Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Muri pa mur i gazetarisë

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Muri pa mur i gazetarisë

Prapë e rrahën Meron. Më e kollajta e punëve, është të themi tani që fajin e ka Berisha apo, oburra të dalim në demostratë që të mos e rrahin më Meron. Mirëpo duke bërë kështu, vetëm se do shpëtojmë Meron nga halli i rradhës (edhe kjo ka vlerë), po s‘do zgjidhim gjë, se në konfliktin tjetër s‘do rrahin më Meron po ndonjë tjetër. Apo po qe se faji qënka i Berishës, hajt të heqim Berishën, mirëpo kush na siguron që ai që do vijë pas tij, po qe brenda të njëjtit sistem s‘do bëhet një Berishë i dytë apo edhe më keq se ky që kemi? Kështu, i bie të bëjmë si ai babai fanatik në një tregim të qëmoçëm të Dritëroit që, kur mori vesh se e bija bënte dashuriçka me agronomin te rrapi i përroit, rrëmbeu sëpatën e shkoi të priste rrapin.

Nuk e njoh mirë se ç‘ndodh me gazetarinë në vendet e tjera të Lindjes, kështu që nuk e përcaktoj dot saktë nëse udha që ka ndjekur kjo e jona, është rast më vete i veçantë, apo është thjesht përsëritje e të njëtit avaz që këndohet në të gjithë Lindjen. Dy janë llojet e gazetarisë që kërkojnë këllqe dhe që kanë edhe rrezikun brënda. Gazetaria e gossip-eve dhe gazetaria investigative. Kjo e para, e gossip-it, për sa kohë që ende qeverisemi nga fshatarë injorantë (se ka edhe fshatarë zotnij), ende nuk ka material të bollshëm për të blojtur dhe, bashkë me të nuk do harruar se më të shumtëve e atyre me të cilët duhet të ushqehet kjo lloj gazetarie, u pëlqen t‘i bëjnë në publik ato që më çdo vënd tjetër do përpiqeshin t‘i bënin fshehuriçkazi.

Mbetet gazetaria investigative, që më një vënd pa rregulla dhe ku paraja e interesat shkojnë dallgë-dallgë sa më nj‘anë m‘anë tjatër, ka material të bluajë e të mbushë, jo gazeta por enciklopedi të tëra. Mirëpo, që të mos e kthejmë mjetin në qëllim, nuk duhet të harrojmë se kjo lloj gazetarie është shpikur e ka marrë jetë që të denoncojë ato shfaqje të zeza kryesisht të mekanizmit shtetëror, por të cilat funksionojnë jo në shëbim të interesit publik (për të cilin edhe janë krijuar), por për interesa të veçanta. Veç kësaj, duke llogaritur që veshi dhe syri i shtetit nuk mund të arrijë në çdo vrimë të shoqërisë, gazetari investigativ zbulon edhe ato fenomene që shteti nuk ja del t‘i zbulojë dhe ja bën publike atij, i cili pastaj ndërhyn që të vetëndreqet. Në një vend normal, gazetaria investigative më tepër sesa të bëjë presion tek shteti, përpiqet të bëjë presion tek opinioni publik dhe pastaj, meqenëse politika për shkak të "kurthit" të zgjedhjeve ka frikë nga opinioni, detyrohet të verë në lëvizje shtetin për të ndrequr difektet a dënuar kundërvajtësit. Se po të mos kish frikë nga opinioni publik, le të zbulojë gazetari skandale sa të dojë, politikës s‘do t‘i bëhej shumë vonë.

Mirëpo, veçan këto vitet e fundit, gazetaria investigative në Shqipëri, po gjëndjet përpara një muri pa mur. Gazetari zbulon dhe publikon, publiku lexon dhe ndërgjegjësohet, ndërsa shteti dhe politika as që lozin as gishtin, duke mos zënë në numër këtu ndonjë konferencë apo show, por që edhe këto nuk i bën për opinion të brendshëm, por për të qetuar ndërkombëtarët e bezdisshëm. Pra, gazetari e bën punën e tij, opinioni publik në Shqipëri tashmë është i ndërgjegjësuar për ç‘ka e rrethon, ndërsa politika nuk reagon. Ku është e keqja? Them se janë dy të këqiat kryesore. Politika ja ka dalë që, me njëmijë vegla, të ingranojë brenda sistemit të vet një pjesë të medias, gjë që ka sjellë si rezultante që, edhe kur zbulohen e denoncohen afera të ndryshme, në shumë raste njerëzia të mbeten inertë, duke e gjykuar gjënë si larje hesapesh të një lukunie ujqish me lukuninë tjetër dhe, kështu shkon i njomi me të thatin.

Një tjetër arësye, është niveli i paimagjinueshëm i parasë korruptuese që qarkullon në këtë vend. Para ca muajsh, në Anglinë e miliardave u rrëzuan ministra e funksionarë, kush për 1000 e kush për 2000 stërlina, që i paskëshin përdorur nga fondet publike për punë private. Këtu, kaq pará s‘ti zë me dorë as roja i portës te ministria, e jo më ministri, prokurori, a kryetari i bashkisë a i komunës. Veç të tjerave, kjo ndodh se, edhe në dashtë të marrë 1 milion stërlina ai ministri i Anglisë, s‘ka ku t‘i çojë a si ti justifikohjë, gjë që s‘është asfare problem në këtë sistemin tonë të shpartalluar. Që të mos i bie gjatë e gjatë unë, po ja lë Pukëvilit ta thojë siç e ka shkruar 200 vjet para meje, se "në 8 vjet Sulltani ka ndërruar 12 qeveritarë në Berat, duke i dërguar të gjithë si dorë e fortë kundër korrupsionit, por të gjithë kishin dështuar ose përpara kërcënimeve ose përpara rryshfeteve të papara".

Arësyeja tjetër e kësaj situate, fle brenda genit tonë arbëror. Qëkurse politika nuk ka frikë nga opinioni publik, kjo do të thotë që, ose sundon me dajak e është diktaturë, ose është demokraci por ndërgjegjja publike është ende e paformuar sa të reagojë realisht dhe vendosmërisht ndaj të keqes. Gazetaria investigative nuk shërben për të shoqëruar kafen e mëngjesit njerëzia e ngeshme, por për t‘ua zënë në fyt atyre që e kanë bërë zullumin.

Nuk dua të filloj e të bëj reformatorin e Prokurorisë, por ky organizëm të paktën në qendër, do të duhej ta kishte të domosdoshëm një sektor që të ndjekë dita ditës median dhe denoncimet e bëra nëpërmjet saj. Pastaj, natyrisht duke bërë filtrimet e nevojshme, të ndiqte dhe hetonte çështje që realisht do të rezultonin me brumë. Përgjigja e parë që ju vjen ndër mënd, është se po të merrej prokuroria me gazeta, nuk do dilte dot më matanë. Kësaj mund t‘u përgjigjem po kaq thjeshtë. Në të gjitha vëndet, gati të gjitha çështjet e mëdha, kanë zënë fill nga ndonjë artikull gazete.

Nuk ja vlen të sjell këtu si shëmbull çështjet që kanë të bëjnë me Taçin dhe Armo-n, pasi ato i kemi mësuar përmendësh nga Meroja të gjithë ne që nuk kemi gjë në dorë dhe asnjë prej atyre që e kanë për detyrë. Më kujtonte Skënder Minxhozi një mori skandalesh, hetimesh, dosjesh të nxehta të ndjekura nga Revista MAPO. Kjo revistë s‘ka muaj të mos nxjerrë nga një të re. Pasi rreshtonte dosjet, ai më rreshtonte edhe faktin që për shumicën gati të përgjithshme të tyre, asnjë organizëm i shtetit nuk kish trokitur të kërkonte sqarim. M‘u kujtua një numër i kësaj reviste para ca kohe, që denonconte trafikun e raketave Tokë-Ajër nëpërmjet Rinasit drejt Irakut a Afganistanit. Raketat me letra ishin kualifikuar për shkatërrim si të vjetra, ndërsa përfunduan kushedi se në ç‘betejë të largët. E gjithë dosja me fotografi, data e dokumenta e botuar në revistë. Më sa u interesuan eskimezët, aq u interesuan edhe insitucionet shqiptare për këtë hetim - ma mbyll muhabetin Minxhozi.

Ose unë vetë. Pasi kisha shkruar edhe herë të tjera, u ula dhe botova para dy javësh në Gazetën Shqiptare fotokopjen e kontratës së ndërtimit me paratë e shtetit të Pallatit Mbretëror, por që Berisha ja ka dhënë Zogut me llafe pazari. E dini sa institucione paguajmë ne shqiptarët për të ndjekur këto punë? Për ata që s‘i kujtojnë dot të gjitha, po jua rreshtoj unë. Kontrolli i Lartë i shtetit, Prokuroria, Drejtoritë e Auditit në Kryeministri e Ministrira, Kuvendi (që edhe ky mund të ngrejë komisione hetimi (komisione u thënçin!)) dhe, thelë mbi bisht, kemi krijuar edhe Avokatin e Shtetit, puna e të cilit është vetëm e vetëm të mbrojë gjënë e shtetit. E pra, ose dikush, kushdo prej tyre, duhej të luante vëndit e të merrte të paktën mundimin të më thosh "ore ti djalë, pa na i sill një çikë këto letrat që ke nxjerrë në gazetë që t‘i shohim, se për këtë e marrim rrogën dhe jemi betuar mbi Kushtetutë" ose, ai që prekej nga kjo punë, duhej të më hidhte në gjyq për shpifje e për letra të fallsifikuara që po i prishin imazhin. Asnjë nga të dy palët nuk lojti nga vëndi dhe kështu, po vazhdova unë të nxjerr nga një letër-dokument çdo javë, ose njerëzia do mërziten e do thonë "po ky s‘ka punë tjetër me ç‘të merret", ose edhe mua do më zënë rrugën ndonjë ditë të zotët e punës, e të ma thonë siç ja thanë Meros. Dhe kështu, pas këtaj, gazetarët do dalin prapë te Kryeministria për demostratë.

Meqë ra llafi te demostrata. Nisur nga grumbulli i gazetarëve që u mblodhën para Kryeministrisë, dukej sikur këta janë goxha të organizuar dhe të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin dhe jetën e kolegut të dëmtuar. Këtu s‘ka asgjë të veçantë, se nuk duhet të harrojmë që secili prej atyre u mblodhën atje, përfshi edhe unë vetë, sa ç‘kshim dalë për kokën e Meros, kishim dalë edhe për kokën tonë, se mos na vijë rradha e dajakut një ditë. Mirëpo përtej kësaj daljes për raste ekstreme, duhet të pranojmë se punonjësit e medias janë shumë më pak të organizuar se taksixhinjtë apo se minatorët për shembull. Minatorët e pashkollë kanë provuar të bëjnë nja dy demostrata, taksixhinjtë e pashkollë bëjnë greva e mitingje gati për muaj në sheshin Skënderbej për të drejtat e tyre, minatorët madje u futën edhe në grevë urie para Presidencës, ndërsa gazetarët me nga një e dy universitete, me vizione e me dije, nuk janë ende sot të aftë të organizohen. S‘besoj se do më përmendni këtu nja dy a tri shoqata që egzistojnë vetëm për t‘u nxjerrë vizë anëtarëve dhe që kjo është edhe arësyeja që ndokush shkruan emrin te ato, apo që ua marrim vesh egzistencën vetëm kur u lexojmë emrin nëpër peticione që i kanë bërë të tjerë.

Këto, e të tjera si këto, më shkonin ndër mënd këto ditë pas turpit që i ngjau Mero Bazes. Mua përgjithësisht më mbajnë se e rëndoj ca dorën me pesimizmë në të shkrojtur, por kësaj rradhe e them vërtet se, për sa është plot halle e mina fusha e medias, po aq kam edhe shpresë se të paktën ajo ka të ngjarë të ndreqet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama