Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Partia e socialistëve? Po tani?

Shkruar nga: Ermal Hasimja  
Botuar më: 15 vite më parë

Ermal Hasimja
Partia e socialistëve? Po tani?

Hyrja e PS-së në Kuvend  nuk ka zgjidhur ende asgjë. Jo vetëm për vendin, por sidomos për partinë e socialistëve. Po them partinë e socialistëve si diçka e ndryshme nga Partia Socialiste, sepse në fakt nuk janë më e njëjta gjë. Së pari, PS-ja nuk është më parti e të gjithë socialistëve, sepse një pjesë e tyre kanë dalë kundër qëndrimeve zyrtare të saj. Dhe kjo nuk është diçka që mund të përligjet me ekzistencën e demokracisë së brendshme, sepse qëndrimet kritike brenda PS-së, lidhen pikërisht me mos ekzistencën e saj dhe jo thjesht me ndryshime nuancash ideologjike apo programore.

Hyrja në Kuvend nuk u bë, sepse PS-ja mori atë që donte apo sepse reflektoi mbi problemin që shkaktoi këto 6 muaj, por sepse u detyrua ta bënte këtë. Më e keqja akoma, është se nuk u detyrua nga votuesit e saj, por prej ndërkombëtarëve. E thënë ndryshe, kjo parti aktualisht përfaqëson më tepër ndjeshmërinë e drejtuesit të saj ndaj ndërkombëtarëve, sesa njerëzit që e votojnë ose mund ta votojnë. Gjithashtu, hyrja në Kuvend nuk jep asnjë garanci për përgjegjshmërinë e mëtejshme të opozitës. Nuk mjafton të jesh në Kuvend: duhet edhe të marrësh pjesë në vendimmarrje. Një hyrje “me zor”, vështirë se jep shpresa për sjellje të përgjegjshme. Muajt e ardhshëm mund të shndërrohen në muaj leximi dhe interpretimi të raporteve dhe deklaratave ndërkombëtare, mes të cilave politikanët tanë dinë të notojnë kaq mirë dhe kaq keq njëkohësisht.

Një parti paraqitet përpara votuesve me dy elementë: me programin politik dhe me burimet njerëzore. PS-ja nuk paraqiti program politik. Ndërkohë, aktualisht zërat e majtë në Shqipëri vijnë nga mjedise OJQ-sh dhe grupe studentore dhe jo nga PS-ja, me ndonjë përjashtim të rrallë nga kundërshtarët e Ramës në parti, që megjithatë nuk është i mjaftueshëm për të qenë qëndrim preferencial për votuesit.

Pas 6 muajsh mungese, rezulton se kalkulimet e Ramës për rezultatet e mundshme të një trysnie rruge nuk funksionuan. Kjo i heq PS-së edhe disa nga mbështetës që besonin te burimet njerëzore të saj, pavarësisht mungesës së programit. Nga ana tjetër, heqja dorë nga bojkoti, natyrisht e bën këtë të pakuptimtë a posteriori, duke e bërë akoma më pak të kuptimtë, gjithashtu edhe sakrificën e mijëra socialistëve që protestuan, pavarësisht nëse ishin të bindur apo jo për efikasitetin e protestave. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti se PS-ja nuk është më sot de facto partia e Blushit, Malajt dhe plot të tjerëve të cilët, në mungesë të programit, kanë shërbyer si njëfarë garancie për elektoratin.

Çfarë i mbetet kësaj partie? Baza e disiplinuar që nuk pyet për përmbajtjen e urdhrave dhe që pjesëmarrjen në vendimmarrje e kupton si votim për kandidatin zyrtar? Mbështetësit klientelistë që angazhohen sepse shpresojnë për vende pune nëse PS-ja fiton? Votuesit që janë betuar të mos votojnë kurrë për Berishën?

Cili prej këtyre elementëve është socialist te Partia Socialiste?
Partia Socialiste nuk është më parti e socialistëve: as për nga identiteti ideologjik, as për nga lidhjet me personalitetet tradicionale të saj, as për ndonjë përpjekje për rikrijim të vetes. E konturuar kështu, kjo parti nuk ka me çfarë të ushqejë shpresat e votuesve të vërtetë socialistë. E konturuar kështu, kjo parti nuk ka ku ta mbështesë shpresën për të ardhur në pushtet përveçse te gafat, apo skandalet e mundshme të qeverisjes aktuale.
Për të gjithë këto arsye, është e qartë se në krizë nuk është ligjvënia, sepse nuk ka krizë, por bllokim. Ajo që është në krizë, është Partia Socialiste që është gjithnjë e më pak parti e socialistëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama