Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kuvendi i ambasadoreve

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Kuvendi i ambasadoreve

Është gjë e madhe të bëhen bashkë tre ambasadorë dhe kur kjo gjë bën vaki, medoemos një gjë e madhe duhet të dalë prej këtij takimi. Me takime ambasadorësh janë vendosur fate kombesh, janë bërë e janë ç’bërë shtete e mbretërira. Në Lezhë për shembull, pesë shekuj e gjysmë të shkuar, u desh prania e një ambasadori të vetëm, atij të Venedikut, që shqiptarët të bëheshin bashkë kundër Turqërisë.

“Unë shpresoj që kur shqiptarët e së ardhmes të kthejnë kokën disa vite më pas, do të kujtojnë vitet që i dhanë fundin diskriminimit të gejve dhe lezbikeve. Unë shpresoj që nuk do të jetë e largët dita kur edhe në Shqipëri individë të ndryshëm nuk do kenë më frikë të jenë gej, nuk do ndihen keq të ecin nëpër rrugë të kapur pas dore me personin që dashurojnë”. Kjo është një nga frazat e letrës së hapur drejtuar popullit shqiptar nga ambasadori i një vendi të rafinuar e të zhvilluar që i thonë Holandë. E lexova letrën e tij dhe në sytë e mi nuk u shfaq ëndrra për të luftuar për një Shqipëri të tillë, por nisën të më duken pa kuptim ëndrrat e mia. Ëndrrat e mia që janë për një Shqipëri dinjitoze e ku të sundojë ligji, për një Shqipëri ku të mbrohet mjedisi e ku të rrjedhin lumenj të pastër, ku fëmijët nuk do të vriten as për të larë gjak e as për të rrëmihur nëpër galeri minierash, ku tokat do të punohen cep më cep e ku spitalet të shkëlqejnë nga pastërtia.

Më të rëndë ma bëri këtë punë, vizita në Lezhë e dy ambasadorëve të tjerë, jo vetëm të nderuar sa ai i Holandës, por edhe më të fuqishmë se ai, se përfaqësojnë njëri më të fuqishmin e Europës, Gjermaninë, dhe tjetri më të fuqishmin e Botës, Amerikën. Dhe kur të tre këta burra që kanë në dorë levat që lëvizin botën, shkojnë e i përdorin për të lëvizur guralecë, këtu, ose unë s’ja kam haberin botës, ose ata të tre bashkë s’ja kanë haberin vëndit ku i kanë çuar të bëjnë ambasadë.
Që të mos më marrë koka erë e të them se e kam unë drejt e ata shtrembër, nuk e lashë veten të jap gjykime, por veç ju drejtova kujtesës së burrave të tjerë të mënçur nga vendet e tyre, që kanë erdhur e kanë lënë shenja të pavdekshme këtu në vendin tim. Dhe duke e parë kështu, Holanda ka një vend nderi në Shqipëri, se na ka falur gjakun e një prej bijve më të denjë të saj, kolonelit Ludvig Tomson, që erdhi e u përpoq për dy vjet rresht për pavarësinë e Shqipërisë, për të luftuar kundër atyre që i rrezikonin ekzistencën, për t’u mësuar shqiptarëve rregullin e disiplinën dhe krenarinë e të qenit një komb i denjë që po lindte. Dhe këto leksione Koloneli i ardhur nga larg ua demonstroi shqiptarëve edhe me gjakun e tij dhe me shprehjen që u bë lapidare: “Për Shqipërinë jap jetën, por jo nderin”. I bëri këto se kjo ish detyra e tij, por edhe se këto ishin emergjencat e Shqipërisë së 1914-ës, megjithëse ai vinte nga një prej vendeve më të përparuara e të qytetëruara të Kontinentit të Vjetër. Por, pa mendoni sikur ai të vinte e të bridhte maleve dhe gërxheve të Shqipërisë, duke ju folur shqiptarëve jo për sa rreshtova më sipër, por për të drejtën e grave për të votuar, për të drejtat e kafshëve apo për nevojën e ndërtimit të një burse të shkëmbimit. Këto ishin në fakt, problemet e Holandës së vitit 1914 dhe, meqenëse edhe Shqipëria po bëhej shtet dhe një ditë do t’i dalin këto probleme, hajt të shkojmë e t’u flasim atyre për to që tani (!!!).

Pak muaj pasi Holanda na dha Tomsonin, Gjermania na dha Princ Vidin. Erdhi Vidi me dosje e me ligje, me rregulla e disipline gjermane të bënte Shqipërinë, po s’ia doli. S’ia doli edhe duke u përpjekur të merrej me problemet e vërteta të vendit, mendoni sikur të merrej këtu me problemet e Gjermanisë. Llafi që bie, sikur Vidi të bënte një Workshop me fanatikët e Shijakut që kishin Haxhi Qamilin në krye, dhe t’u thosh: “Dëgjo Herr Qamili, është shumë e rëndësishme barazia e burrit me gruan dhe e drejta e grave për të votuar njësoj si burrat. Ju ende nuk votoni as burrat, e jo më gratë, por unë ëndërroj që të vijë dita që të votoni të gjithë, jo vetëm ti dhe myftiu i Kavajës, por edhe goca jote, madje të shkojnë edhe në plazh me shokët”. Tani pa më thoni, përse u dashka që, me shembullin që po jap unë këtu të qeshim, ndërsa atë që pamë në Lezhë ta marrim seriozisht?
Kaluan vite dhe, falë edhe kontributit të burrave si Vidi e Tomsoni, Shqipëria u bë dhe pak nga pak u fut në udhën e përparimit. Në vitet ‘20-‘30, historia kujton dy burra të tjerë që punuan palodhur jo vetëm për të përfaqësuar me dinjitet vendin e tyre, Amerikën, por edhe për të ndihur vendin ku qenë vendosur, Shqipërinë. E kam fjalën për ambasadorin Hju Grant dhe për Harri Fullcin. S’ka çmim ajo që kanë bërë këta dy burra që, pasi Shqipëria u bë, t’u mësonin shqiptarëve se si zhvillohet bujqësia, si duhen tharë kënetat, si duhen mbjellë plantacionet me pemë frutore, si duhen mësuar zanatet e reja të kohës së paqës, si duhet shkuar në shkolla teknike për të mësuar e nxënë, si duhen sjellë e përdorur makineritë e reja bujqësore, e kështu me rradhë. Jo më kot ata u morën me këto punë, por se ato ishin nevojat e Shqipërisë së asaj kohe, e Shqipërisë së prapambetur, që duhej ta ngrinte veten duke u bazuar tek bujku i zhvilluar dhe tek puna e papërtuar. Por mendoni sikur këta burra të mos merreshin me këto punë, por të përpiqeshin të transmetonin këtu ndjeshmërinë e problemeve të vendit të tyre. Pra, sikur ambasadori Grant të mos shkonte në Myzeqe për të nxitur bujqit e rinj që përpiqeshin për të rritur prodhimin, por të shkonte e t’u fliste për nevojën e miratimit të ligjit të Prohibicionizmit dhe për nevojën e ndalimit të pirjes së birrës. Ose sikur Fulci të mos u fliste nxënësve të shkollës së famshme teknike të krijuar prej tij, për zanatet e reja që kishte nevojë vendi, por për të drejtat e jevgjve të Brakës për të shkruar në gjuhën e tyre, pasi edhe në Amerikë në ato vite kishte një lëvizje civile që kërkonte që indianët të shkruanin indiançe. Ose për shembull, të shkonte në shkollën Bujqësore të Kavajës dhe t’u thoshte nxënësve se dëshironte që edhe shqiptarët të lejonin invalidët e Luftës I Botërore që të përdornin pa pagesë linjat e metrove!

U përpoqa të mos jap asnjë mendim nga vetja por, duke sjellë shembuj burrash të mënçur që e kanë dashur fort vendin tim, të mbërrij tek një rezultat: “Burrat e mëdhenj duken kur ja dalin të shohin dhe përgatisin të ardhmen, por, duke zgjidhur problemet e së sotmes”. E pra, problemet e Shqipërisë së sotme janë absolutisht të tjera nga ai për të cilin u investuan bash tre ambasadorë. Problemin për të cilin ata u investuan, do ta sjellë dallga vetë, kur shqiptarët të mbërrijnë në nivelin e qytetërisë, emancipimit dhe mëndjehapjes së vëndeve nga vijnë të nderuarit ambasadorë.

Nëse problemet i nxjerrim me zor jashtë kohës së tyre, nuk rrezikojmë vetëm të bëhemi qesharakë, por edhe të pengojmë zhvillimin. Një shoqëri e pazhvilluar, së cilës i paraqiten realitete dhe zgjidhje të cilat ajo nuk i kupton dhe është e papërgatitur t’i analizojë e t’i pranojë, rrezikon që si mënyrë vetëmbrojtjeje të përdorë vetizolimin dhe refuzimin e zhvillimit. Nëse shqiptarit namuslli të vitit 1920, t’i thonim se zhvillimi europian do bëjë që të martohen myslimanë me kaurrë, që vajzat të shkojnë në klub me shalët jashtë e që djemtë të çojnë kalamajtë në çerdhe, ai shqipua mustaqedredhur do përgjigjej pa një pa dy “kurrë mos ardhtë Evropa ndër viset tona”. Ndërsa zhvillimi gradual, i bëri të gjitha këto t’u vijë dita vetë e t’i kërkojë edhe shqiptari i maleve më të largëta. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me problemin e “Aleancës LGBT” që m’u desh të rrëmoja nëpër internet që të kuptoja se ç’ish: “Aleanca lesbike, gei, biseksualë/panseksualë dhe transgender”.

I dashur ambasador, unë nuk shpresoj për vendin tim ato që shpresoni Ju në letrën tuaj, por krejt tjetër. Unë shpresoj që kur Shqipëria ime të ketë ecur aq sa të barazohet me shoqëritë tuaja të sotme, atëhere pra shqiptarët do të merren natyrshëm edhe me problemin që ju shqetëson juve sot. Dhe atëhere po të jem gjallë, ju premtoj se do të them edhe unë fjalën time në favor të të drejtave të gejve, lesbikeve, biseksualëve, panseksualëve, travestitëve, heteroseksualëve e gjithëfarëlloj perversiteteve të tjera që, në një shoqëri të zhvilluar, të emancipuar e ligjore, kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me hallatet e tyre. Deri atëherë, na lini t’i përdorim hallatet siç ka urdhëruar Perëndia, pra vetëm për të sjellë në jetë shqiptarë të shëndoshë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama