Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ngërçi si krizë

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Ngërçi si krizë

Mediat e vendit, dje dhe sot, ndërruan befas renditjen e lajmeve që lidhen me politikën dhe axhendën e Shqipërisë me BE-në. Pa u larguar ende nga Tirana ekspertët e PE-së të mbërritur enkas për diskutimin dhe trajtimin e çështjeve që mbajnë në fuqi ngërçin apo krizën politike, vëmendja u spostua te vendimi i radhës i Komisionit Europian për të propozuar heqjen e vizave me Shqipërinë. Palët në mënyrat e tyre u pozicionuan ndaj tri kritereve të tjera, të cilat do të verifikohen në verë nga ekspertët.


S’ka asnjë dyshim se procesi liberalizues i vizave është i pakthyeshëm dhe sidoqoftë duhet konsideruar gëzim i mbërritur me vonesë. Ashtu sikundër mund të thuhet fitore e vonuar. Por ajo që për një ditë u mbulua prej lajmit të vonuar, por të gëzueshëm, është më e rëndësishme dhe më peshuese.

Ekspertët e nivelit të lartë, të mbërritur për shkak të ngërçit të krijuar mes palëve, që erdhën vetëm me misionin e listimit të çështjeve ndarëse mes PD-së dhe PS-së, u larguan duke lënë në padijeni publikun dhe pjesën më të madhe të udhëheqësisë politike të vendit, përjashto një grup të ngushtë politikanësh dhe ekspertësh partiakë. Dijenia për negocimin e deritanishëm të mosmarrëveshjes rënduese Berisha-Rama, është çështje e personave që numërohen me gishta. Ç’po ndodh me trajtimin e saj dhe cila është “dosja” me të cilën u largua dërgata e PE-së nga Tirana? Ç’do të ngjasë pas kësaj dhe si do të sillen pozita dhe opozita me njëra-tjetrën dhe natyrisht edhe me vendin?

Një udhëtim tjetër është paralajmëruar për dyshen kryesore të vendit, zotit Berisha dhe zotit Rama, drejt kryeqendrës europiane, Brukselit apo Strasburgut. Një darkë (apo drekë) tjetër imponuese do të ketë për ta, prej përfaqësisë së lartë politike europiane. Përfundimisht kriza me veten është nxjerrë jashtë vendit dhe po trajtohet si një rast prej BE-së. Kjo situatë po rikthen sërish atmosferën demagogjike mes kundërshtarëve politikë, por sidomos në raport me shoqërinë. Rikthimi i opozitës në Parlament është pa entuziazëm. Një skepticizëm dominant sundon mbi raportet politike, por më shumë prezent është në opinionin publik.

Politika po gjeneron ditë përplasjesh politike, sikundër edhe një kohë elektorale pa qartësi se cili është pretendimi dhe stacioni elektoral. Një fushatë e pakrye, e pakohë që nuk dihet se ç’zgjidhje synohen. Garon principi koniunktural me rendin pa rend në këtë politikë. Kjo është e rrezikshme dhe me pasoja për shoqërinë. Për këtë shkak presioni i aktorëve dhe faktorëve gjithëshoqërorë duhej të ngrihej sot si një frymë në këtë atmosferë dhe mjedis me ngërç e me krizë.

Kjo nuk mund të bëhet me rreshtime apo me fushata, por me zëra që sjellin valencë dhe arsyetim të vlefshëm publik, i cili duhet t’i imponohet kësaj politike që e lë Shqipërinë në listën e fitoreve të vonuara, sikundër është kjo e vizave.

Heshtja e ekspertëve të Parlamentit Europian, të cilët e lanë dje Tiranën pas takimeve intensive dhe të gjata e diskrete në selitë kryesore të vendit, është ku e ku më shqetësuese dhe më peshuese se çdo gjë tjetër që po sjell politika e të dyja palëve këto ditë.

Pozita dhe opozita e vendit janë vetëzënë aktualisht në çarkun e mosmarrëveshjes dhe nevojës për t’u negociuar. E vështirë të dalin si marrëveshës të kollajtë prej këtij ngërçi. Historia politike e demokratëve dhe socialistëve të këtij vendi ka dëshmuar se zgjidhja që ka ardhur nga jashtë ka pjellë dasi të njëpasnjëshme brenda. Në këtë cikël absurd ka udhëtuar ajo, duke mos mundur të reformojë as sistemin e as besimin, as marrëdhënien e as rotacionin, madje këtë të fundit ka ditur si ta shprishë e ta deformojë në mënyrë pësuese.

Pranë një rreziku pësues gjendet aktualisht politika dhe sidomos dy udhëheqësit kryesorë të saj, zoti Berisha dhe zoti Rama. Rrezik pësues prej mosmarrëveshjes së tejzgjatur dhe prej nxjerrjes së krizës nga mundësia për të qenë nën arbitrimin e protagonistëve. Tashmë interesimi i BE-së, negocimi i krerëve politikë të Parlamentit Europian, e riliston Shqipërinë në vendet me demokraci hibride dhe institucionalizëm të sëmurë partiakisht. Koha e negocimit europian për këtë ngërç shqiptar, ende është e panjohur dhe ka gjasa që të vijojë përgjatë kësaj vere. Heshtja e ekspertëve dhe sidomos e atyre që u kontaktuan prej tyre, në dy ditët e qëndrimit në Tiranë, është shenja e parë e vështirësisë. Kapërcimi i këtij ngërçi deri tani ka shumë të panjohura dhe kjo ndodh pasi ai mbart gjithë brendinë e një krize politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama