Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një bojkot dhe dy kriza

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Një bojkot dhe dy kriza

Futja njëorëshe e opozitës së majtë në Parlament, pas një mungese gjashtëmujore, ishte ngjarja më e shumëpërfolur në mediumet dhe publikun shqiptar. Ky akt u shënua si gjesti kulmor i një sjelljeje refuzuese dhe i bojkotit politik që opozita e vijon edhe paskësaj. Kjo hyrje sa për një “frymë” e opozitës në Parlament, nuk është një kthesë për krizën, por mesa duket nuk është as një nyje, ku mund të vërtiten palët për gjetjen e gjuhës së zgjidhjes apo të sendërtimit të marrëveshjes reciproke.


Kryesuesi i opozitës, Edi Rama, me futjen e përkohshme të grupit parlamentar në sallën e Parlamentit, mesa duket “dogji” një pretekst të mbajtur në fuqi nga opinioni, faktori ndërkombëtar dhe kundërshtari politik. Por kjo nuk ndryshon pozicionet në këtë krizë. Gjuha kërkuese e opozitës për kazusin e kutive, nuk ndryshoi, madje nuk u tjetërsua, por u zyrtarizua si procedurë legjislative. Shumëkush tashmë e ka të qartë se vetëlargimi i Edi Ramës nga çështja e kutive është i pamundur. Është një arsye e cila po dimensionohet në kohëzgjatjen e krizës si një argument fundamental, të cilin Rama po e mvesh me besnikërinë e tij principiale, si devizë që lidhet me katharsisin e proceseve të ardhme zgjedhore në vend. Gjithë konsistenca e deritanishme, por sidomos ajo e vijueshme, për këtë çështje e zotit Rama, po përdoret dhe do të shërbejë si argument për këtë besnikëri ndaj principit dhe parimit të shitur si parim moral.

Kapërcimi i këtij ngërçi, nuk është i lehtë. Po zgjatet koha e mbajtjes së tij në fuqi, dhe nuk dihet se deri ku mbërrin kjo kohë. Sipas të gjitha gjasave të deritanishme, do të bëhemi dëshmitarë të transformimit të tij në krizë. Madje premisat për ta vënë këtë krizë serioze në një mbështjellje rrethanash dhe efektesh shtesë, janë edhe më alarmante. Ndikime të shumta rënduese po shfaqen dhe po vijnë mbi këtë lloj krize, sikundër e frikshme është realisht edhe kriza tjetër, e cila fatkeqësisht deri tani ka qenë e eklipsuar prej kësaj, por që perimetri dhe pesha e saj specifike është shumë herë më tronditëse. E kemi fjalën për krizën financiare dhe ekonomike, e cila ka mbërritur dhe po pranohet në shumëzëshmëri.

Edi Rama po luan pikërisht me elementët e tjerë të vështirësive që po formësohen si një krizë eminente në ekonominë dhe hapësirën ekonomiko-shoqërore të vendit. Kjo krizë po vjen si një barrë mbi qeverinë Berisha. Në këtë mënyrë, strategjia e kryeopozitarit Rama për imponimin e zotit Berisha, në kushtet e vënies mes dy krizave, lexohet hapur.

Hyrja në Parlament e grupit të deputetëve për betimin klasik dhe depozitimin e draftit me kërkesën për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive, në vetvete mbart edhe një zgjidhje të përkohshme për diversitetin e brendshëm socialist, i cili shprehet në artikulimin dhe deklaratat e të ashtuquajturës Lëvizja për Mendimin Ndryshe. Ky veprim politik opozitar shmangu ndoshta edhe idenë e tyre për të thyer qëndrimin unik të deritanishëm të grupit parlamentar. Me gjestin e hyrjes fillestare dhe njëorëshe në Parlament të gjithë grupit, u dogj varianti i akt-thyerjes së zotit Blushi dhe njëjtëmenduesve me të, deputetëve Malaj, Islami, Bello dhe Harasani. Kjo dilemë u kapërcye, ndonëse ajo mund të rikthehet në veprim në rrethanë apo arsye tjetër. 

Por ditët e ardhme janë kohë e pamjaftueshme për reagimin e shumicës dhe sidomos të Kryeministrit Berisha.

Matanë Parlamentit është ngritur tryeza e Presidentit të Republikës, me një amvisllëk ndërkombëtar për trajtimin e krizës së hapur. Momentalisht Presidenca është jo vetëm selia e përgatitur për këtë moderim, por edhe për një imazh substancial të funksionimit hierarkik të shtetit në kontekste dhe situata krizash komplekse si kjo e tanishmja. Matanë presidencës është një paqartësi e cila nuk i përjashton disa qorrsokakë politikë për vendin. Por në derën e lënë hapur të Presidentit Topi, për dialogun bipartiak shumëkush mban ende një shpresë të vagullt marrëveshjeje. Situata po rrjedh si një kontekst i pashmangshëm imponues për dy protagonistët, Berisha e Rama. Të dy po gjenden në “kërthizë” të një përgjegjësie që nuk mund ta shkarkojnë mbi njëri-tjetrin. Edhe nëse e arrijnë shkarkimin, nuk mund të marrin apo fitojnë cilësinë e gjykuesit dhe akuzuesit. Pala e tretë e ka fituar tashmë këtë atribut dhe ajo s’është më hapësirë apo element ku mund të veprojë influenca apo konflikti i interesit të dy protagonistëve. Pala e tretë nuk është më vetëm presidenca, por publiku dhe shoqëria me një normë të lartë maturiteti. As zoti Berisha dhe as zoti Rama nuk mund ta shkarkojnë përgjegjësinë ndaj ngërçit si akuzë apo fajësim për njëri-tjetrin.

Mundësia për të qenë edhe lojtarë, edhe arbitër njëkohësisht, nuk ekziston më. Jo se është në lojë faktori ndërkombëtar, por se të dy protagonistët janë autoritete të veshur me cilësinë e zgjidhjes së ngërçit. Për të arritur këtë zgjidhje, ata duhet të zgjidhin veçmas ekuacionin me një bojkot dhe dy kriza. Për të mos rënë në shkulmet e tmerrshme të krizës së dyfishtë, së pari zoti Berisha dhe pashmangshmërisht edhe zoti Rama, duhet të arrijnë marrëveshjen paraprake të kapërcimit të bojkotit dhe njëherazi të përballjes me dy krizat që janë veshur me njëra-tjetrën, por pakrahasueshmërisht mes tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama