Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të ruajmë sallën

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Të ruajmë sallën

Që kemi Parlament me sallë, me parlamentarë e me kartona, kjo është e sigurt, po që vërtet ia kemi nevojën, kjo më duket goxha e dyshimtë. Në dy-tre vjetët e fundit të Parlamentit paraardhës, ish vënë re një fenomen jonormal që sa erdhi e u forcua. Ç’do diskutimi të njërës palë, i bashkëngjitej me komandë një diskutim i njëjtë në kohë por në kah të kundërt i palës tjetër. Kjo bënte që çdo diskutim, sado i vlerë të ish, të shkonte humbur, pasi puna reduktohej në një me një. Parlamenti i ri nuk e kish dhënë provën e të shpëtuarit nga kjo sëmundje e ligë dhe rasti i erdhi të enjten pasdite. Mirëpo që të mërkurën u muar vesh, e pastaj të enjten në sabah gazetat na e bënë të sigurt, se Kryetari Rama paskësh urdhëruar 50 diskutime për seancën e asaj dite. Për kundër masë, në llogoren tjetër Saliu kish urdhëruar 51 diskutime. Pra, kur u mblodhën atë pasdite, të paktën 101 prej 140 burrave, llafet i kishin me komandë. Dhe seanca që zgjati dy ditë e një natë, na siguroi se asgjë s’kish ndryshuar nga Parlamenti i mëparmë, në mos qe bërë edhe më keq, se na preu edhe shpresën. Sa për cilësinë e atyre që u thanë e qysh i thanë, kjo s’do shkollë për t’u kuptuar, por një legen ku të zbrazësh zorrët.

Po kur kjo punë u bitis siç ish nisur, atëherë pse e nisën fare e na lanë si gallofë para ekraneve? Pse s’e zgjidhën me telefon që pa nisur: “O Sali, a do lëshosh udhë për punë të komisionit? Jo o Ram, pun që s’bahet ajo”. Dhe pikë. Të njëqind burrat do merreshin me punët e bizneset e tyre dhe s’do sikletoseshin të thoshin profka para gjithë miletit. Vini re mirë, nuk po them që s’kish të drejtë opozita të enjten, apo që e kish mirë pozita, thjesht po them se atje brenda asaj sallës, ata 140 burrat nuk vlejnë sa një SMS e Saliut për Ramën apo e Ramës për Salinë.

Sot për sot, Parlamenti është një sallë që s’i hyn në punë as dreqit. Më të shumtit e atyre që diskutojnë aty brenda nuk flasin me gojën e tyre, por me gojën e shefave përkatës. Asnjë prej ligjeve për të cilët diskutohet aty, nuk vendosen aty, por janë mbyllur që më parë sipas midesë së shefave. Ca ditë më parë, në Komision të Ligjeve u diskutua projektligji për SHIK-un. Prapë të gjithë rrahën ujë në havan me argumente e kundërargumente, sa na frynë kokën e na e bënë daulle. Në fund, komisioni nuk lëvizi as edhe një milimetër nga letra që i kish vënë përpara Saliu kryetarit të të tijve. Projekti shkoi në Kuvend pa asnjë ndryshim, por kësaj radhe të  101 burrave që do t’u duhej të recitonin me komandë, u ndriti fati. Atë që s’e bënë gjithë diskutimet e komisionit, atë që s’e bënë nja njëzet tryeza televizive e nja dhjetë deklarata për shtyp, e bëri një telefonatë e vetme e ambasadorit të Amerikës. Pikërisht ata që u ngrefosën se ligji do kalonte pa derman, e tërhoqën me veshët ulur pa thënë as pse, qysh e si bëri vaki kjo.

Epo më thoni ahere, pse dreqin duhen paguar këta njëqind burrat që thonë me komandë atë që u kanë vënë përpara të thonë? A s’bëhet më kollaj kjo punë vetëm me Salinë me Ramën dhe me ambasadorin amerikan? Po vë si të tretë ambasadorin e Amerikës, se është i vetmi të cilit ia kanë ca frikën, se, sa për Fyle e për Caushër, ehu këtyre ua bëjnë mëndjen çorap kollaj. Aq e kanë kuptuar këtë punë të gjithë, sa edhe ambasadori i Holandës kur kish një hall për të zgjidhur, mori me vete atë të Amerikës, se përndryshe do t’i vente llafi bosh e s’do ia vërshëllente as roja te dera e “Big Bradhër”-it.

Mbyllni sytë dhe përpiquni të gjeni ndonjë hall a krizë që është zgjidhur nga Parlamenti. Do mbeteni tërë ditën me sy mbyllur dhe s’do gjeni gjë, se krizat janë zgjidhur gjithmonë o te Rogneri o në Presidencë o më ndonjë saletë restoranti, o tek ambasadori i këtij a i asaj. Edhe ndonjë fakir fukara që ka ndonjë hall dhe që do ta zgjidhë duke ia qarë deputetit, ky pastaj natyrisht që s’ka si ta zgjidhë në Parlament, po në ka ndër mënt të bëjë gjë, shkon e ia thotë Saliut dhe ky pastaj në dashtë e zgjidh duke i dhënë urdhër Kuvendit të votojë me komandë. Ca të tjerë kanë filluar t’i bien edhe më shkurt, duke i bërë mesazh a kartë direkt Saliut.

Nuk themi dot se edhe kështu siç ka katandisur, Kuvendi do mbajtur, se do ndreqet dorë pas dore e vit pas viti. Jo, kushdo e pa që trupa e fundit e zgjedhur, nuk ndryshon asfare nga ajo që ish, në mos u bë edhe më keq. S’na i bënë dot ndryshimet në Kushtetutë, as të na i pastronin sallën nga interesaxhinjtë, nga të fortët e nga bodigardët, të cilët u shtuan edhe më.

Parlamentet kanë lindur kur njerëzia filluan të kishin nevojë të mbronin të drejtat e tyre përpara mbretit të vendit dhe të përfaqësoheshin çdo krahinë a qytet, në një sallë ku vendimet do merreshin sipas peshës së këtij përfaqësimi. Ka mbi dy a treqind vjet që nëpër Europë funksionin kështu, derisa erdhi dita që na thanë edhe neve, mjaft më me diktaturë ku komandonte njëshi, bëni edhe ju Parlament. Ne shumë mirë ishim ashtu si qemë, me një Komandant që na shtronte në hu të gjithëve, se po të mos kishim qenë mirë, s’do e kishim mbajtur atë regjim deri ditën e fundit, kur ju sos vaji i kandilit, po nejse. Na thanë të bëjmë një Parlament dhe e bëmë. Atë që e bënte dikur një njeri që komandonte partinë e madhe, tani do ta bënin nja dy a tre që komandonin secili partinë e vet dhe, meqë Europa e do dhe këtë dreq Parlamenti, hajt se po e bëjmë, e mbushim me 140 veta që i komandojnë prapë ata dy a tre kryetarët dhe jemi në rregull me Brukselin. Ne s’u bëmë me Parlament se na duhet e ia kemi nevojën, por se na thanë që në pyetësor është edhe kjo pikë ndaj o burra bëjeni, kjo është e gjitha. Them se do qe më mirë t’u mbushim mëndjen Fyleve e Caushoglluve me shokë, se është më mirë të merren vesh direkt me Ramën dhe Berishën, pa qenë nevoja e teatrit me 140 aktorë dhe kështu t’ia kursejnë këtij mileti barrën që të mbajë me bukë taborin deputenjve për të luajtur një teatër që s’i hyn në punë askujt.

Madje, për ta çuar muhabetin ca më tej, them se, jo vetëm që s’na duhet, siç edhe jua provova, por është edhe i dëmshëm. I dëmshëm jo vetëm për punë të harxheve të kota që ka, i dëmshëm jo vetëm se prijësit e palëve fshihen pas llomotitjeve të porositura të atyre 140 burrave, por edhe sepse kështu siç është do t’ia neveritjë këtë punë edhe brezit që po vjen, e që duhet të shpresojmë se do jetë më i saktë nga ne. Dhe ata, brezi i të rinjve të saktë, s’do duan asnjëherë të hyjnë në atë sallë, kur t’u vijë ndër mënt se kush hyn e lëshon aty kopaçe sot. Pu, pu, pu, do thonë, aty ku ka fjetur gjumë filani, apo aty ku ka broçkollisur fisteku, aty ku janë zhgërryer gjithfarë soj derrash të kënaqun e lepurushësh injorantë. Shto pastaj mbi të gjitha edhe si kryeson Kryetarka dhe merret me mënt se qysh mund të ngresh ëndrra për të ndryshuar Shqipërinë përmes asaj salle.

Mbushini mëndjen amerikanit, mbylleni një orë e më parë atë sallë. Do të kemi ca ndërtues pallatesh që do shkojnë të bëjnë pallate, ca ekonomistë që do shkojnë të marrin në qafë firmat e tyre dhe jo më gjithë Shqipërinë, ca të papunë që do detyrohen më në fund të bëjnë një punë në jetë dhe jo vetëm fjalë të komanduara, si edhe ca pak të saktë që tani bëhen me ulcerë kur shohin se me kë janë ulur në krah atje brenda. Ndërsa sallën, sallën ta ruajmë se do na duhet për shqiptarët e rinj, për ata që do duan të mblidhen një ditë jo se jua kërkon Europa me pyetësor, po se do ketë nevojë vendi për t’u përfaqësuar me dinjitet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama