Alarmin e vunë gazetarët e Korçës, kur intervistuan edhe një bablok që tani falë partisë së tij punon në Degën e Monumenteve të Kulturës atje. Ky babloku, pyetjes së gazetarit se çdo të bënin për ta shpëtuar monumentin, iu përgjigj se po t’u jepnin para nga qendra, do të ndërhynin për ta shpëtuar nga shembja. Me rregull treshi, vetëkuptohet se meqenëse zor të kujtohet njeri që në këto kohë të vështira të japë para për kalara, kulla do të shembet pa e trazuar kush gjumin.

- Në Pogradec ka shpëtuar shumë pak trashëgimi arkitekturore, kështu që banorët e atjeshëm e kanë disi të vështirë të gjejnë ndonjë gjë për të prishur. Këtë mungesë, po përpiqen ta kompensojnë me të vetmen gjë me vlerë të qytetit: bregun përgjatë Liqerit. Para nja dhjetë ditësh, më telefonojnë që andej dhe më thonë se bash midis parkut të gjelbër, midis shëtitores dhe bregut, është dhënë leje dhe po ngrohet një mostër shumëkatëshe në beton të shëndoshë.

- Në Tiranë sapo përfundoi shkatërrimi i Lulishtes së fundit historike të mbetur, asaj te monumenti i Skënderbeut. Lulishtja ishte shpallur “monument kulture”, por kjo nuk e ndihmoi që të mos binte pre e fadromave. Argumenti është që do bëhet prapë një lulishte edhe më e bukur. Pa e vënë në diskutim këtë fakt, pyes veten, po pse patjetër duhej të prishnin këtë, nuk mund të bënin një lulishte tjetër? Imagjinoni një piktor që me teorinë se i duhet një telajo për të bërë pikturën e vet, prish një pikturë që ekziston! E dini si u përgjigj Milosheviçi kur e akuzuan se nga lufta po dëmtoheshin godinat historike të Dubrovnikut: S’ka gjë, pas lufte do t’i bëjmë edhe më të bukura!

- Muret e Kalasë së Tiranës janë 2,8 metra të trasha dhe kjo e bënte të vështirë shkatërrimin e tyre, por me ç’duket më në fund u gjet një mënyrë efikase për t’i shembur. Prej disa muajsh rrëzë tyre është hapur një kanal nja 5 metra i thellë, i cili ka nxjerrë të zbuluara tërësisht themelet duke rrezikuar vithisjen e tyre. Në fakt, kjo metodë nuk është shpikje shqiptare, pasi kronikat thonë se përdorej që në Mesjetë për të shkatërruar muret e kështjellave të rrethuara. Me një ndryshim, atëherë kjo taktikë përdorej për të shembur kalatë e armikut, jo të tyret.

- Në qendër të Tiranës vazhdon aventura e Piramidës. Në fillim harxhuan me sukses një thes me para për ta zhveshur nga veshja prej mermeri të bardhë që edhe ajo kish kushtuar qimet e kokës. Pastaj filluan ta veshin me pllaka granili gri, nga ato që përdoren për banjat dhe ndaluan në mes, kur panë se ç’skandal po dilte. Tani që kanë mbaruar edhe paratë dhe nuk dinë si të vazhdojnë kështu që e lanë në mes. Një tjetër varr i hapur ky përmidis Tiranës.

Kur botova Buletinin e kaluar, në të përmblodha fakte për të gjithë territorin e vendit. Kësaj radhe, hapësira që lejon zakonisht gazeta për një artikull, m’u mbush dhe unë mezi arrita deri në lartësinë e Tiranës. Pjesa tjetër e vendit, mund të vazhdojë të rrënohet në heshtje, pa pasur as luksin të përmendet në gazetë.

Pas ndo njëqind vjetësh, kur të na pyesin se ku është ky apo ai monument që do ta gjejnë vetëm nëpër fotografi të zverdhura, me krenari do themi: “S’i shpëtuam dot monumentet se ishim të zënë me hallin e kutive, se po të mos kishim hallin e kutive do kishim bërë namin!”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama