Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Simbolika e grevës

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Simbolika e grevës

Duke dalë me makinë nga rrugica e ngushtë e pallatit ku banoj, që po bëhet ditë për ditë më e ngushtë për shkak të parkimeve anës saj ...vura re se në rrugicë, përbri murit të një kafe – bari, pronari kishte vënë disa hekura të freskët bllokues dhe sipër një tabelë ku shkruhej me gërma kapitale: “parkim për lokalin”. Shkurt kishte bërë atë që e kemi parë gjithandej gjatë kësaj periudhe: kishte rrëmbyer një copë hapësire publike (rruge) dhe e kishte “privatizuar” për hesapin e vet; çka ndryshe i thonë: i forti vë gardhin kurse ai që e pëson s’guxon t’i kundërvihet sepse - thotë vetmevete - ky duhet të jetë ndonjë me të cilin të gjen belaja, o pse është i marrë, o pse është i lidhur me mujsharët e pushtetit lokal a qendror.

Dola i revoltuar nga rrugica e ngushtë për në rrugën e gjerë që të çon në bulevardin e madh, por aty mu amplifikua kjo ndjenjë duke parë se për të shkuar atje ku kisha destinacionin më duhet të bëja një rreth të madh të panevojshëm sepse atje nga ku duhet të kaloja një grup shumë më i madh mujsharësh ka vendosur disa çadra dhe e ka shpallur rrugën vendin e vet, ku do të bëjë protestën e vet kundër Qeverisë deri në përmbysjen e saj.

Kam dëgjuar këto ditë shumë njerëz, edhe nga ata të urtë që nuk janë dakort me grevën, madje edhe liderët në pushtet si Berisha dhe Meta, që e fillojnë komentin e tyre për këtë grevë duke thënë: “kam respekt për aktin e tyre të vetsakrifikimit por…”. Mua më duket hipokrizi kjo retorikë sepse nuk kam respekt për atë që po ndodh. Para të gjithash duhet të them se kjo grevë, nga mënyra se si është organizuar, në fakt duke imituar edhe greva të tjera, nuk mund të reduktohet në njerëzit që kanë vendosur të mos hanë. Ata janë vetëm njëra pjesë e grevës. Pjesa tjetër është okupimi i bulevardit me çadrat edhe tribunat e vendosura atje, oratorët jashtë grevës që mbajnë vazhdimisht fjalime lufte; njerëzit që vijnë nga rrethet të protestojnë; media dhe gazetarë që rrinë non stop jo thjesht për të pasqyruar ngjarjen, por edhe për të gjeneruar ngjarje.

Duke pasur parasysh gjithë këtë, kjo grevë më shumë sesa vetsakrifikim pasiv që duhet të flasë vetë jep mesazhet e një dhune mjaft aktive, kurse të ngujuarit i shoh si pjesë e nxitjes emocionale të turmës për të bërë që kjo të humbasë më në fund durimin dhe të kalohet, kësisoj, në akte dhune e destabilizimi. Në këtë kontekst, fakti që organizatorët e grevës i kanë vendosur përdhunisht, pa kërkuar leje, duke shkelur ligjin, çadrat atje në mes të rrugës ku duhet të kalojnë të gjithë qytetarët e Tiranës më shëmbëllen me aktin e dhunshëm të atij pronarit të lokalit që zapton pjesën publike dhe e bën të tijën pa leje dhe pa ligj.

Kuptohet, nuk e kam fjalën thjesht për bezdinë e qarkullimit. E kam fjalën për atë se kjo sjellje flet shumë për atë se si e shohin raportin me qytetarin e thjeshtë dhe me ligjin ata që pretendojnë se po luftojnë në emër të tyre. Le të shpjegohem: ka shumë shqiptarë, ku bëj pjesë dhe vetë, që janë të pakënaqur me Qeverinë sa s’ka më, por që nga ana tjetër nuk kanë besim se kjo grevë po bëhet për të mirën e tyre. Për këtë u mjafton vetëm pak kujtesë apo edhe pa kujtesë fare: mjaft të shohin një kilometër më përtej se si Kryetari i grevistëve po shkel me katër këmbët disa ligje duke shpërfytyruar sheshin “Skënderbej” dhe lulishten prapa monumentit.

Ka po ashtu shumë nga ata që mendojnë se kjo grevë vetëm mund t’i përkeqësojë problemet e mëdha që ka vendi dhe jo t’i lehtësojë. Ka të tjerë që janë të lëkundur dhe plot kontradikta në vlerësimet e tyre. Ka pastaj nga ata që janë simpatizantë apo edhe militantë të PD-së që këtë grevë e shohin me armiqësi. Sipas mendimit tim, këta të gjithë së bashku janë shumica e shqiptarëve. Cili është mesazhi që i japin grevistët kësaj kategorie qytetarësh, duke u zaptuar rrugën ku duhet të kalojnë pa pyetur as për ligj dhe as për respekt për ta?

Nga këndvështrimi i kategorisë së qytetarëve ku bëj pjesë, skenografia e grevës, ku në një anë shoh ndërtesa publike të okupuara nga maxhoranca kurse më anën tjetër një shesh publik të zaptuar nga opozita, pa fije rrugëkalimi për qytetarët mes tyre, e shoh si një shprehje simbolike të dramës që kemi njëzet vjet që e përjetojmë: ndeshjen, pa respekt për qytetarin dhe ligjin, të dy forcave që nuk njohin asnjë pushtet tjetër përveç të vetvetes.

Dëgjova Erion Velinë të fliste si levend ditën e tretë të grevës për të na shpjeguar se, përsa i përket bllokimit të rrugës, duhet të kujtonim atë gjykatësin në SHBA, i cili u dha të drejtë marshuesve të Martin Luter Kingut. Mirëpo ky harroi se paska pasur një gjykatës i cili u paska dhënë të drejtë marshuesve. Kurse problemi i këtyre grevistëve është se kërkojnë të bëjnë edhe gjykatësin vetë, pasi pretendojnë se gjykatësi është instrument i kundërshtarit të tyre, madje as pa tentuar ta provojnë këtë.

Kësisoj një qytetari që shtron pyetjen: cilit institucion duhet t’i drejtohem për të kërkuar të drejtën që të mos më bllokohet rruga, përgjigja që do t’i vijë nga grevistët që pretendojnë të marrin pushtetin nesër, është: ti e kërkon këtë sepse je pjesë e llogores tjetër. Përgjigja nga Qeveria e maxhorancës që në fakt duhet të jetë edhe qeveria e qytetarëve që nuk e kanë votuar është mosndërhyrja sepse edhe ajo i është nënshtruar gjithmonë lojës së forcës dhe në këtë rast, në këtë lojë force, i leverdis më shumë të mos ndërhyjë sesa të ndërhyjë. Dhe kështu ky lloj qytetari që e përsëris është shumica, por edhe sikur të jetë një pakicë, prap është për t’u respektuar, mbetet pa shtetin e vet. Kushdo që kërkon rrugën të lirë sepse është e drejta e tij, ashtu sikurse është e drejta e tij të mos votojë asnjërën nga këto parti, apo t’i konsiderojë të dyja pjesë të së njëjtës lojë për pushtet, duket sikur të mos ketë më vend në këtë shoqëri.

Në thelbin e vet skenografia e grevës, ajo e bllokimit të bulevardit mu midis Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, jep mesazhin se në këtë vend është më i forti ai që bën vetë zotin dhe vetë shkopin e jo ligji që siguron edhe ndarjen dhe balancimin e pushteteve në mënyrë të tillë, që askush të mos mund të guxojë të bëjë vetë edhe denoncuesin, edhe prokurorin edhe gjykatësin. Nga përvoja e deritanishme, di të them se ky mesazh veçse e dobëson shtetin dhe thellon mungesën e transparencës jo vetëm të votës, por dhe të asaj se si na janë vjedhur e vidhen paratë.

Besoj se jo rastësisht në këtë kohë kanë lulëzuar edhe më shumë raste si ai i atij pronarit të kafe barit në rrugicën time, që ka zaptuar një copë rrugë për të parkuar makinën e vet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama