Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gabimet që marrin emrin përvojë

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Gabimet që marrin emrin përvojë

“Cinik është ai që njeh çmimin e gjithçkaje...”, shkruan sentencisti i famshëm, Oscar Wilde. Çmimin e krizës së sotme në vend e njeh në gjithçka edhe kreu i qeverisjes, edhe ai i opozitës. Janë njohës dhe në dijeni të plotë për gjithë sa peshon ky ngërç dhe për gjithë sa paralajmëron zhvillimi me përkeqësime. Politikëbërësit Berisha dhe Rama kanë gjithë mundësinë për të ditur realisht faturën financiare që ka ky ngërç dhe që po shton kjo krizë.

Cinizmi politik në këtë vend ka marrë formën e një elementi gati natyror. Ai është i imponueshëm në sjelljen publike të politikanëve, por edhe në marrëdhënien premtuese të tyre, në fushata apo në periudha jashtë tyre. Në këtë sistem shqiptar, shprishja ka nisur qysh kur u ndryshua sjellja ndaj rotacionit politik. U parapri ajo me triumfin e autoritetit individual në jetën politike dhe partitokracinë e vendit. Më pas u krye akti ndryshues i Kushtetutës për të sanksionuar bipolaritetin si arkitekturë e vetme politike. U shembën ndërkohë vlerat e pluralizmit si thelb dhe përmbajtje dhe sot demokracia e vendit është në pamjen dhe përmbajtjen e vet amalgamike.

Por cinizmi qenka subjekt vijues.

Klasa politike, qysh prej 2005-s e deri më sot, rikompozoi brutalisht autoritarizmin bipolar, duke shpërfillur dukshëm edhe realitetin e një parlamenti ku mes dy forcave rivale gjendet aktualisht një forcë tjetër e vogël, përcaktuese në aritmetikën e animit të shumicës. Kjo forcë e ushqyer gjatë këtij mandati me më tepër mandate ministrore nga ç’përfaqëson militim alternative, po vetushqehet kompromentueshëm në kohën e ngërçit, duke mbajtur njëherësh barrën e një heshtjeje të paskrupullt për përgjegjësinë e ndaljes apo bllokimit të axhendës dhe rezultateve të premtuara. Nëse datat për shtyrjen e vizave janë sot një shenjë e dukshme e cinizmit politik që shprehin të dyja palët në pozicionet e tyre, për partinë përcaktuese të kabinetit të tanishëm Berisha, atë të zotit Meta, përgjegjësia është diçka më ndryshe. Ky fakt lidhet drejtpërsëdrejti me detyrimin politik që zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, ka ndaj elektoratit, qytetarëve dhe sidomos arsyes me të cilën justifikoi kalimin në bashkëqeverisje me të djathtën. Morali politik mund të zhduket lehtë, por skrupulli nuk varet prej atij që e braktis atë, thonë francezët.

Qytetarët e këtij vendi, ka vite, por sidomos këta muaj, që ndihen të penguar në kohë prej politikës dhe udhëheqësisë. Në këtë kapitull pengimi, partitë e kapura plotësisht prej udhëheqësve po iniciojnë gjenerimin e një fushate jashtë ciklit. Pra, përmes një kohe të penguar, po hyjnë në kapitullin e pengimit tjetër. Cinizmi i tyre nuk është më i tillë vetëm me qytetarët, por me gjithë institucionet ndërkombëtare.

Një dërgatë e KiE-s në Shqipëri konstatoi problemet, por nuk shënoi dot një rezultat kapërcyes të krizës. Në presidencën e vendit u sabotua shpresa e një zgjidhjeje, sikundër u dëshmua prepotenca e zhbërjes së mundësisë se ky institucion i lartë kushtetues mund të sjellë në pajtim marrëveshës dy-krenarët tanë Rama-Berisha. Të dy këta udhëheqës po dëshmojnë vitalitet negativ në raport me detyrimet që kanë për shoqërinë dhe sidomos për aktet integruese të vendit.

Ky pengim i kësaj here ka shumëfishuar dyshimet për ndërgjegjen politike të secilit. Ky dyshim do të bëhet edhe më i madh, nëse zyrtarisht KE apo Parlamenti Europian do të vijojnë të prononcohen për shtyrjen e afateve pranuese të Shqipërisë, qoftë në cilësinë e saj të pritshme si kandidate për në BE, qoftë edhe për aktin liberalizues të lëvizjes së lirë të qytetarëve. Strategjia bllokuese e buruar prej antagonizmit të tejzgjatur të dy udhëheqësve duhet lexuar si një mundësi për të shtuar aksesin forcat e rrezikshme. Është fjala për forcat e rrezikshme si për veten, ashtu edhe për të tjerët.

Vendi po mbahet në gjendjen e ngërçit. Tejzgjatja në kohë e këtij ngërçi po shkakton dekadencë të vërtetë, ajo zbulon përditshmërisht në marrëdhëniet e administratës me qytetarët dhe me sistemin, një dekadencë rrëshqitëse dhe dimensionuese. Dikur “Për Francën”, Emil Cioran shkruante:”...Fenomeni i dekadencës zbulon rrëshqitjen drejt varësisë nga koha”. Vendi gjendet sot pikërisht në këtë varësi të rrezikshme, ku gabimet mbivendosen dhe cinikisht po shiten si përvojë.

Rikthimi në gabime është rënie në pozitën e të gabueshmit të përhershëm, apo të përvojës që të çon në kahun rrënues e shembës. Ambasadori spanjoll, Montobio, që mban kryesimin e radhës së presidencës së BE-së, mbrëmë u shpreh nervozueshëm për padëgjueshmërinë e udhëheqësisë bipolare të vendit. Ky është një zë zyrtar që përcakton prerë përgjegjësinë bi-nominale në këtë krizë të sotme shqiptare. Padëgjueshmëria e tyre po bëhet vërtet përjetim i një përvoje të keqe gabimesh, por njëherësh ajo po peshohet si faturë e re e protagonizmit të vjetër.

Për gabime të tilla të ngjashme, në Kroacinë fqinje, shtetin paraudhëtues të rajonit tonë në BE, ka disa muaj që publiku dhe drejtësia e vendit po ndjekin me vëmendje procesin e hapur nga drejtësia e pavarur kroate. Në këtë rast, ne shembullin mund ta shohim dhe jo ta kërkojmë demagogjikisht nga historia e SHBA-së apo Europës Qendrore. Ballkani është vis i reformave dhe i kontrasteve të fuqishme moralo-politike, mes elitave politike. T’i referohemi këtij kontrasti, sidomos në kushtet e këtij ngërçi shqiptar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama