Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kali në lëmë

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Kali në lëmë

"Mbaj mend përshtypjen e veçantë që ndjeva tek kaloja nëpër katundet shqiptare e tek flisja me fshatarë e barinj, pas qëndrimit në Tiranë dhe bisedave me shumë të rinj e intelektualë të kryeqytetit. Dëgjova një gjuhë krejt të ndryshme e të papajtueshme. Tiranasit më kishin folur për programe nacionaliste, për rivendikime, për sajesa të ndërlikuara diplomatike, tamam sikur këto të ishin problemet më urgjente që shtroheshin përpara jetës shqiptare. Më kishin folur edhe për partira e ideologjira, për prirje autoritare e demokratike, për shtetin dhe individin, për kufizime, kontrolle, sisteme e kushtetuta. Kishin thënë për to madje edhe gjëra me mënd.

Por fshatarët, barinjtë, ai populli i vogël që në fund të fundit përbën masën e gjerë, kombin shqiptar, nuk i njihnin fare këto gjëra. Kur iu drejtova atyre: "Ju, çfarë dëshironi?", ata ma kthyen secili me fjalët e veta, por të gjithë njëlloj: "Duam që të mos vidhen paratë e kredive të huaja, duam që kjo tokë të kthehet nga moçalishte, në tokë buke, që rruga të vijë deri këtu, që të kemi shkollë ku të shpiem fëmijët tanë, që buka të jetë e siguruar e të mos varet nga moti, që sëmundjet të zhduken, që shtëpitë tona të jenë të vërteta e jo kasolle me lagështirë". Kësi gjërash më thoshin fshatarët. Askush prej tyre s‘më tha asnjëherë se duhej organizuar një parti, apo se duhej kufizuar pushteti i shtetit. Askush s‘më kërkoi liri; bukë më kërkonin edhe rrugë e tokë për të mbjellë, edhe shtëpi e qe.

Ndërsa mua më shkonte mendja sikur të ishin kryevepra të humorit, te librat që kisha lexuar për Shqipërinë, libra gazetarësh amerikanë, anglezë, francezë, ku flitej se problemi shqiptar ishte ai i organizimit të lirive demokratike".

Prisni, mos u nxehni e mos e zini inatin me mua, duke më thënë që këto i dini e s‘po u them ndonjë gjë të re. Kjo, sepse këto radhë nuk janë të mijat, por të një gazetari të huaj, kështu që punët qenkan vërtet keq, që kur se edhe të huajt na i kanë kuptuar se ku e kemi të keqen, ndërsa politika jonë as e ka kuptuar e as do që ta kuptojë. Po ka edhe keq e më keq. Radhët e mësipërme, vërtet i ka shkrojtur një gazetar i huaj, por jo sot, por gati treçerek shekulli më parë. I ka shkrojtur Indro Montaneli, në reportazhin e tij për vizitën në Shqipëri, në fillim të vitit 1939 (!!!). Nuk kam ndërruar asnjë fjalë, nuk kam përshtatur asnjë frazë dhe në s‘besoni, hapeni e shiheni në librin e tij, "Shqipëria një dhe njëmijë".

1939-2009, plot 70 vjet. Një popull, për të cilin të shkrojturat e treçerek shekulli më parë nuk dallohen në janë shkruar atëherë apo sot, domethënë që është sjellë rrotull si kali në lëmë, ndaj duhet t‘i thërresë mendjes se s‘e ka mirë.

NEO-LUDIZMI

Në batarenë e lajmeve që na bombardojnë ditën, shkëputa këtë: "Në Bulqizë hidhet në erë me tritol një galeri miniere për arsye konkurrence".

Për sa mund të duket një shpikje shqiptare, kjo e hedhjes në erë të llagëmeve nuk është aspak e tillë. Në Mesjetë, gjatë rrethimit të kështjellave, ndodhte shpesh që rrethuesit gërmonin tunele nën themelet e kalave të rrethuara, që pastaj i hidhnin në erë për të shkatërruar muret. Pastaj, si kundërpërgjigje, të rrethuarit përgjonin se ku ishin, duke avancuar këto llagëme nëntokësore të armikut dhe përpiqeshin nga ana e tyre t‘i hidhnin në erë, përpara se të arrinin nën muret e tyre. Mëndja ta do që këto metoda të egra të ishin harruan në errësirë të kohërave. Për herë të fundit në historinë e luftërave, një gjë e tillë ka bërë vaki në frontin italo-austriak të Luftës I Botërore, më 1916. Të bllokuar për shumë kohë në llogore malore përballë njëri-tjetrit, austriakët më nj‘anë dhe italianët në anën tjetër, të dy palët filluan të hapin galeri nën llogoret e kundërshtarit, të cilat pastaj i mbushnin me dinamit dhe predha dhe i hidhnin në erë. Kjo është konsideruar si një nga shfaqjet më barbare të gjithë asaj lufte.

E pra, po ndodh sërish. Por kësaj radhe, të paktën njëqind vjet nga hera e fundit kur kishte ndodhur. Jo midis ndërluftuesish armiq të njëri-tjetrit, por mes njerëzish që flasin një gjuhë, që kanë jetuar deri dje bashkë në një qytet, që kanë vuajtur e vuajnë njësoj, që kanë ngrënë e hanë bukën e fukarallëkut në brimat e të njëjtit mal.

Si ta shpjegoj? Të them që ata fatkeqë janë në nivelin e zhvillimit të para treqind vjetëve, do më akuzoni për antishqiptar. Të them se ky është niveli i zhvillimit të ekonomisë shqiptare, edhe këtë s‘e them dot. Para njëqind apo dyqind vjetësh, kur minierat e qymyrit të Anglisë, Belgjikës apo Gjermanisë kishin të njëjtat kushte pune, apo edhe më keq se këto tonat sot, askush në ato vende nuk u përpoq ta zgjidhte hallin, duke hedhur në erë galerinë e komshiut, por duke u organizuar mes tyre. Ta krahasoj këtë që ndodh në Bulqizë me lëvizjen ludiste të shekullit XVII, prapë nuk shkon për dy arsye. E para, se i thonë 300 vjet përpara dhe, e dyta, në kohën e lëvizjes ludiste, punëtorët bashkoheshin me njëri-tjetrin për të shkatërruar makinat dhe nuk ndaheshin kundër njëri-tjetrit për të shkatërruar makinën e komshiut. Të them se është një rast i veçuar, as kjo nuk vlen se, po në të njëjtën faqe gazete, flitej për hedhjen në erë të digës së një rezervuari në një fshat të Jugës.

Njerëzit e kënduar, ka ca vite që po flasin për ringjalljen e neo-shqiptarizmës, rrymë mendjesh të ndritura të viteve ‘30. Mirë se neo-shqiptarizmën mund ta ringjallim duke mbushur gazetat këtu në Tiranë, por me neo-ludizmën e Bulqizës kush do merret, jo për ta ngjallur e ringjallur, por për ta hequr qafe. Ndaj po ja le secilit prej jush t‘i vërë epitafin që i thotë mendja, kësaj marrëzie shqiptarësh kundër shqiptarëve, por me kushtin që të jetë i ndryshëm nga epitafi që i vuri Konica: "Shqipëria ka shumë armiq, por me i keqi armik i Shqipërisë janë shqiptarët".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama